Propaganda e Moskës nuk duhet të ngjallë frikë

Dy raporte mbi aktivitetet ruse në rrjetet sociale në vitin 2016 demonstrojnë se influenca e tyre mbi opinionin publik amerikan ka qenë e kufizuar. E majta duhet ta ketë parasysh

Botimi i dy raporteve lidhur me zgjedhjet presidenciale të 2016 ka shkaktuar një valë të re paniku mbi tentativat e Rusisë për ta manipuluar opinionin publik amerikan nëpërmjet rrjeteve sociale. Sipas gazetave,m troll-ët rusë duket se kanë penguar votën e afroamerikanëve, “duke mbjellur panik” dhe “ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve” me njoftime publicitare të instrumentave erotikë dhe Pokémon Go. “Të dy studimet”, ka shkruar David Ignatius në “Washington Post”, “përshkruajnë një tentativë të Rusisë, e përpunuar dhe në shumë nivele, për të përdorur çdo instrument të shoqërisë tonë të hapur për të krijuar mëri dhe trazirë sociale”. Sipas Michelle Goldberg të “New York Times”, “është gjithnjë e më evidente” se dezinformimi i realizuar nga Rusia “ka ndryshuar rrjedhën e historisë amerikane” në zgjedhjet presidenciale e 2016, ku “është e lehtë që troll-ët rusë të kenë pasur një rol vendimtar”. Të komisionuara nga Senati amerikan dhe të realizuar nga qendra kërkimore për propagandën e Oxford University dhe nga “New Knowledge”, një kompani që merret me sigurinë në internet, raportet ofrojnë një kuadër komplet të aktivitetit rus në rrjetet sociale. Autorët analizojnë punën e Internet Research Agency (IRA), kompanisë ruse të specializuar në prodhimin e përmbajtjeve virale online, që ka përfunduar në shënjestrën e Prokurorit Special Robert Mueller në shkurtin e 2018. Nga leximi i raporteve është jashtëzakonisht e vështirë të pajtosh të dhënat e tyre më konkluzionet dramatike në të cilat kanë arritur gazetat amerikane.
Aspekti më befasues është se lidhja midis aktivitetit rus në rrjetet sociale dhe fushatës elektorale presidenciale të 2016 është shumë e dobët. Raporti i “New Knowledge” pranon se vlerësimi i përmbajtjeve të IRA-s “vetëm në bazë të mundësisë që kanë influencuar zgjedhjet është një qasje e limituar”, pasi “përmbajtjet eksplicite politike i korrespondojnë një përqindjeje minimale të totalit”. Për saktësi, thuajse “11% e përmbajtjeve” të atribuara IRA-s dhe 33% e përgjigjeve të përdoruesve ishte e “lidhur me zgjedhjet”. Përmbajtjet e IRA-s “kishin të bënin në pjesë minimale me kandidatët në zgjedhje: 6% e tweet-eve, 18% e postimeve në Instagram dhe 7% e ndërhyrjeve në Facebook përmbanin emrat “Trump” apo “Clinton””.

