Prokurorët amerikanë që po hetojnë aferën e skandalit të 80 mijë dollarëve të fotos së Ramës me Obamën thonë se stafi i Presidentit amerikan po bashkëpunon në hetimet e FBI për të zbardhur të vërtetën. “Stafi i Obamës nuk është vënë nën akuzë për këtë ngjarje pasi, sipas prokurorëve, ka bashkëpunuar në tërësi me hetimin dhe duket se nuk ka pasur dijeni se paratë e dhëna nga Shehu kishin në fakt origjinë të huaj”, shprehet agjencia “Reuters”.
Përfshirja e Presidentit amerikan dhe stafit të tij në këto hetime tregon për përmasat e skandalit të shkaktuar nga Rama në Shtetet e Bashkuara. Në Shtetet e Bashkuara nuk lejohet që nënshtetas të huaj të bëjnë donacione në fushatat elektorale të këtij vendi për shkak të dëmeve që mund të sjellin para të tilla për demokracinë. Rama i ka shkelur këto ligje dhe tashmë ai është nën akuzë.
Për të kuptuar pasojat politike të këtij hetimi amerikan duhet të shohësh zhvillimet e fundit politike në Shtetet e Bashkuara dhe se si politika amerikane po reagon ndaj Ramës. Kreu i qeverisë është përjashtuar nga pjesëmarrja në Konventën e Demokratëve dhe në vend të tij është ftuar Pandeli Majko, ndërsa një ftesë të posaçme kanë pasur edhe kryetari i opozitës, Basha, si dhe kreu i LSI, Meta.
Megjithëse mediat pranë Ramës thonë se Meta është një individ i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara, të cilin nuk e takojnë asnjë nga zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit kur vijnë në Tiranë, kreu i LSI e kishte një ftesë nominale për të qenë në Konventën e Demokratëve. Këtë ftesë nuk e kishte Rama. Dhe kjo nënkupton se si ka filluar të funksionojë politika amerikane ndaj Ramës. Izolimi ndaj tij ka nisur.
Dënimi për Bilalin jepet më 5 tetor
Ligji federal amerikan i ndalon nënshtetasit e huaj të bëjnë dhurime për fushatat zgjedhore amerikane. Bilal Shehu është shpallur fajtor për financim të paligjshëm fushate dhe pritet të dënohet më 5 tetor. Dënimi që ai mund të marrë është deri në 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë.
Nga hetimet amerikane, zoti Bilal Shehu pagoi 80 mijë euro për të siguruar dy bileta, një në emër të tij dhe një në emër të bashkëshortes, për të marrë pjesë në një aktivitet, pjesë e fushatës së Presidentit Obama, më 8 tetor 2012.
Zoti Shehu e ka pranuar se në aktivitet nuk u paraqit bashkëshortja e tij, por një tjetër nënshtetas i huaj, i cili nuk u lejua të hynte, por që arriti të bënte një foto me Presidentin Obama në korridorin e vendit ku po zhvillohej aktiviteti. Vetë Kryeministri Rama ka zgjedhur të heshtë dhe nuk e ka përgënjeshtruar personalisht akuzën.
Dëshmitari i dytë Argeros dënohet më 9 nëntor
William Argeros, 57, nga Tampa, ka pranuar po ashtu në Gjykatën Federale akuzën se ai me vetëdije ndihmoi në dhënien e kontributeve të huaja, të paligjshme në mbledhjen e fondeve të përbashkëta dhe komitetin e fushatës politike për Presidentin e ardhshëm, tha prokurori Paul J. Fishman dhe ndihmësprokurori i Përgjithshëm, Leslie R. Caldwell.
Argeros gjithashtu u deklarua fajtor para gjykatëses së rrethit gjyqësor të SHBA, Madeline Cox Arleo, se ka bërë një deklaratë të pavërtetë dhe të falsifikuar para një jurie federale në lidhje me rolin e tij për lehtësimin dhe fshehjen e kontributeve thanë ata.
