Emisioni Fiks-Fare solli problematikën e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës të cilët sipas VKM-së 386, të Qershorit 2022, do merrnin pagesë si studentë të degëve prioritare, por nuk po e marrin.
Në VKM thuhet se të gjithë studentët që do të zgjedhin degët prioritare do të përfitojnë bursë sa paga minimale, ndërsa nuk do të ketë kriter mesatareje. Ky vendim i Këshillit të Ministrave është publikuar në faqen zyrtare, ndërsa në listë janë shtuar edhe disa degë të tjerë prioritare, siç janë arsimi parashkollor dhe ai fillor.
Po ashtu janë shtuar edhe degët, Histori-Gjeografi, Inxhinieri matematike, Inxhinieri fizike, Inxhinieri e naftës dhe gazit, si edhe zootekni dhe siguria e produkteve blegtorale. Në ndryshim nga vendimi i vitit 2022, Qeveria vendosi që të heqë kriterin e mesatares me qëllim që të nxisë maturantët që të zgjedhin të studiojnë për degët prioritare, ku do të përfitojnë bursën me vlerë 40 mijë lekë, por me kushtin që pas përfundimit të studimit do punojnë për 3 vite në Shqipëri.
Pra degët në të cilat nuk kishte regjistrime dhe rrezikoheshin të mbylleshin , VKM-ja u jepte mundësi studentëve që nëse regjistroheshin në këto degë do të përfitonin një pagesa prej 40 mijë lekë.
Shqetësimi i ardhur nga studentët ishte se është rivendosur kriter mesatarja, gjë e cila u hoq me VKM.
Fiksi risolli problemin e ngritur në Dhjetor 2023, kohë në të cilën në Universitetin Bujqësor u tha se pagesat mund të merren brenda muajit. Por mesa duket tashmë kanë dalë listat përfundimtare dhe shumë student kanë mbetur jashtë përfitimit. Fiksi solli bisedën e një student në sekretarinë e universitetit ku thuhej se nuk do e merrnin të gjithë dhe se këtë e ka vendos ministria, por në bazë të mesatares.
Ajo që universiteti tha për Fiksin është se në degët prioritare numri i studentëve është rritur vitin e fundit duke shkuar nga 234 në 346, por vetëm 80 prej tyre do të merrnin pagesën. Sipas universitetit kuota është miratuar nga ministria dhe një nga kriteret kryesore të përzgjedhjes kanë qenë studentët e degëve që nuk kishin regjistrime , ishin në prag mbylljeje.
Ndërkohë në një bisedë që gazetarët kishin me sekretaren e universitetit u tha se përzgjedhja është bërë nga Agjencia Kombëtare e Arsimit të Lartë, por kjo e fundit e mohoi këtë gjë me një përgjigje zyrtare. Ndërkohë të gjithë këtë histori, Ministria e linjës, ajo e Arsimit e sqaron duke thënë se studentët janë vendos në bazë të kuotave.
Kështu shteti vendosi me një VKM që të gjithë studentët e degëve prioritare pavarësisht mesatares do merrnin një pagesë sa një pagë minimale në muaj, ndërkohë po ministria ka vendosur kuota që nuk përfshihen të gjithë studentët, madje përfshihet vetëm çereku i tyre.
Top Channel