Hulumtuesit theksojnë se “shtrirja e operacionit rus është e paprecedent”, por e bazojnë këtë konkluzion në të dhëna të diskutueshme. Studimet përkrahin tezën sipas së cilës postimet ruse kanë “arritur 126 milion persona në Facebook”, por është një konkluzion i bazuar mbi vlerësime të vetë rrjetit social. “Vlerësimi ynë më i saktë”, ka thënë Colin Stretch, drejtues i Facebook, përpara Kongresit amerikan në tetorin e 2017, “është se rreth 126 milion persona mund të jenë arritur nga një prej përmbajtjeve të prodhuara nga IRA midis viteve 2015 e 2017”. Por Stretch ka saktësuar se postimet e gjeneruara nga profilet e dyshuara ruse dhe të shfaqura në Facebook qenë “1 çdo 23000”.
Një tjetër element që e redukton influencën ruse mbi votuesit amerikanë ka të bëjë me paratë e shpenzuara. Studimi i Oxford University e vlerëson shpenzimin e IRA-s në periudhën midis viteve 2015 e 2017 në rreth 73711 dollarë për aktivitete në Facebook. Siç është e njohur, rreth 46000 dollarë janë shpenzuar për njoftime në Facebook lidhur me Rusinë përpara zgjedhjeve të 2016. Shifra përfaqëson 0.05% të 81 milion dollarëve të shpenzuar në Facebook nga komitetet elektorale të Clinton dhe Trump. Hulumtuesit theksojnë se IRA kishte “një buxhet më të madh se 25 milion dollarë për ta manipuluar diskursin politik amerikan”, por ky vlerësim lind nga një gabim i përsëritur, domethënë konfuzioni midis shpenzimeve të IRA-s kushtuar aktiviteteve në Shtetet e Bashkuara dhe buxhetit të përgjithshëm të organizatës, që përfshin aktivitete në rrjete sociale drejtuar Rusisë.
Një tjetër element ka të bëjë me cilësinë e përmbajtjeve të prodhuara nga IRA. Postimi më i ndarë në Facebook në pritje të zgjedhjeve ishte një karikaturë që paraqiste Yosemite Sam, personazhin e armatosur të Looney Tunes. Në Instagram imazhi me suksesin më të madh ftonte përdoruesit që të bënin “like” nëqoftëse besonin tek Jezùsi. Postimi i IRA-s ku citohej Hillary Clinton që ka pasur suksesin më të madh në Facebook ishte një tiradë e gjatë komplotiste lidhur me mashtrimet elektorale. Është domethënëse që personat e bindur se ndërhyrja ruse ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve nuk e citojnë asnjëherë postimin në fjalë. Përmbajtja reale e këtij postimi e sqaron se pse.

Larg nga të zbulimi i një fushatë komplekse propagandistike, raportet japin prova të faktit që rusët kanë avancuar në fakt një operacion të bazuar mbi clickbait-et (krijimin e përmbajtjeve funksioni kryesor i të cilave është tërheqja e numrit më të madh të mundshëm të përdoruesve), duke vënë në shënjestër kategori të përcaktuara mirë si afroamerikanët apo votuesit e besimit evangjelist për të kërkuar arritjen e një publiku të gjerë për qëllime komerciale. Në ankesën me të cilën ka çuar në gjykim IRA-n, Mueller zbulon se agjencia ka shitur “promocione dhe njoftime publicitare” në faqet e saj me çmimin e 25 – 50 dollarëve. “Kjo strategji”, nënvizon studimi i Oxford University, “nuk përfaqëson një ndërhyrje sekrete për qëllime politike, por është koherente me teknikat e përdorura në marketingun dixhital”. Studimi i “New Knowledge” nënvizon se IRA ka shitur edhe produkte se “ndoshta i kanë siguruar agjencisë një burim të ardhurash”, si bluza, “lodra erotike për komunitetin LGBT dhe kuadro që paraqisnin sidomos pamje me sfond patriotik”.
Duke u bazuar mbi këto të dhëna mund të përshkruhet aktiviteti rus në rrjetet sociale më 2016 si një fushatë që ka pasur një impakt minimal, e kufizuar në përfshirje e në shpenzime dhe e bërë me përmbajtje të nivelit të ulët. Kjo konsideratë na çon në një konkluzion të pashmangshëm, i ndodhur edhe në studimin e “New Knowledge”: “Vëmendja për zgjedhjet ka përfaqësuar një aspekt dytësor të operacionit”.
Hulumtuesit e quajnë këtë tezë të “saktë”, por nënvizojnë se megjithatë “injoron sfumaturat dhe meriton kontekstualizim më të madh”. Me siguri meriton një refleksion fakti që një operacion i këtij niveli në rrjetet sociale shitet si një kërcënim që mund të ketë vendosur presidencialet e 2016. Kjo na çon në konkluzionin se nuk kanë të bëjnë aspak as me aktivitetin rus në rrjetet sociale, as me efektin e supozuar të tij mbi votuesit.
Le të marrim tezën, shumë të përhapur, sipas së cilës postimet ruse kanë bërë që të ulet pjesëmarrja në votime e afroamerikanëve. Fakti që troll-ët rusë kanë kërkuar të mashtrojnë afroamerikanët dhe pakica të tjera sigurisht që është për t’u dënuar, ama nuk ka asnjë motiv të mendohet që ia kanë arritur me sukses. Megjithatë, është saktësisht ajo që kanë mbështetur shumë opinionistë. “Nëqoftëse marrim në konsideratë diferencën shumë të vogël me të cilën Trump ka fituar Michigan e Wisconsin dhe pjesëmarrjen e ulët e pakicave në të dy shtetet, tentative e rusëve për ta penguar votimin e disa kategorive mund të ketë qenë vendimtar”, ka komentuar David Axelrod, ish kosulenti i Obama.

