Prokuroria: Si kaluan 8 ton drogë nga Durrësi

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh skemën e trafikut të 8 tonelatave të drogës që hyri me kamion nga Maqedonia përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës dhe më pas nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se, droga është mbledhur në Shqipëri dhe ka kaluar kufirin drejt Maqedonisë me mushka dhe më pas kanabisi është ngarkuar në kamion dhe është kaluar në pikën e Qafë-Thanës, pikërisht për ta çertifikuar “si të pastër” kamionin me drogë.
Një tjetër detaj interesant i gjetur nga hetimi, është se fillimisht praktika doganore është bërë sikur kamioni do të kalonte nga Hani i Hotit. Por më pas është ndërhyrë në sistem dhe dalja e mjetit është bërë nga Porti i Durrësit.
Nga këqyrja e librit të shërbimit në Stacionin e Policisë së Portit Durrës, në kohën e daljes së dy automjeteve me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në Itali, më datë 05.02.2017, kanë qenë me shërbim punonjësit e policisë të grupit të kontrollit, shtetasi Gëzim Dervishi, me detyrë specialist i trajtimit të qenve të shërbimit, Mexhit Xhixha, Roland Metani, Agron Kapllani, Gentian Selmani, me detyrë shoqërues qeni antidrogë, Medi Demiri, kontrollor, Fatmir Plaku, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor.
Ndërsa, shefi i Stacionit të Policisë së Portit Durrës ka qenë shtetasi Julian Doraci. Nga deklarimet e punonjësve të Policisë Kufitare te Stacioni i Policisë së Portit Durrës, si dhe nga provat e tjera të administruara, nuk rezulton që ata të kenë ushtruar kontrollin e automjetit kamion me targa maqedonase, më datë 05.02.2017, në kohën kur ai ka dalë i ngarkuar me lëndë narkotike nga Porti i Durrësit për në drejtim të Italisë.

Zbardhja e tahografit të kamionit

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga homologët italianë, të zbardhin me anë të tahografit të kamionit, qëndrimin dhe itinerarin e lëvizjes së tij nga Maqedonia në Shqipëri dhe më pas në brigjet e Ankonës në Itali, ku u bllokua me 8 ton drogë. Burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, Prokuroria i ka kërkuar autoriteteve italiane t’i vënë në dispozicion tahografin e kamionit që drejtohej nga shtetasi maqedonas Zoran Stanojoski, i cili u arrestua në një parking në Ankona.
Sipas akuzës, me anë të tahografit të kamionit, zbardhet itinerari i ndjekur dhe ndalesat që kamioni ka pasur brenda territorit të Shqipërisë. Kjo për shkak se kamioni ka bërë 6 orë e 30 minuta rrugë nga pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës deri në Portin e Durrësit. Në dosjen e Prokurorisë  thuhet se, nga kamerat e sigurisë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, kamioni ka hyrë në ora 17:14 minuta të datës 4 shkurt 2017.
Nga parkingu, pasi ka mbaruar të gjitha procedurat e verifikimit, skanimit dhe plumbosjes, ka dalë në ora 9:00 të mëngjesit të datës 5 shkurt. Por në ora 15:30 minuta të datës 5 shkurt, fiks pas 6 orë e gjysëm, kamioni ka kaluar në Portin e Durrësit për t’u ankoruar në targetin me linjës Durrës-Ankona. Sipas akuzës, 146 km rrugë, kamioni me 8 ton hashash e ka përshkruar për 6 orë e 30 minuta, që në një ditë të zakonshme, ky itinerar bëhet për 3 orë. Për këtë fakt, janë hedhur dyshime nga Prokuroria, se kamioni mund të jetë ngarkuar me drogë brenda territorit shqiptar dhe më pas të jetë plumbosur përsëri rimorkio e kamionit.
Ky dyshim është përforcuar edhe pas sekuestrimit të pamjeve filmike të skanerit që ndodhet në Qafë Thanë, të mbajtur nga kompania private, ku ndër të tjera thuhet se, kamioni ishte bosh në hyrje nga Maqedonia në Shqipëri. Ky fakt, i mbajtur nga punonjësit e skanerit, ka shtyrë avokatët e të arrestuarve të kontestojnë hetimet e Prokurorisë. Sipas tyre, nëse kamioni ka hyrë bosh në Shqipëri, pse janë arrestuar punonjësit e policisë dhe doganës së Qafë Thanës për këtë fakt, pyetje për të cilën pritet të marrin përgjigje gjatë mesditës së mërkurë, kur klientët e tyre do të dalin para Gjykatës për vleftësimin e masave të sigurisë.
Për kalimin e kamionit me 8 ton hashash drejt Italisë me urdhër të Prokurorisë janë arrestuar në Shqipëri 22 persona, mes tyre punonjës policie, doganier dhe agjentë doganore të kompanive private.

Si u ndryshua destinacioni i kamionit

Prokuroria ka zbuluar gjatë hetimeve se, në Qafë Thanë kamioni me 8 tonë drogë do të kalonte tranzit në Shqipëri për në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, por pas disa orëve, ky destinacion është ndryshuar me kërkesë të agjentëve doganorë, për të kaluar në Portin e Durrësit. Ku nuk i është nënshtruar kontrollit nga policia e doganierët, duke lejuar kështu kalimin e tij drejt Italisë, ku edhe u bllokuan.
Prokuroria arrestoi 18 doganierë dhe punonjës policie, mes tyre edhe shefin e Policisë së Portit, pasi nuk kanë kryer as detyrën minimale të punës, regjistrimin e shoferit të kamionit me 8 tonë hashash dhe kontrollin e hyrjes së tij. Nuk kanë bërë kontrollin fizik të mjetit dhe nuk kanë verifikuar procedurat, pasi agjentët doganorë i kishin ndryshuar gjatë rrugës destinacionin e kamionit. Moskontrolli i kamionit ka hedhur dyshime se punonjësit e policisë dhe doganierët, tashmë të arrestuar hedh dyshime për përfshirjen në trafik droge.

