Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Gjykatës t’i konfiskojë pasurinë ish-deputetit të mazhorancës, Mark Frroku. Bëhet e ditur se, prokurori Klodian Braho, në bazë të ligjit “antimafia” ka dorëzuar në gjykatë, kërkesën për konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të ish-deputetit Frroku. Sipas kërkesës së akuzës, Mark Frroku për gjatë periudhës 1998-2013 së bashku me pjesëtarët e familjes kanë krijuar një sërë pasurish të paluajtshme e të luajtjshme. Por nga akt-ekspertimi i kryer nga Prokuroria, rezulton se ish-deputeti Frroku nuk justifikon me burimet financiare të deklaruara për gjatë 15 viteve shumën prej rreth 1.7 mln euro në total, të cilat ka xhiruar gjatë këtyre viteve. Si pasojë e këtij mosjustifikimi, Prokuroria kërkon që pasuria fizike që ish-deputeti disponon aktualisht t’i kalojë në favor shtetit shqiptar.
Kështu, nga akt-ekspertimi i kryer, rezulton në emër të ish-deputetit Frroku janë të regjistruar 7 apartamente në Tiranë, Orikum e Shëngjin dhe 2 garazhde makinash me sipërfaqe totale rreth 838 m2, si dhe një armë me sipërfaqe prej 6000 m2 në Lezhë. Vlera e këtyre apartamenteve, garazhdeve dhe tokës, sipas akt-ekspertimit kap një shifër për rreth 500 mijë euro. Kjo është edhe pasuria, që sipas Prokurorisë, duhet të kaloi në favor të shtetit shqiptar.
Prokurori arsyeton në kërkesën e tij, se ish-deputeti Frroku veç akuzës për pastrim të parave në Shqipëri, rezulton i dënuar në vitin 2002 në Holandë me tre vite burg për veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Konfiskimi i pasurisë, sipas akuzës, bazohet në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, i njohur edhe si ligji “Antimafia”. Pasi ish-deputeti Frroku nuk arriti të provojë origjinën e ligjshme të kësaj pasurie dhe pasuritë nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve, apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara edhe pranë institucioneve shtetërore.
Frroku u shpall para katër ditësh i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë. Gjykata ka arritur në konkluzionin se, Prokuroria nuk solli prova konkrete që përfshijnë Mark Frrokun në vrasjen e vitit 1999 në Belgjikë, por burimet bënë të ditur se ky vendim është marrë pas presioneve të vazhdueshme të kryeministrit Rama për lirimin e Frrokut. Tre javë më parë, prokurorët gjatë leximit të pretencës, i kërkuan Gjykatës që Mark Frroku të dënohet në total me 26 vite burg. Prokuroria paraqiti të njëjtat prova, mbi të cilat është dënuar Frroku me 10 vjet burg në Belgjikë, në Shkallën e Parë, por këto prova nuk u morën parasysh nga Gjykata e Tiranës.
Mark Frroku u arrestua që në mars të vitit 2016 pas administrimit të urdhër-arrestit ndërkombëtar për akuzën e vrasjes së kryer në Belgjikë. Arrestimi i tij nxorri në dritë një skandal, atë të fshehjes së udhër-arrestit të dërguar në zyrën e Interpol Tiranës nga autoritetet belge, në të cilin u përfshi Rama, Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Arrestimi i Frrokut u bë vetëm pas reagimit të fortë të BE që i kërkonte autoriteteve shqiptare të vepronin me urgjencë për zbatimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar.
Për vrasjen në Belgjikë, Frroku ishte dënuar me 10 vite burg nga drejtësia belge. Vëllai i viktimës i ka thënë Prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij, Mark alias Besnik Morina.