Marrja në konsideratë seriozisht e kësaj mundësie do të thotë të shkosh kundër logjikës. E dimë falë “New York Times”. Pak ditë pas botimit të raportit të “New Knowledge”, gazeta ka zbuluar se kompania kishte bërë një “eksperiment sekret” në zgjedhjet për një vend në Senat në Alabama dhjetorin e 2017. Sipas një dokumenti të brendshëm, “New Knowledge” ka përdorur “shumë prej taktikave ruse që sot dimë se kanë influencuar zgjedhjet e 2016”, duke arritur të orkestrojë një operacion fals për të përhapur idenë se kandidati republican në këto zgjedhje, Roy Moore, ishte ndihmuar nga troll-ët rusë.
Sipas “New York Times”, projekti kishte një buxhet prej 100000 dollarësh, por ishte “ka mundësi tejet i kufizuar sa për të pasur një efekt konkret mbi zgjedhjet”. Një eksponent i Partisë Demokrate e ka ndarë këtë vlerësim, duke deklaruar se “ishte e pamundur që një operacion 100000 dollarësh të mund të kushtëzonte votën”. Zgjedhjet për Senat në Alabama kushtuan 51 milion dollarë. Nëqoftëse është e pamundur që një operacion 100000 dollarësh të ketë influencuar mbi një zgjedhje shtetërore, atëhere si mund të mendojmë se një operacion i së njëjtës shkallë (në mos më i vogël) nga ana e Rusisë mund të ketë influencuar një zgjedhje presidenciale 2.4 miliard dollarëshe?
Të përqëndruar mbi përmbajtje mezi të perceptueshme dhe pak të përpunuara do të thotë edhe të zhvlerësosh probleme shumë serioze. Siç ka nënvizuar gazetari Ari Berman, zgjedhjet e 2016 kanë qenë “gara e parë presidenciale në 50 vjet pa mbrojtjen e plotë të Voting Rights Act”, ligjit të miratuar më 1965 për të garantuar të drejtën e votës së afroamerikanëve, por pjesërisht i hedhur poshtë më 2013 nga Gjykata Supreme. Në vend që të këmbëngulet mbi mundësinë që votuesit e Perëndimit të Mesëm janë mashtruar nga rusët, duhen lexuar reportazhet e gazetarëve që kanë investiguar në terren, duke zbuluar se ato që i kanë shtyrë njerëzit të mos votojnë kanë qenë zhgënjimi politik, rrogat e bllokuara, pabarëzitë dhe brutaliteti i policisë.
Më shumë se dy vite nga zgjedhjet presidenciale, demokratët amerikanë duket se duan të shfrytëzojnë paniku mbi aktivitetet e Rusisë për ta spostuar vëmendjen nga gabimet e tyre. Robby Mook, ish konsulent elektoral i Hillary Clinton, ka lëshuar alarmin për primaret demokrate të 2020, duke pohuar se “rusët do të kërkojnë sërish që t’i përçajnë demokratët”. Kur në fillim të 2018 ka shpërthyer skandali lidhur me kompaninë “Cambridge Analytica” dhe kontributin e saj ndaj fushatës elektorale të Trump, Hillary Clinton ka deklaruar: “Si kanë arritur rusët t’ua dërgojnë mesazhet e tyre saktësisht votuesve të pavendosur në Wisconsin, Michigan dhe Pennsylvania?”. E vërteta është në këto shtete rusët kanë shpenzuar vetëm 3102 dollarë dhe pjesën më të madhe gjatë primareve për njoftime që në më të shumtën e rasteve nuk kishin të bënin me kandidatët, por me problemet sociale. Veç të tjerash, Wisconsin dhe Michigan janë dy prej shteteve që Clinton ka vendosur të mos i vizitojë asnjëherë në muajt e fundit të fushatës elektorale. Nuk ekzistojnë prova se dezinformimi i përhapur nga rusët ka pasur një impakt real mbi elektoratin amerikan. Të mbështesësh të kundërtën do të thotë të nxisësh frikën e një Kremlini që “mbjell mosdakordësinë” dhe të ushqesh një dizinformacion akoma edhe më të rrezikshëm.
(Aaron Maté për The Nation)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version