Verifikimi i formularëve të vetëdeklarimit, në kuadër të dekriminalizimit, është faza në të cilën ka hyrë tashmë aplikimi i këtij ligji. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur që prej të hënës këtë fazë, ndërkohë që ligji i njeh një rol aktiv edhe Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer verifikimet që i shikon të arsyeshme, pa pritur që këtë t’ia kërkojnë institucionet e tjera.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur prej të hënës verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, që deputetët, kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë kanë dorëzuar pranë këtij institucioni.
Ligji ngarkon 16 institucione për të kryer procesin e verifikimit, por deri tani, KQZ është i vetmi që ka bërë publike në faqen e saj online formularët e dorëzuar pranë këtij institucioni, një pjesë e të cilëve janë publikuar gjerësisht edhe në media. Pavarësisht problemeve që deputetët dhe kryebashkiakët pranojnë se kanë pasur me drejtësinë në të kaluarën, duket se asnjë prej këtyre rasteve nuk është pjesë e veprave që kapen nga ligji i dekriminalizimit. Ajo që dyshohet, gjithsesi, është mundësia që të zgjedhurit, si në pushtetin qendror ashtu edhe atë lokal, të kenë fshehur qëllimisht raste potencialisht problematike, gjë që nëse verifikohet sjell automatikisht humbjen e mandatit pasi përbën vepër penale.
Por ligji për dekriminalizimin i njeh një rol aktiv edhe vetë Prokurorisë. Kjo e fundit nuk është e detyruar të presë sinjalizimet nga organet e përfshira në verifikim, por ka të drejtën t’i kryejë edhe vetë ato, brenda edhe jashtë vendit, në rastet kur ka indicie.
Pika 5 e nenit 8 thotë se, “për kryerjen e verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme, përdor çdo të dhënë apo dokumentacion në dispozicion të saj ose i kërkon ato pranë çdo organi apo entiteti tjetër shtetëror, brenda apo jashtë vendit”.
Ndërsa pika 12 e po të njëjtin nen, sanksionon se Prokuroria e Përgjithshme bën raportim të posaçëm dhe të hollësishëm në Kuvend, në kuadër të raportimit të vjetër mbi verifikimet dhe rezultatet e tyre.
Vetë kryeprokurori Adriatik Llalla pati deklaruar se kishte urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm pune që do të merrej me verifikimet në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, por nuk dihet nëse ky grup ka kryer ndonjë verifikim deri më tani.
Roli i Prokurorisë është akoma edhe më i rëndësishëm për faktin se ky institucion është i vetmi që mund të kontaktojë me organet e një shteti tjetër për të kryer verifikime jashtë vendit. Më konkretisht, KQZ nuk mund të verifikojë përse është ndaluar kryebashkiaku i Kavajës, në Gjermani, rast ky që bëri mjaft bujë në media, për të cilin vetë Elvis Rroshi thotë se nuk i kujtohet. Ligji këtë detyrë ia ngarkon automatikisht Prokurorisë së Përgjithshme.