Sindikata e taksistëve ka dalë në protestë para Bashkisë si dhe kanë bllokuar rrugën me automjetet e tyre duke kërkuar ndalimin e informalitetit. Dhjetëra taksistë i kanë parkuar mjetet pranë pedonales. Ata kanë kërkuar të largohen taksitë e qyteteve të tjera pasi në këtë mënyrë po falimentojnë. Taksistët kanë kërkuar takim me kreun e bashkisë, Erion Veliaj për të diskutuar çështjen. “Të largohen taksitë e qyteteve të tjera. Stop informalitetit. Duam të takojmë Erion Veliaj”, kanë deklaruar ata.
Taksistët janë shprehur kundër ligjit për lejimin e taksive 6+1, pasi sipas tyre favorizon kompaninë. “Ky ligj ishte një dështim. Duke liberalizuar u futën shumë taksi, përveç 4+1 edhe 6+1. Në gjithë botën nuk ndodh kjo. Ne kemi ankesa ndaj këtij ligji që favorizon kompanitë dhe shkel kushtetutën. 1000 banorë një taksi. Kemi pjesën tjetër për biletën për prenotim-rezervim. Ne mund të shkojmë në Durrës me klientë por nëse kthehemi sërish me klientë na heqin licencën se nuk lejohet. Sot është fillimi por ne kemi probleme në të gjitha rrethet. I njëjti problem”, thanë taksistët.
Ata kërcënuan se nëse nuk marrin një zgjidhje do të bllokojnë të gjitha rrugët. “Protesta jonë do shtrihet edhe në rrugë të tjera dhe do bllokojmë qarkullimin. Informaliteti është në pikë të parë. Në Bulevardin Zogu i Parë ke 100 taksi pa licencë”, tha një taksist. Më pas ata janë lajmëruar se një përfaqësi e tyre do të pritet nga bashkia për të diskutuar çështjen.