Bilal Shehu nga Paramus, Nju Xhersi, u deklarua fajtor më 29 qershor për marrjen e fondeve nga Argeros dhe dhënien e tyre një komiteti për mbledhjen e fondeve. Ligji federal ua ndalon të huajve të bëjnë kontribute për fushatat e kandidatëve federalë apo komiteteve për mbledhjen e fondeve.
Kur republikanët e Kongresit shikuan të dhënat e fushatës, ata ngritën pyetje nëse Shehu mund të përballonte vërtet donacionet dhe burimin e vërtetë të fondeve. Sipas një deklarate pastaj nga Departamenti i SHBA, Dana Rohrabacher dhe R-Califm Shehu dhe Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, shkuan në një ngjarje të fushatës në tetor të vitit 2012, ku Rama ishte në gjendje për të bënte një foto me Obamën.
Rama, i cili ka përdorur këtë foto në fushatën e tij politike, tani është Kryeministër i Shqipërisë, thanë zyrtarët e departamentit amerikan.
Përveç kësaj, Argeros pranoi se ai ka gënjyer para jurisë së madhe më 18 shkurt 2015, kur ai tha se nuk ka marrë pjesë në transferimin e parave në komitetin e përbashkët për mbledhjen e fondeve, tha Fishman dhe Caldwell.
Askush në komitetin e përbashkët për mbledhjen e fondeve s’ka qenë i akuzuar për keqbërje dhe komisioni ka bashkëpunuar në hetimin që çon në pranimin e fajit, thanë ata. Të dy akuzat për të cilat Argeros u deklarua fajtor konsistojnë në kryerjen e një dënimi maksimal prej pesë vitesh burg dhe një gjobë deri në 250,000 dollarë, thanë ata. Ndaj tij është planifikuar që të jepet vendimi më 9 nëntor.
PD: 80 mijë dollarët para krimi
Edi Rama bën vazhdimisht paradë arrogante me foto të ditës, por ai ende nuk po jep një shpjegim publik, për foton e tij të jetës, atë me Presidentin Obama, për të cilën pagoi 80 mijë dollarë, duke financuar një krim të rëndë federal.
Dy vetë në Amerikë presin burgun dhe gjobën për krimin e kryer, futjen e parave nga një burim i huaj. Shtetasi me origjinë greke Argeros që mundësoi transferimin e parave dhe Bilali që siguroi biletën për Ramën në një aktivitet në tetorin e vitit 2012.
Të dy e kanë pranuar krimin dhe pritet të dënohen në vjeshtë me 5 vite burg e 250 mijë dollarë gjobë, për futjen e parave të pista në fushatën presidenciale nga një burim i huaj. E gjitha, për t’i siguruar Edi Ramës një shtrëngim duarsh me Obamën dhe një foto, e cila u përdor nga shefi i rilindjes në fushatën elektorale të vitit 2013 për të ardhur në pushtet.
Për këtë aferë, Edi Rama ka qenë në faqet kryesore dhe në kronikat e medias më të rëndësishme të botës.
Nga Uashingtoni në Bruksel e dinë se ai pagoi 80 mijë dollarë për një foto.
Kur, edhe sa kohë Rama nuk do të kthejë përgjigje?
Çdo shqiptar kërkon të dijë se ku i mori paratë?
Kush është burimi i tyre?
A janë para të ligjshme apo para krimi?
A janë para droge?
Para të trafikantëve me të cilët erdhi në pushtet, me të cilët ka mbuluar sot gjithë Shqipërinë me kanabis, duke mbytur ekonominë e ndershme, duke rritur kriminalitetin, duke asfiksuar çdo aktivitet të ligjshëm.
Ai mund të heshtë për këtë fakt, mund të fshehë burimin e 80 mijë dollarëve.
Po shqiptarët e kanë kuptuar, e dinë dhe janë gati ta tregojnë se Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.