Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuritë e dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale.
SPAK sekuestron pasuritë e organizatës kriminale në qytetin e Elbasanit
Prokuroria e Posaçme përmes njoftimeve të publikuar më 01.08.2024 dhe 21.01.2025 informoi mbi procedim penal të një organizate kriminale, e cila e kishte bazën në qytetin e Elbasanit dhe drejtohej nga vëllëzërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, që dyshohet se janë produkt i veprës penale.
Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme.
Më datë 18.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 115, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur ‘’sekuestro preventive’’ për operatorin ekonomik “S….. FARM” (me aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj), si dhe për godinën dhe tokën, në sipërfaqen e të cilës ky operator ekonomik ushtron aktivitetin, konkretisht, pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, Tiranë.
Pasuritë e sekuestruara:
- Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”);
- Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.
- Oborri (hapsira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm;
- Dhomë shërbimi jashtë restorantit;
- Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.
Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “S. FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit P.L., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- Shuma monetare në valutë euro 2940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet)
- Shuma monetare në monedhë Lekë (ALL), në total 203,000.00 (dyqind e tre mijë)
- Orë dore, marka Rolex
- 1(një) varëse floriri, me pllakë në dukje me përbërje floriri, pas të cilës është gdhendur data 29.09.2022, ndërsa në pjesën e përparme janë të vendosura dhe 3 (tre) gurë të çmuar, në dukje diamante;
- 4 (katër) telefona;
- Etj