Prokuroria: Nën hetim zyrtarët e policisë për grabitjen në Rinas

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të marrë nën hetim disa zyrtarë të lartë të policisë për grabitjen e rreth 10 milionë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit. Prokuroria bëri të ditur se, krahas hetimit për gjetjen e autorëve të grabitjes së parave në pistën e fluturimeve në Rinas, vazhdon verifikimet mbi veprimet e zyrtarëve të policisë në këtë rast.
Nëse gjatë verifikimeve paraprake hetuesit gjejnë elementë të veprës penale, atëherë kallëzimi do të regjistrohet me emrin e zyrtarit apo zyrtarëve të policisë, të cilët nuk kanë kryer detyrën siç duhet. Objekt i hetimit të organit të akuzës është nëse policia nuk ka marrë masat e duhura, duke qenë se ishte në dijeni mbi problemet e sigurisë në aeroport.
Për më tepër që grabitja ndodhi në kohën kur masat e sigurisë ishin të shtuara për shkak të sulmeve terroriste të ndodhura në aeroportin e Stambollit. Sipas Prokurorisë këto masa rezultuan joefikase për shkak se tre persona të armatosur hynë në pistë dhe kryen një grabitje spektakolare. Organi i akuzës ka dyshime se ky plan masash ditën e grabitjes nuk është zbatuar siç duhet e për pasojë, kjo është reflektuar në terren.
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bënë të ditur se do të merren në pyetje edhe punonjësit e dy mjeteve të aeroportit. Sipas burimeve, punonjësit e makinës orientuese “Follow me” të Aeroportit të Rinasit dhe ata të automjetit të shërbimit kargo të aeroportit pritet të japin dëshminë e tyre për moskallëzimin e grabitjes në momentin që kanë parë në pistë dy prej autorëve të armatosur, duke grabitur makinën me para.
Oficerët e Policisë Gjyqësore do të marrin në pyetje paraditen e së mërkurës 4 punonjësit, të cilët nga ekzaminimi i pamjeve filmike, të cilat u publikuan dhe nga “Televizioni Klan” kanë qenë prezent në fillim dhe gjatë grabitjes së gati 1 milion eurove. Mosreagimi i tyre për të njoftuar autoritetet e sigurisë së aeroportit apo të Policisë së Rendit do të jetë objekt i hetimit, për të njëjtën çështje.
Në orën 14 e 22 minuta, kur njëri prej autorëve i afrohet blindit, në pamje filmike duket makina e orientimit, e cila ndodhet përpara blindit, qëndron aty pa lëvizur për 15 sekonda  dhe më pas largohet, duke dalë mbrapa avionit që ndodhet në pistë.
30 sekonda më pas në ballë të blindit vjen makina tjetër e shërbimit kargo, e cila sheh çfarë po ndodh, por sërish sipas grupit hetimor nuk lajmëron dhe për 15 sekonda të tjera bën një lëvizje në drejtim të mjetit tip “Benz” dhe më pas largohet, duke mos njoftuar strukturat e policisë. Autorët kanë hyrë në pistë rreth orës 14 e 23 minuta dhe kanë dalë në orën 14 e 27 minuta nga aeroporti.
Hetimi i deritanishëm ka evidentuar një sërë mangësish dhe shkeljesh nga administrata e aeroportit dhe nga “ICTS”, kompania përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sistemi i Rinasit nuk ka dhënë alarm në momentin që një prej grabitësve ka kapërcyer gardhin rrethues.
Alarmi nuk ka rënë as kur brava e derës hyrëse u pre me gërshërë metalike dhe prej andej hyri makina e grabitësve. Po kështu, në momentin kur autorët e grabitjes arritën tek avioni që do të nisej drejt Vjenës, paratë ndodheshin në duart e vetëm tri vetave të paarmatosur, që nuk patën çfarë të bënin. Nisur nga këto fakte dhe nga informacionet e tjera, Prokuroria dyshon se grabitja është favorizuar nga njerëz të brendshëm të aeroportit, policisë dhe kompanive të sigurisë që kanë pasur të bëjnë me paratë.

Hetimet për grabitjen, verifikim edhe institucioneve

Prokuroria, përveç drejtuesve dhe agjentëve të kompanisë së sigurisë brenda perimetrit të Aeroportit të Rinasit, ICTS, po heton edhe institucionet e Aviacionit Civil, Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Transporteve në lidhje me mosreagimin e tyre pas testeve të fshehta, që konstatuan probleme serioze të nivelit të sigurisë në aeroport. Pavarësisht faktit që Aviacioni Civil dhe Policia kanë shkëmbyer letra dhe raporte me kompaninë konçesionare të aeroportit dhe kompanisë së sigurisë ICTS, ku e sinjalizonin për problemet, ky fakt cilësohet i pamjaftueshëm nga Prokuroria.
Sipas kësaj të fundit, si Aviacioni Civil edhe Policia dhe Ministria e Transportit janë institucione shtetërore që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe si të tilla puna e tyre nuk mund të përfundojë vetëm në konstatimin e problemit, por edhe në denoncimin e tij.
Aq më tepër, kur bëhet fjalë për cenim serioz të sigurisë në një objekt të rëndësisë së veçantë siç është aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend, institucionet e lartpërmendura nuk duhej të mjaftoheshin vetëm me shkëmbimin e problematikës mes njëri-tjetrit, por duhej të kishin bërë edhe denoncimet për secilin nga rastet e konstatuara.
Për këtë arsye, Prokuroria e Krujës ka nisur verifikimin konkret të problematikave të konstatuara nga testet e fshehta dhe reagimin e institucioneve që janë vënë në dijeni të shkeljeve dhe cënimit të sigurisë.
Burime të Prokurorisë bënë të ditur se, menjëherë pas rikthimit në punë, shefi ekzekutiv i aeroportit, Rolf Castro Vasquez dhe administratori i kompanisë përgjegjëse për sigurinë, ICTS, Panajotis Kamboroglu do të merren menjëherë në pyetje për llogari të hetimeve.
Ndërkohë, në dosje është përfshirë edhe raporti i Këshillit të Sigurisë së Aeroportit, i cili pas testimeve kishte zbuluar mbi 30 defekte serioze në sistemin e sigurisë. Ky raport është sekuestruar dhe është një nga provat më të forta të Prokurorisë për të dëshmuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej siguria e aeroportit të vetëm shqiptar funksional.
Hetimet ndërkohë vazhdojnë me këqyrjen e filmimeve të kamerave të sigurisë, të cilat po analizohen me vëmendje për të mësuar detajet, të cilat kanë çuar në një zbulim që përforcon idenë se grabitjet e makinave që transportojnë paratë e bankave për në aeroport janë vepër e së njëjtës bandë që ka kryer edhe dy grabitje të tjera.
Sipas ekspertëve, nga krahasimi i pamjeve të kamerave të sigurisë edhe të grabitjeve të tjera, veç skemës së aksionit, krahasimi i imazheve të grabitjes dhe përshkrimi fizik i grabitësve ka çuar në përfundimin se të paktën një person është prezent në grabitjen e Rinasit dhe atë të Kasharit gjashtë muaj më parë.

R.POLISI

Exit mobile version