Pse Britania përforcoi thirrjen për non-gratën!

Nga Ermal Peçi

Prej disa ditësh në media kanë filluar të bien daullet e Rithemelimit dhe po trumpetohen me të madhe, ndryshimet statutore përmes së cilave do t’i hapet rrugë shkrirjes së akujve midis Rithemelimit edhe grupit të Bardhit. Tashmë kjo gjë do bëhet dejure se defalto ata kanë qenë bashkë që para 14 majit, por për arsye strategjie sepse kështu i ka interesuar ky bashkim Berishës, po ndodh në këto momente.

Si politikan i skemave brenda partisë së vet, ai që luftonte për votën e lirë, nuk po lejon grupin e tij të Rithemelimit të votojë për Bardhin edhe Gjekmarkajn për nënkryetar të Rithemelimit, por edhe deputetë të tjerë që do të bëhen pjesë e kryesisë. Do të votojnë për ndryshimet statutore, por jo për personat edhe këtu është hileja që fsheh Berisha, sepse ai i frikësohet një rebelimi brenda grupit të Rithemelimit të cilët kanë folur hapur që ky bashkim nuk po bëhet mbi arsye parimore, por gjithashtu po marrin poste të pamerituara personazhe politike që në terren nuk kanë asnjë votë personale.

Ndërkohë media zien nga lajmet e bashkimit, në emisionin e pasdites në Abc News, ambasadori i Britanisë së Madhe Alastair King Smith përforcoi thirrjen që nuk ka bashkëpunim me non-grata. Përforcimi i kësaj thirrje vjen në këto momente kur grupi i Bardhit po pranon me vetëdije rreshtimin nën urdhrat e Sali Berishës, i cili është i sanksionuar non-grata nga SHBA-ja edhe Britani e Madhe. Për t’i rikujtuar këtij grupi që ndarja apo diviza në PD nuk u bë për çështje numrash apo lëvizje pragmatiste brenda së djathtës shqiptare, por një ndarje politike të cilën nuk e zhbën dot asnjë bashkim mekanik apo formulë magjike që mund ta shpikin për t’i hedhur hi opinionit publik.

Ndarja në PD është plotësisht politike edhe ideologjike, je pro apo kundër non-gratës, je pro apo kundër SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtar, je pro apo kundër drejtësisë. E në këto diviza që po përballet politika shqiptare, duket hapur që grupi i Bardhit e bëri zgjedhjen e vet, të strehohet te Berisha për interesat e tyre personale, por jo për t’i dhënë një zgjidhje qytetarëve apo Shqipërisë. Se pavarësisht çfarë luhet në prapaskenat e politikës edhe arsyeve pragmatiste të deputetëve demokrat, ndërkombëtarët në asnjë moment nuk po e ndryshojnë qëndrimin për Berishën, por vetëm po e përforcojnë thirrjen që nuk do të bashkëpunojnë kurrë me një non-grata./dritare.net

Exit mobile version