Prokuroria urdhëron arrestimin e oficerit të policisë në Tiranë

Me kërkesë të Prokurorisë së Krujës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Lumian Meta, me detyrë oficer i patrullës policore të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Përndjekjes” në dëm të ish-të dashurës së tij, shtetases S.B., gjithashtu efektive policie në Komisariatin e Krujës. Vendimi i gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.
Prokuroria e Krujës e ka nisur hetimin në bazë të materialit referues të Shërbimit për Çështje të Brendshme në datë 14.06.2016. Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën. Për këtë arsye, ai e ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i dyshuari dhe e dëmtuara kanë nisur lidhje dashurore në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë. Kjo lidhje ka vijuar deri në janar 2016. Në këtë kohë, e dëmtuara S.B., ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se, sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike. Prej janarit 2016 e në vijim, i dyshuari e ka përndjekur, dhunuar dhe kërcënuar në mënyrë sistematike, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte. E dëmtuara nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish-i dashuri. Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj të dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë.

Exit mobile version