Këshilli i BE-së e ka miratuar të martën vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it, i ka thënë Radios “Evropa e Lirë”, Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini.
Ajo ka shtuar se Mogherini do i përgjigjet letrës tashmë të dërguar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel rreth kësaj teme.
“Përfaqësuesja e Lartë do t’i përgjigjet letrës së Presidentit Thaçi, ashtu siç ekziston tashmë praktika për këtë gjë; ndërkohë ne jemi duke e vazhduar punën me autoritetet e Kosovës me qëllim që të përfundojmë të gjitha përgatitjet për ripërtërirjen e mandatit të EULEX-it. Sa i përket procedurave të brendshme të BE-së, Këshilli e ka miratuar sot vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it”, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë”, Koçijançiç.
Zyrtarët e BE-së në Prishtinë, ndërkaq kanë vazhduar gjatë tërë ditës së djeshme bisedat me autoritetet në Prishtinë, përfshirë edhe me Presidentin Thaçi për zgjatjen e mandatit të EULEX-it.
Radio “Evropa e Lirë” mëson se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë kërkuar nga BE-ja që EULEX-i të mos hapë më raste të reja për çështjet që ndërlidhen me korrupsion dhe krim të organizuar dhe që të gjitha këto raste t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kjo është çështja për të cilën ende nuk është arritur një marrëveshje me zyrtarë të BE-së, në këtë rast me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Kuvendi i Kosovës që duhet ta ratifikojë letërkëmbimin ndërmjet Presidentit Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Mogherini, tash për tash nuk ka arritur të mblidhet megjithëse mandati i misionit përfundoi mesnatën e së martës, 14 qershor.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” përmes telefonit se nuk do të ketë seancë, ndërsa ka përmendur se po vazhdojnë negociatat për hartimin e projektligjit për këtë çështje.
“Sot nuk ka pasur dhe nuk do të ketë seancë, janë duke u zhvilluar biseda, duke u bërë analiza që të gjejmë variantin më të mirë të mundshëm. Normalisht ne jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Ne në fakt jemi të interesuar të thellojmë bashkëpunimin me BE-në”, ka thënë Grabovci.
Megjithatë, Radios “Evropa e Lirë” nga deputetë të tjerë të Kuvendit i është thënë se Parlamenti do të presë derisa të mos arrihet një pajtueshmëri në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së për zgjatjen e mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Ka gjasa që Kuvendi të mblidhet gjatë ditëve në vijim.
Misioni i BE në Kosovë, EULEX është ftuar nga autoritetet e Kosovës pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Mandati i tij ndërkaq u zgjat me një letërkëmbim të para dy viteve ndërmjet atëbotë Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të asaj kohe në BE, Catherine Ashton.
Misioni për sundimin e ligjit, deri tani e ka pasur të drejtë ekskluzive trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.