Luan Rama: Zgjedhjet me opozitën, kusht jetik

Luan Rama përcolli disa mesazhe të forta dje në një deklaratë të posaçme për mediat nga selia qendrore e LSI. Në cilësinë e nënkryetarit të LSI, Luan Rama kërkoi dje uljen e palëve në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai bëri thirrje për shmangie të marrëzisë politike, i kërkoi mazhorancës të angazhohet për të garantuar krijimin e besimit tek zgjedhjet si dhe theksoi rëndësinë e dialogut me opozitën dhe përfshirjen e domosdoshme të opozitës në zgjedhje.
“Problemi i madh në këtë vend janë zgjedhjet. Dhe detyrimi i madh që ka padyshim e gjithë klasa politike, por veçanërisht detyrimi i madh që ka mazhoranca, për shkak të përgjegjësive që ka si mazhorancë e votuar nga sovrani për të qeverisur dhe për të realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e opozitës në zgjedhje, si një domosdoshmëri, si një kusht jetik i rëndësishëm, si një vlerë e një shoqërie të matur dhe të pjekur demokratike, pra për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje” u shpreh Luan Rama.
Luan Rama tha se për LSI zgjedhjet janë të parat, e më pas vijnë çështjet e koalicionit. Jo pa qëllim, Luan Rama nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse LSI do të nënshkruajë apo jo marrëveshjen e re politike me PS, ndërsa vuri theksin tek angazhimi së pari i të gjitha palëve për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Për të realizuar më në fund Shqipëria pas 27 vitesh një sagë problematike dhe shqetësuese me zgjedhje gjithnjë të kontestuara, zgjedhje sipas standardeve, zgjedhje të lira e të barabarta, transparente dhe ku secili aktor politik në garë të ketë mundësi të konkurrojë dhe të shpalosë alternativën e vet. Ajo çfarë duhet të bëjë politika në këto raste është t’i largohemi marrëzisë dhe t’i thërrasim arsyes dhe përgjegjësisë. Përgjegjësisë për të realizuar zgjedhje, edhe një herë e përsëris, sipas standardeve, zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, zgjedhje ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë. Ky është problemi i madh dhe Lëvizja Socialiste për Integrim gjithnjë ka apeluar, do ta vazhdojë ta apelojë dhe të ushtrojë të gjithë presionin e vet pozitiv dhe të japë të gjithë kontributin e vet për të realizuar dialogun e munguar dhe për t’u sjellë zgjidhjen që të gjithë e presin. Pra, zgjidhjen që vjen pas krijimit të bindjes dhe të besimit që zgjedhjet do të jenë të ndershme, të lira dhe të barabarta”.
Ai tha se koalicioni me PS është një çështje që “nuk mund të jetë parësore në raport me zgjedhjet e lira, të ndershme, transparente, demokratike dhe sipas standardeve, më lejoni t’ju them edhe një herë, zgjedhjet janë të parat dhe ne jemi të angazhuar e ftojmë të gjitha partitë politike, në mënyrë të veçantë ato parlamentare, të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkon ky moment i rëndësishëm për fatet e vendit”.

Rama-Gabrie: I njëanshëm dhe i padobishëm

Luan Rama ka reaguar në lidhje me deklaratat e dy ditëve më parë të ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel sipas të cilit zgjedhjet e lira në Shqipëri në kushtet aktuale nuk janë të rrezikuara. Luan Rama i cilësoi deklaratat e ministrit gjerman si të njëanshme dhe të padobishme për aq kohë sa këto deklarata nuk ishin aspak të balancuara. “Qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara dhe konstruktive. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, problemi është krijuar për shkak të papërgjegjshmërisë politike të shqiptarëve dhe zgjidhja duhet të vijë nga dominimi i arsyes dhe i vetëdijes që interesat e vendit janë prioritare dhe për t’u shmangur edhe një herë e theksoj, marrëzisë. Boll kosto kanë krijuar në këtë vend për qytetarët shqiptarë, por edhe për tërë procesin e integrimit të Shqipërisë, marrëzitë politike. Ka ardhur koha e përgjegjësisë politike dhe e arsyetimit mbi bazën e prioritetit që merr interesi i vendit dhe interesi i qytetarëve shqiptarë. LSI e ka bërë të qartë dhe ju mos prisni që unë të them sot, sepse nuk do ta dëgjoni asnjëherë, që interesi i LSI-së apo interesi i koalicionit është më i rëndësishëm se sa interesi i Shqipërisë. Është imperativ, është urgjent, është e rëndësishme ulja në tryezën e dialogut dhe gjetja e zgjidhjes për të realizuar zgjedhje në të mirë të interesit të qytetarëve shqiptarë”, tha Luan Rama.

Exit mobile version