Pse Basha dhe Republika e re?

Dr. Fatmir Terziu

Me idenë e Lulzim Bashës për një Republikë të re, nënkuptojmë një shoqëri që i dëgjon qytetarët e saj, por dhe që i beson qytetarëve të saj. Ndaj një preambulë e tillë të shpie që në krye të herës tek përgjigjja pse Basha dhe Republika e re. Duke shkuar në detaje dhe në arsyet e shpjegueshme, na vjen në ndihmë Frank Furedi, që është sociolog dhe komentator i njohur britanik, kur thotë se kjo diktohet nga idetë e kapshme dhe nga pavarësia morale, që sipas tij “pavarësia morale mund të lulëzojë vetëm në një shoqëri që i beson qytetarëve të saj”. Libri i tij i fundit, “Çfarë ka ndodhur me universitetin?: Një hulumtim sociologjik i infantilizimit të tij”, është botuar nga Routledge dhe ndalet mjaft në pika të ngjashme. Kjo ndihmë sjell në pah kuptimin se shoqëria bashkëkohore, përfshirë dhe shoqërinë e sotme shqiptare, ka një marrëdhënie paradoksale me idealet e autonomisë njerëzore dhe vetëvendosjes. Sipas Furedit “Këto koncepte mbështeten retorikisht si vlera që janë thelbësore për demokracinë liberale”. Por në këtë pikë retorika e Bashës, ngjan si një aspekt i prakticizmit, të prekshmes dhe dëgjimit në terren të masës së gjerë, vlerësimit të arsyes dhe mbi bazë të saj, konkludim të saktë të asaj që lidh vetë forcën në angazhim njerëzor dhe intelektual. Kjo duket në tërë angazhimin e tij dhe pse në fakt ky angazhim më shumë se një autonomi morale ka hyrë në darën e kritikës.
Sot, si në të kaluarën, autonomia, po aq dhe termi i Bashës Republika e re, në këtë kënd, kritikohen nga një pikëpamje elitiste dhe paternaliste që këmbëngul që njerëzit nuk kanë kapacitetin, kohën, burimet apo mundësitë e nevojshme për vetëvendosje dhe ndikimi i tjetrit është i jovëmendshëm, jo determinant. Kritikët e tillë tregojnë fuqinë e medias, ndikimin e shoqërisë së konsumit apo përhapjen e ideologjive për të argumentuar se njerëzit e zakonshëm janë shumë të tronditur nga këto forca për të menduar për veten e tyre dhe për të vepruar në përputhje me interesat e tyre, më së shumti janë në darën e kreut apo të një force diktati. Në një formë apo në një tjetër, këto argumente të paligjshme kundër tërë terminologjisë dhe veprimit aktiv të Bashës, janë drejtuar tek të ndjeshmit e shkolluar që nga koha e daljes së vetë Bashës me këtë lëvizje dhe janë shtuar me daljen e listave për kandidatët e PD-së. Në lëvizjen Basha, ku refleksioni vjen me frymën e re, me termin Republika e re, ideja e tij lidhet historikisht me kërkimin për të shprehur dhe dhënë kuptim për zhvillimin njerëzor dhe potencialin. Përmes shekujve, ky kërkim çoi në kristalizimin e konceptimit të Iluminizmit të personalitetit – idenë se personi realizohet nëpërmjet ushtrimit të agjencisë personale dhe autonomisë. Autonomia kuptohet si shprehje e vetes tonë personale, subjektive, individuale.
Që nga grekët e lashtë, zhvillimi i vlerës së lirisë ishte i lidhur ngushtë me përpjekjen për të formuluar një ideal të vetëqeverisjes. Gjatë shekujve, kjo kërkesë për vetëvendosje çoi në bindjen se veprimi dhe sjellja njerëzore nuk janë përcaktuar tërësisht nga forca jashtë individit. Nga shekulli i 18-të, një pikëpamje optimiste e personalitetit u bashkua me një pikëpamje morale që pohonte se ushtrimi i autonomisë – i individëve që bënë zgjedhje – ishte parakushti për lulëzimin e njerëzimit. Dhe në tërë këtë dimension vetë lëvizja e Bashës