Mimoza Leskaj,
Peskara, Itali
Qofte edhe si firme apo emigrante. DONI ME SHUME, O NJEREZ! Udhëtimet mes shqiptarëve janë vërtet nga më të çuditshmet.
Nuk dëgjon asnjëherë të flitet për diçka të bukur, veçse për politikën. Jemi aq thellë brenda saj, sa harrojmë njerëzoren dhe egërsohemi në atë pikë sa mund të na bjerë damlllaja.
Skuqemi, zverdhemi e nxihemi sa thua se përballë nuk kemi njerëz me gjak, por ujqër që kërkojmë t’i shqyejmë dhe, ashtu të llangosur, të nxjerrim dhëmbët “fitimtarë”! Nuk besoj se ndodh në asnjë vend të botës të ulërasësh me zë të lartë sa edhe damarët e fryrë kërkojnë ndihmë dhe të mbrosh atë parti, atë politikan, apo x dhe y, në atë pikë të hallit sa një zot e di.
Politika dhe politikanët në çdo vend janë ideologji dhe njerëz, të cilët kanë për qëllim funksionin e shërbimit dhe të çuarjes përpara të mirëqënies së vendit dhe popullit, por jo përçarjes. Me ne shqiptarët ndodh krejt ndryshe!
Një natë, tek udhëtoja, asistova në një bisedë ku udhëtarët u ndanë në dy grupe, të djathtë e të majtë dhe biseda në fillim e qetë degjeneroi aq shumë sa kaloi në sharje, fyerje e grindje banale. Thuajse në çdo udhëtim të orëve të gjata, mes shqiptarëve nuk dëgjon gjë tjetër veçse politikë, e cila dhimbshëm të ndan, të izolon, të irriton dhe bëhet shkaktare e urrejtjes.
Në një nga udhëtimet e fundit, pas një përshëndetje, menjëherë biseda, e cila u duk miqësore, mes të tjerash, ndjeva neveri kur m’u drejtua gishti si e djathtë. A thua se kisha vrarë njeri? O zot, çfarë u ke bërë shqiptarëve?! Mos ua ke hequr trurin, dhembshurinë për njëri – tjetrin edhe larg atdheut ton t dashur?
I ke kthyer në një lukuni ujqërish, që s’dinë c’të bëjnë e nga të venë dhe ndihen mirë vetëm kur shqyejnë. – Komunizmin e kemi vuajtur të gjithë njëlloj, bërtiste zotëria para syve të mi. -Jo njëlloj, – mos e krahaso veten me ata njerëz që njohën kampet dhe burgjet, – i thashë. -Ti je e djathtë, – m’u përgjigj. – Zotëri, këtu nuk jam e djathtë, e majtë jo se jo , jam atdhetare, më dhemb gjer në palcë për vendin tim.
Ka një ndryshim të madh midis fjalëve. Ndoshta jam edhe e privilegjuar që kam lindur në Shijak, në një zonë ku nuk ndjeva gurë në kurriz, siç bënin me njerëzit e mi në Jug, ndaj dhe vuajtjen e vërtetë e pashë tek të afërmit e mi, por kjo nuk justifikon asgjë! E ndërkohë që zihemi me njëri- tjetrin, urrehemi vetëm se mendojmë ndryshe, ashtu si para 30 vjetësh.
Kacafytemi e përkulemi para një grusht njerëzish, që bën sikur shqetësohet e lodhet për ne, por na perdor e dhjamoset pa fund në kurrizin tuaj, o njerëz! Dashuria për njerezit është kthyer në urrejtje e ndarje të pështirosur që në fillimet e ’45-ës dhe që një zot i madh e di se kur do përfundojë!
E në vend që të duam njëri – tjetrin e ta shtrëngojmë fort, sepse dashuria do jetë i vetmi çelës që do mund të hapë dyert e një jete ndryshe, duke shporrur këtë klasë hajdutësh e maskarenjsh, që pasurohen e dhjamosen pa limite në kurrizin e një populli të lodhur, dhe fërkojnë barkun duke e përçarë gjithnjë e më shumë.
Një kurth ku të gjithë kemi rënë në grackë dhe, me sytë e shqyer e ngërdheshje, i buzëqeshim njëri – tjetrit me thikën fshehur pas shpinës. Ka aq shumë për të thënë, por më shumë për të bërë dhe, po ta fillojmë sejcili nga vetja, ndoshta një ditë do mund të fitojmë, duke kthyer sytë nga dashuria për veten, për fëmijët tanë, për të njohurin dhe panjohurin, për të ardhmen e vendit tonë.
Atë ç’ka quhet njerëzore për ecjen përpara dhe jo kthimin pas, atje ku ishim! Dashuria të bën të pasur, të bukur të mirqenshëm, të fortë dhe askush nuk të shkel dot me këmbë, sepse të duash je edhe më i prezantueshëm, qoftë edhe kur udhëtojmë.
Por të duash, tashmë është diçka e pa arrirë dhe po ne vetë e paguajmë shtrenjtë, shumë shtrenjtë! Për ne emigrantët, por edhe për ata që kemi lënë pas, partia jonë është Shqipëria demokratike dhe jo politika e propaganda mashtruese e dhunuese, që na ktheu n kavje eksperimentale për gjysëm shekulli!
Si poete më vijnë vetiu këto vargje: Diktaturë e thërrmuar, ku ciflat i gjen kudo Gërrvishtin shpirt e duar, në lotë të tharë Është pak t’them, moj e mallkuar, Sa zgjate, e sa gjurmë do lesh në kohë!