Protestuesit përplasje me policinë në Kuvend

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë protestuan të enjten përpara godinës së Parlamentit, ku po diskutohej ligji i importit të mbetjeve dhe i kërkuan qeverisë të mos votojë ligjin që e cilësuan si “mafioz”. Përfshirja e ligjit të importit të mbetjeve në rendin e ditës në Parlament shkaktoi trazira jashtë godinës së seancave plenare të Kuvendit, ku dhjetëra qytetarë nga shoqëria civile dhe aktivistë mjedisorë i kërkuan deputetëve të mos e votojnë ligjin “shkatërrimtar për mjedisin dhe shëndetin”.
Aktivistët e hodhën poshtë iniciativën ligjore të Partisë Socialiste për importimin e mbetjeve duke e quajtur atë një veprim që lidhet ngushtë me interesat mafioze dhe që synon ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash. Protestuesit argumentuan se vendi ka një shkallë të lartë ndotjeje të shkaktuar nga paaftësia në menaxhimin e mbetjeve urbane kombëtare dhe i kërkuan deputetëve në Parlament të dëgjojnë zërin e tyre dhe të mos e votojnë ligjin e importit të mbetjeve. “Aleanca kundër Importit të Plehrave deklaron se lejimi i importit të plehrave që diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë është një akt tradhtie ndaj interesave të popullit shqiptar, një pabesi politike ndaj votuesve dhe një akt që synon ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash të Europës”, u shpreh AKIP në një deklaratë për shtyp.
Aktivistët janë përplasur me policinë në momentin që kanë tentuar të bllokojnë hyrjen e Parlamentit me një kazan plehrash, për të mos lejuar, siç thanë ata që deputetët të hyjnë brenda e të miratojnë ligjin “mafioz” siç e cilësojnë. “Boll plehra ka Shqipëria” dhe “Tradhtarët e popullit” ishin disa prej pankartave që mbanin në duar qytetarët për të kundërshtuar miratimin e këtij ligji. “Ndaj sollëm koshin e plehrave këtu, është qytetare dhe normale, të bashkohemi të gjithë. Policia të distancohet, të lejojë shoqërinë civile të bëjë këtë veprim qytetar”, tha Nikollaq Neranxi. Ndërsa një tjetër aktivist, u shpreh: “Le të vijë me biçikletë ministri, jo me makinën luksoze nëse duan të mos ndotin ambientin. Si të importojmë plehra kur nuk riciklojmë dot plehrat tona. Ky është akt mafioz. Ky Parlament i fëlliqur po vret të ardhmen e Shqipërisë”.
Një prej protestuesve deklaroi se iniciativa për importin e plehrave do të rrisë numrin e personave të sëmurë dhe numrin e vdekjeve në vend. Sipas tij, Rama i djeshëm që premtoi moslejimin e mbetjeve, është vetëm një mbetje e Ramës së sotëm. “Protesta qytetare sot është vetëm shenjë e dorëzimit qytetar, sepse nuk kemi çfarë të bëjmë më pr/ligji është miratuar, pritet të votohet sot. Të gjithë politikanët që kanë qenë në qeveri të gjithë kanë synuar për të futur plehrat në këtë vend. Një iniciativë që do të rrisë numrin e personave të sëmurë, numrin e vdekjeve në këtë vend. Por jo për prindërit e tyre, të afërmit e tyre, që nuk jetojnë në këtë vend, jetojnë në shtëpi të rrethuara, nëpër plazhe të rrethuara me gardh. Jemi përpara një momenti ku demokracia përfaqësuese ka dështuar. Rama i djeshëm që premtove moslejimin e mbetjeve, është vetëm një mbetje e Ramës së djeshëm. Referendumi mund të jetë një mundësi. Kjo do të varet nga nervi qytetar. Unë shoh që ka një dorëzim. Duhet të mbetet një reflektim i thellë për plehrat që na mbajnë pushtetin. Nuk ka më besim”, deklaroi protestuesi.
Sipas protestuesit, “amendamenti i LSI për monitorimin e importit nga aktivistë të Shoqërisë Civile, është pjesë e lojës dhe shakasë në këtë vend. Kjo është thjesht hi syve, është teknikisht e pamundur. Një organizatë e shoqërisë civile nuk mund të bëjë atë që nuk e bën dot shteti”.

