Pse 178 milionë eurot e Ramës për inceneratorët janë investim i kotë

Ky konstatim i Citizens Channel vjen pas konsultimit të Fletores Zyrtare nr.4 për vitin 2018 të botuar më 23 janar. Ndër të tjera aty pasqyrohet edhe një vendim që ka marrë Këshilli i Ministrave më datë 17.1.2018 “Për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratorët e vegjël me burime të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale”.
Që impiantet e incenerimit të jenë eficientë nga ana e prodhimit të energjisë elektrike së pari, fuqia kalorifike (sasia e nxehtësisë e çliruar pas djegies) e mbetjeve duhet të jetë e lartë.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet se, “llogaritja e fuqisë kalorifike të MNU-së është komplekse dhe mund të çojë në gabime të mëdha, nëse nuk kryhet në mënyrë korrekte”.
Llogaritja e fuqisë kalorifikë të mbetjve të ngurta urbane ka qenë objekti i një studimi të Universitetit Politeknik të Tiranës, që citohet në VKM. “Nga kjo llogaritje është gjetur që në vendin tonë përmbajtja energjetike është në shifrat 6500 deri 7100 (kJ/kg) ose në vlera bruto të 1.7 deri 2 kwh/kg të mbetjeve të ngurta”. Ndërsa rendimenti i gjenerimit të fuqisë të një inceneratori të mbetjeve të ngurta urbane varion nga 23-25%.

Faktorët që ndikojnë në cilësinë e mbetjeve janë përbërësit mercologjikë (mbetje organike, plastika, letër dhe kartonë, inerte etj.), përmbajtja e ujit (lagështia), përmbajtja e hirave dhe përmbajtja e fraksionit të djegshëm.
Sipas ekspertëve të mjedisit të qeverisë shqiptare “fraksioni organik i mbetjeve të ngurta urbane përbën mesatarisht 47.36% të mbetjeve në rang kombëtar dhe përmbajtja e lagështisë së fraksionit organik supozohet rreth 70%”.
Të dy këto faktorë bëjnë “që të ulet fuqia kalorifike e mbetjeve të ngurta urbane dhe të zvogëlohet sasia e energjisë që mund të përftohet prej tyre”, thuhet më tej në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Pra kur nuk garantohet fuqia kalorifike e mbetjeve që si pasojë mund të sjellë prodhimin e sasive të vogla të energjisë, përse do të ndërtohen inceneratorët?
Deri më tani janë konfirmuar tre të tillë: ai i Elbasanit (që ka filluar nga puna), ai i Fierit dhe inceneratori i Tiranës, që do të jetë edhe më i madhi. Ndërkohë në planet e qeverisë shqiptare janë gjithsej 6 inceneratorë.

Nga një analizë e bërë nga Ministria e Mjedisit, në VKM theksohet se “më shumë prioritet kanë qarqet si Tirana me gjenerim të mbetjeve deri në 310 mijë tonë/vit, Durrësi me 210 mijë, Elbasani me 110 mijë, Fieri me 190 mijë tonë/vit etj”.
Duke analizuar sasinë e mbetjeve të ngurta urbane të depozituara dhe atyre që mund të gjenerohen, supozohet se “ka mundësi reale që për një periudhë 12-15-vjeçare të arrihet në asgjësimin zinxhir të mbetjeve të biodegradueshme në nivel qarku”.
Pra në një periudhë 12-15-vjeçare inceneratorët e planifikuar do të asgjësojnë të gjithë mbetjet e depozituara deri më tani dhe ato që do të gjenerohen në vitet në vijim. Po më pas ku do të gjendet lënda e parë për të mbajtur në punë inceneratorët?
Në VKM-në e miratuar më 17 janar theksohet se “jeta ekonomike e impianteve të incenerimit të MNU-së (mbetje të ngurta urbane) me rikuperim energjie përgjithësisht supozohet 20-25 vjet”. Pra, pas kësaj periudhe impiantet e incenerimit nuk janë më rentabël nga ana ekonomike.
Duke u nisur nga ky konstatim, përse qeveria shqiptare investion miliona euro në një teknologji, e cila i ka ditët e numërura, kur mund të investohet në impiante moderne riciklimi, të cilët mund të jenë më jetëgjatë?

Europa i riciklon, Shqipëria u vë zjarrin

Në interpelancën e datës 15 shkurt ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaronte se, “incenerimi është forma më moderne e trajtimit të mbetjeve”, duke përmendur shembujt e Danimarkës dhe Gjermanisë.
Edhe në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave thuhet se, “instalime të kësaj natyre janë mjaft të përhapura në Evropë dhe sot, me teknologjinë waste-to-energy (nga mbetje në energji), si një teknologji asgjësimi me prodhim energjie nga burime të rinovueshme për pjesën e biodegradueshme të mbetjeve të ngurta industriale, urbane dhe rurale po zgjidhet problemi i zënies së tokës nga landfill-et”.
Por duke se ekspertët e mjedisit pranë qeverisë shqiptare i referohen një tjetër Europe dhe jo asaj aktuale. Më datë 23 shkurt 2018 Bashkimi Europian arriti një marrveshje paraprake për katër propozimet legjislative të paketës së mbetjeve që u miratua në Parlamentin Europian më 18 dhjetor 2017. Me anë të kësaj marrëveshjeje i jepet më shumë rëndësi riciklimit dhe krijimit të një ekonomie qarkulluese dhe jo incenerimit siç pretendojnë autoritetet shqiptare.
Po në interpelancën e 15-të shkurtit, ministri Damian Gjiknuri deklaronte se Shqipëria riciklon vetëm 15% të mbetjeve. Ndërsa vendet e unionit europian i kanë vënë qëllim vetes që deri në 2025 të riciklojnë 55% të mbetjeve urbane, në 2030 të riciklojnë 60% dhe në 2035 të riciklojnë 65% të mbetjeve urbane. /Citizens Channel

 

Exit mobile version