apo dhe dalja e listave përmes një site duke synuar sa më shumë forcë të re, tregon se zhvillimi dhe progresi konsiderohen si atribute të një personi që angazhohet me botën, që tregohet qartë dhe ndjeshëm si një individ aktiv, arsyetues dhe i ndërgjegjshëm. Etimologjia e kësaj fjale – autos (vetja) dhe nomos (sundimi ose ligji) – përcjell kuptimin e vetëkontrollit. Termi përdorej për herë të parë në mjedisin politik të qytetërimit të hershëm grek dhe nënkupton: Sipas një llogarie, një qytet kishte autonomi kur qytetarët e tij bënin ligjet e tyre, në vend që të ishin nën kontrollin e disa uzurpatorëve uzurpues.
Ky koncept i rëndësishëm i zhvilluar nga grekët fitoi një dimension më imponues me zhvillimin e një filozofie morale të bazuar në racionalizëm në shekullin e 18-të. Kjo filozofi përpunoi një moral që bazohet në vetëqeverisjen me vetë forcën e njerëzve, duke njohur fuqinë transformuese të arsyes. Mbi bazën e këtij koncepti shihet qartë në tërësinë e kësaj fushate, por dhe më herët në qasjen e lëvizjes Basha dhe ndjesia e qartësimit të vetë Republika e re. Përmes ushtrimit të kësaj arsyeje, njerëzit mund të zhvillojnë personalitetin e tyre duke marrë përgjegjësinë për jetën e tyre. Kultivimi i Republika e re kërkon që njerëzit të jenë të lirë të mendojnë dhe të vijnë në përfundimet e tyre për pikëpamjet dhe opinionet që dëgjojnë. Filozofi amerikan, juristi dhe dijetari i së drejtës kushtetuese të Shteteve të Bashkuara, Ronald Myles Dworkin, na ka dhënë një testament të qartë dhe të dukshëm kur arsyetoi që herët se, “Qeveria fyen qytetarët e saj dhe mohon përgjegjësinë e tyre morale kur dekreton se nuk mund t’i besohet, aq më shumë të dëgjojnë mendimet që mund t’i bindin ata, për bindje të rrezikshme ose fyese. Ne e mbajmë dinjitetin tonë, si individë, vetëm duke këmbëngulur që askush – asnjë zyrtar dhe jo shumicë – të ketë të drejtën të refuzojë një opinion nga ne, me arsyetimin se nuk jemi të aftë ta dëgjojmë dhe ta konsiderojmë atë”.
Ndaj Basha ka diktuar qartë në të gjitha takimet e tij të kësaj fushate se duke reflektuar lirisht në mendime dhe duke vendosur për veten tonë, se çfarë është e mirë dhe e keqe, mësojmë të sillemi si qytetarë të përgjegjshëm dhe të pavarur. Dhe mendimi është i pjekur dhe i duhur, akoma më shumë në këto momente kur debatet janë agravuar. Sidoqoftë në tërësinë e ideve të Bashës, njerëzit jo vetëm që krijojnë mendimet e tyre, por edhe ndikojnë në pikëpamjet e të tjerëve. Ndaj Furedi jo më kot shton se, “Ushtrimi i përgjegjësisë morale në këtë mënyrë ka një dimension aktiv në aq sa ne përpiqemi t’i komunikojmë pikëpamjet tona bashkëqytetarëve tanë. Dhe sipas Bashës ushtrimi i tërësisë së Republikës së re kërkon që njerëzit të jenë vetë, të veprojnë në përputhje me prirjet dhe shijet e tyre dhe të ndjehen të lirë të miratojnë një mënyrë jetese, që u lejon atyre të shprehin personalitetin e tyre. Siç deklaron Dworkin, “qytetarët kanë aq shumë të drejtë të kontribuojnë në formimin e klimës morale ose estetike ashtu sikurse ata kanë të drejtë për të marrë pjesë në politikë”. Kjo është baza më e avancuar që një lider politik shqiptar, me një vizion të gjerë ka prurë në mesin e shoqërisë së sotme shqiptare, jo thjesht si politikë e për politikë, por për një mbështetje të gjerë masive dhe pse jo intelektuale. Kjo e projektuar dhe e zbatuar mirë sjell fitoren absolute.

Exit mobile version