Tradhtia më e madhe që po i bëhet popullit

Pjesë e kësaj proteste përveç qytetarëve janë bërë edhe gazetarët, ku ndër ta ishte edhe Edvin Parruca, gazetar i “News24”. Parruca e cilësoi tradhtinë më të madhe ndaj popullit shqiptar në lidhje me pr/ligjin për mbetjet. Ai theksoi se sot është shkelur i vetmi referendum dhe e drejtë që u vendos nga qytetarët dikur. Parruca i quajti deputetët tradhtarët më të mëdhenj të kombit. “Tradhtia më e madhe që po i bëhet popullit. Shqetësimi im që kam ardhur këtu lidhet me parim demokratik. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë fituan për herë të parë një referendum. U tha se do ta rregullojnë me VKM këtë çështje dhe ka ku jemi. U bë një shkelje. Ne bëmë moratorium gjuetie, e njëjta gjë edhe për mbetjet. Për sa veta bëhet kjo? Sa humbim ne? Për këto gjëra duhet dhënë përgjigje. Ishte i vetmi referendum që u kërkua. Kjo është tradhtia më e madhe, pasi populli për këtë çështje fitoi të drejtën që të vendosnin vetë. Referendumi është një zgjedhje. Kjo është një çështje që më prek, pasi po shkelet një e drejtë. Ata që janë aty brenda, janë tradhtarë të popullit. Ndaj, lërjani të drejtën popullit, siç e përcakton Kushtetuta”, tha Parruca.

Protestuesit:  Interesat klienteliste po shndërrojnë vendin në industri plehrash

Lavdosh Feruni: Nuk kanë rëndësi ndryshimet në amendament, janë të parëndësishme. Sa kohë lejojnë importin e mbetjeve në Shqipëri ai amendament, modifikimet, zbukurimet nuk kanë asnjë rëndësi. Plehrat do të vijnë në Shqipëri me maune, me anije nga të gjitha anët. Kjo mjafton për të reaguar. Amendamentet që do të ketë më pak pika doganore, kujdes më të madh, dalin nesër VKM të qeverisë se jo tani janë përmirësuar kushtet, nga 3 do i bëjmë 13, nga 20 do i bëjmë 40. Nuk kanë rëndësi këto gjëra. Në Shqipëri, në situatën që është vendi ka vetëm një alternativë, jo importit të plehrave. Nuk mundet njëkohësisht të importohen plehra dhe të menaxhohen plehrat e një vendi. Duhet të bllokohet rruga andej që të ketë mundësi të përmirësohet gjendja në vend. Protesta do të vijojë, njerëzit do të rezistojnë, do të rrinë këtu derisa sa të marrim njoftim nga Kuvendi. Shpresojmë shumë që të ketë refleksion dhe të dëgjohet populli. Me sondazhe 90% e popullit janë shprehur kundër importit të plehrave.
Protestuesi: “Ne importojmë plehra nga shumë shtete të botës, si nga Italia, Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe SHBA. Mua më vjen shumë keq që Europa tregohet shumë keq me vendin tonë, vendi ynë ka vlera. Ne duhet të vlerësojmë vlerat tona, fatkeqësi e madhe është që politikanët mendojnë vetëm për xhepat e tyre, për pasuritë e tyre, e shfrytëzojnë këtë vend vetëm të pasurohen dhe nuk e duan popullin e vet. Janë grumbulluar vitin që ka kaluar 661 firma, gati 1 milion qytetarë kanë votuar për të mos ardhur plehrat dhe nuk u përfill populli. Këta nuk e njohin popullit. I lutem popullit të mos shikojë më qeveritarët, të ngrihen këtu dhe ta mbajnë ambientin e Shqipërisë të pastër se kemi një vend aq të bukur, me aq diell sa gjithë shtetet e tjera të botës na kanë zili. Prandaj mos ta mbysim me plehra, se janë kthyer fushat në male me plehra. Shikoni në Elbasan çfarë mali plehrash ka. Shiko në Porto Romano, në të gjithë qytetet. Është kthyer në industri plehrash. Këta nuk bëjnë fabrika për zhvillimin e Shqipërisë që rinia të ketë dinjitet për të punuar në vende të mira. Ku e çojnë rininë, nëpër plehra. Turp të kenë”.
Protestues: Gjithçka po ndodh ka si arsye interesat klienteliste të qeverisë
Elvis Hoxha: Duhet të pyesni këta deputetë a jetojnë në këtë vend apo jo. A e kanë idenë këta njerëz se përpara se të votojnë importin e plehrave duhet të dinë përpara numrin e njerëzve të vdekur nga kanceri në këtë vend. Le të shkojnë një herë në spital. Është një numër i paparë. Nëse këta duan të dinë se çfarë ligji mund të ndërtojmë, dy të dhëna duhet të dinë: Sa deputetë kemi me dëshmi penale dhe sa njerëz vdesin nga kanceri. Atëherë do të marrin vesh këta se çfarë politike bëjnë. Nuk ka njeri me mendje në kokë që të jetë pro plehrave. Plehrat ku t’i heqin të gjithë, ne i kemi mbledhur nga të gjitha anët. Ku do të jetojmë ne? Mirë që këtë atdhe e kemi copëtuar, por dhe copat po i plehrojmë. Vetëm një ngushëllim kam, siç do të vdesim ne edhe këta do të vdesin. Xhipi dhe makina luksoze nuk e mban as radioaktivitetin dhe as toksikën, kështu që aty jemi të barabartë, përpara plehrave.

Exit mobile version