Një tjetër i arrestuar për trafikun e 10 tonëve të drogës nga Porti i Durrësit

Ka shkuar në 19 numri i personave të arrestuar për trafikun e 10 ton kanabis nga Porti i Durrësit. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se në pranga ka rënë Elis Deliu, doganier në doganën e Tiranës. Ndërsa 18 të arrestuarit e tjerë pritet të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë ditën e mërkurë.
Prokuroria ka zbardhur detaje të reja për rastin e dytë, ku nga Porti i Durrësit u trafikuan 2,2 ton kanabis. Hetimi për këtë rast nisi, pasi në 21 mars u ndalua në Itali kamioni, i cili drejtohej nga shqiptari Ervis Hysa. Bashkë me të u prangos Izmet Kulloli dhe një shtetas maroken.
Sipas Prokurorisë praktikën doganore për këtë rast e ka ndjekur dogana e Vorës, e cila ka plumbosur kamionin. Doganierët mësohet të kenë deklaruar se kanë këqyrur dokumentacionin dhe kanë parë se nuk ka asnjë parregullsi. Më pas mjeti është peshuar dhe është bërë plumbosja e tij, duke qenë se nuk kanë vënë re asgjë të dyshimtë.
Edhe në Doganën e Durrësit mjeti ka kaluar pa probleme dhe vihet re se në turn kanë qenë disa nga punonjës, të cilët kanë lejuar kamionin e parë me 8 ton kanabis në datë 5 shkurt. Sipas Prokurorisë, Porti dhe Dogana e Durrësit nuk kanë ushtruar kontroll mbi mjetin, i cili më pas u pikas nga policia italiane se në të kishte lëndë narkotike. Prokuroria bën të ditur se, edhe në këtë rast ka pasur një formë bashkëpunimi mes doganierëve dhe Policisë së Portit në Durrës për të lejuar kalimin e drogës.

Laboratori i drogës në Shkozë, Gjykata liron 9 të arrestuarit

Lirohen 9 të arrestuarit për laboratorin e drogës që u zbulua pas hetimeve të Prokurorisë në Shkozë të Tiranës. Gjatë operacionit u arrestuan 10 persona, por vetëm njëri prej tyre mbeti në burg, 9 të tjerët lanë qelitë, pasi rezultoi se nuk kishin lidhje me kultivimin e hashashit brenda tunelit të ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë.
Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë liroi nga burgu 9 nga 10 të arrestuarit e dyshuar për përfshirjen në kultivimin e lëndëve narkotike brenda tunelit të ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë.
Gjyqtari Artan Lazaj, vendosi të mbajë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” vetëm për 59-vjeçarin Gerald Bilimani, i dyshuari i vetëm për laboratorin e kultivimit të hashashit në Shkozë. Në vendimin e arrestit, thuhet se Bilimani është personi që ka marrë me qira ambientet e tunelit në ish-Uzinën e Traktorëve ku u gjetën pajisje për kultivimin e hashashit në ambiente të mbyllura.
59-vjeçari nuk ka treguar për aktivitetin e tij të paligjshëm, që për Prokurorinë, së bashku me punëtorë të tjerë, të cilët i paguante me shuma të ndryshme, ai kultivonte prej vitesh hashash. Prokuroria dyshon se, transportin e hashashit nga tuneli drejt ambienteve të tjera, Bilimani e kryente me ambulancën e spitalit ku ishte punësuar si shofer. Burimet thonë se, hetuesit po punojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e Gerald Bilimanit në kultivimin e hashashit brenda tunelit në Shkozë.
Ndërkohë me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata i caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dy rojeve të shoqërisë private, Arjan Kara dhe Ramazan Losha, të cilët ishin punësuar për ruajtjen e ambienteve të dy tuneleve që ndodheshin në atë zonë.
Nga ana tjetër me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata urdhëroi lirimin nga qelia të 7 të dyshuarve të tjerë, të cilëve ju caktua masa e sigurisë “detyrim për paraqitjeje”. Sipas Prokurorisë, nuk është gjetur asnjë provë që 7 të dyshuarit e liruar, kanë lidhje me aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të hashashit. Për hetuesit, pronari i tunelit Hazmi Parllaku prej tre vitesh e kishte dhënë me qira ambientet brenda tunelit dhe nuk kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm që kryhej.
Edhe i dyshuari Gjergj Duro dhe i biri i tij, Kristi Duro u liruan, pasi nuk kishin lidhje me tunelin ku ishte ngritur laboratori i drogës. Nga Gjykata u lirua edhe faturisti i OSHEE-së Robert Minoni me arsyetimin se nuk kishte dijeni për ngritjen e aktivitetit të tillë, pasi vetë ai lexonte vetëm për energjinë e konsumuar. Edhe personat e tjerë që u liruan, sipas akuzës, nuk kanë lidhje me laboratorin e drogës, duke shfryrë kështu operacionin e policisë për zbulimin e laboratorit dhe arrestimin e 10 personave, ku 9 prej tyre lanë qelitë e paraburgimit. Në tunel, thonë burimet, u gjetën disa pajisje që kultivonin lëndë narkotike, 46 kg hashash, 1375 kubikë me kanabis sativa dhe 205 rrënjë hashashi.

R.POLISI

Exit mobile version