Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për 7 grupe kriminale ku përfshihen zyrtarë dhe figura politike

Nga Sabina Nika/ shteg.org

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka nisur komunikimin e akuzave ndaj anëtarëve të 7 grupeve kriminale, të cilët u goditën në kuadër të operacionit “Revanshi”. Pas këtij procesi, pritet që organi hetues të kërkojë seancë paraprake në gjykatë.

Grupet kriminale, të cilat vepronin në një territor të gjerë përfshirë Lezhën, Durrësin, Krujën, Tiranën, Vlorën dhe Burrelin, ishin të përfshira në aktivitete të paligjshme, ku përveç individëve me rekorde kriminale, u evidentuan edhe zyrtarë të lartë të policisë dhe persona të lidhur me politikën.

Gjatë këtij operacioni u firmosën urdhër-arreste për personat e përfshirë nën hetim që janë drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, ish-deputeti Arben Ndoka dhe Armando Ndreca, vëllai i deputetit Eduard Ndreca.

Operacioni i nisur në maj të vitit 2024 çoi në arrestimin e 20 personave, përfshirë 14 në Shqipëri dhe 6 jashtë saj, në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.

SPAK njoftoi se kishte goditur grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili kishte lidhje me grupin e Arben Ndokës dhe bashkëpunonte me atë të Avdylajve në Durrës. Këta grupe rekrutuan vrasës me pagesë për të kryer krime në zona të caktuara si Fushë-Kruja dhe Burreli.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është hetimi i ish-drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, i cili akuzohet për organizimin e lojrave të fatit në këtë qytet.

Mbështetës i kësaj veprimtarie janë biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shefi i Seksionit të Trafiqeve dhe Narkotikëve, Klodjan Shahini, që dyshohet se kanë drejtuar kultivimin e kanabisit.

Në maj të vitit 2024, në kuadër të operacionit të quajtur “Revanshi” Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka goditur 7 grupe të strukturuara kriminale dhe firmosi 50 urdhër arreste për bosë të krimit dhe anëtarë të grupeve të tyre kriminale.

Gjithashtu njoftoi se sekuestroi pasuri me vlerë 4.5 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe ora të shtrenjta, flori, euro cash, armë zjarri, automjete luksoze të blinduara, sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.

Mbrëmjen e 9 dhjetorit 2017, në Lezhë u vra vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.

Pas vrasjes, Ndoka krijoi një grup kriminal për hakmarrje, duke rekrutuar nipin dhe dhëndrin e tij si dhe duke lidhur kontakte me figura të botës së krimit si Ervis Martinaj dhe Emiljano Shullazi.

Marklen Haka, dikur mik me Bamin, informoi grupin për lëvizjet e viktimave, duke ndihmuar në organizimin e atentatit ndaj Durim Bamit më 4 nëntor 2020. Ky atentat ishte porositur dhe financuar nga Martinaj, i zhdukur prej dy vjetësh.

Exit mobile version