Prokuroria pushon hetimet ndaj Shullazit për pastrim parashë

Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj Emiliano Shullazit për akuzën e “pastrimit të parave”. I dënuari me 14 vjet burg nga Krimet e Rënda si kreu i një grupi kriminal gjobëvënësish dyshohej se kishte konsumuar këtë vepër teksa u bë pronar i një pjese të ish-hotel Vollgës në Durrës.

Me kërkesë të prokurorisë, hetimi për akuzën e “pastrimit të parave” u pushua edhe për biznesmenin Ylvi Beqja, personi që i premtoi 20 përqind të ish-Vollgës Shullazit nëse e ndihmonte në regjistrimin e kësaj prone.

Biznesmeni është i njëjti që e denoncoi Shullazin më vonë për “gjobëvënie” dhe pasi u bë “bashkëpunëtor i drejtësisë” dëshmoi kundër tij në gjykatë.

Bashkë me Shullazin e Beqjen, në hetimin e nisur në vitin 2018, prokuroria ka verifikuar edhe veprimet e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit Vladimir Skënderi, Dhurata Billo e Ndue Gjura, si edhe të ish-kryesekretares e ish-kancelares së gjykatës.

Ata dyshoheshin për “shpërdorim të detyrës” gjatë procedurës gjyqësore në përfundim të së cilës Gjykata urdhëronte hipotekën të regjistronte Vollgën në favor të një prej pronarëve pretendentë.

Ky vendim është shpallur në kohën kur konflikti për pronësinë po shqyrtohej në Gjykatën e Lartë. Referuar vendimit të gjykatës për pushimin e hetimit, prokuroria pretendonte se në përfundimin se nga të gjitha veprimeve hetimore të kryera, nuk rezultonte që asnjë prej të dyshuarve nuk kishte konsumuar elementë të veprave penale për të cilat akuzohej.

Exit mobile version