Pse gënjen Mimi për misionin e helikopterit me dy të vrarë?

Thellohet skandali i misionit të helikopterit EC 145 i Forcave të Armatosura që u rrëzua në liqenin e Shkodrës ku si pasojë gjetën vdekjen dy pilotë dhe u plagos një ushtarak. Bëhet e ditur se helikopteri i ushtrisë ka patur për mision ardhjen në ndihmë të helikopterit privat “Shega Trans”, që sipas burimeve, kishte rënë në Malësinë e Madhe, në një kohë që është e ndaluar me ligj që helikopterët e ushtrisë të kryejnë misione që nuk i përkasin Forcat e Armatosura.
Helikopteri i kompanisë private “Shega Trans” pësoi një defekt gjatë fluturimit për të cilin lajmëroi operatorin e kullës në Rinas. Kjo e detyroi që të ulet rreth orës 10:00 në zonën ku është parë në liqenin e Shkodrës. Për t’u shkuar në ndihmë është nisur nga Farka, Helikopteri EC 145, me numër 637, me 3 persona ekuipazh në bord. Janë këto burime jo zyrtare për abc news që sjellin një variant të ndryshëm të aksidentit që ndodhi ditën e mërkurë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi dje se, helikopteri ishte ngritur në fluturim për një stërvitje rutinë, por në fakt ai gënjeu për të fshehur skandalin që rëndon mbi të.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka ngritur një grup hetimor për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit të ushtrisë ku humbën jetën dy pilotë dhe u plagos një ushtarak. Burime nga institucioni i akuzës bëjnë të ditur se, kryeprokurori Llalla ka zhvilluar gjatë paradites së djeshme një takim me Presidentin Bujar Nishani, ku është diskutuar pikërisht për ngjarjen e rëndë. Hetimi do të bëhet edhe për rrëzimin e helikopterit të kompanisë private “Shega trans” ku do të merren të gjitha provat dhe videot edhe ato që janë bërë publike në rrjetet sociale dhe në mediat e ndryshme.
Ndërkohë, “Eurocopter”, kompania që ka prodhuar helikopterin e rrëzuar të mërkurën në Shqipëri, do të ofrojë asistencë dhe ndihmë në hetimin e ngjarjes, nëse kjo do t’i kërkohet nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë. Deklarata është bërë nga shefi i zyrës së shtypit të “Airbus Helicopter”, Guillaume Steuer.
“Airbus Helicopter” është në dijeni të aksidentit tragjik të një helikopteri H145. ‘Airbus Helicopter’ është i pikëlluar thellë nga ky aksident dhe zyrtarët e kompanisë shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për familjet, miqtë dhe kolegët e atyre që humbën jetën. Kompania është e gatshme për të mbështetur plotësisht autoritetet në hetimin e shkakut të aksidentit”, ka deklaruar Seuer.
Në vendin e aksidentit qëndrojnë forcat e policisë, të cilat e kanë rrethuar atë, si dhe një mjet lundrues po i Policisë së Shtetit. Ende nuk është bërë e ditur se kur do nxirret nga uji helikopteri i dëmtuar rëndë nga rrëzimi.
Gjatë paradites së djeshme u fol për një ulje të mundshme të këtij helikopteri në Doganën e Hanit të Hotit, dhe transportimit të një sasie mermeri. Por helikopteri i ulur ndryshon nga helikopteri i rrëzuar, i pari është me rrota dhe i dyti me slita.
Xhevair Ajazaj, peshkatari që mori me varkë ushtarakun Gerald Baramuça, tregoi se, në momentin e mbërritjes pranë helikopterit kishte parë dy pilotët pa jetë të lidhur në vendet e para, jelekë shpëtimi të shpërndarë dhe shumë shkumë mbi ujë, ndërsa i mbijetuari ishte 15 metra larg, duke u munduar të notonte me një dorë. Ai tha se ushtaraku i kishte kërkuar ndihmë për ta çuar në spital.
Kur kanë kaluar 24 orë nga aksidenti me dy viktima dhe një të plagosur, mbetjet e helikopterit EC 145 të Forcave të Armatosura vazhdojnë të qëndrojnë në ujërat e Liqenit të Shkodrës. Një motoskaf i Forcave të Policisë Kufitare dhe dy policë ruajnë zonën. Askush nuk lejohet t’i afrohet bregut të liqenit, në zonën ku ra helikopteri dhe ku humbën jetën pilotët Florian Deliaj dhe Donald Hoxha.
Bëhet e ditur se, Prokuroria e Shkodrës ka nisur një hetim mbi ngjarjen. Për të zbuluar shkaqet e përplasjes është e nevojshme që të analizohet kutia e zezë e mjetit, që duhet nxjerrë nga një thellësi më shumë se 6 metrash. Burime të Prokurorisë thanë se, organi i hetimit po përgatit një kërkesë për Ministrinë e Mbrojtjes për t’i vënë në dispozicion një vinç të përmasave të mëdha. Një tjetër kërkesë do të bëhet edhe për të marrë zyrtarisht planin stërvitor që duhet të zbatonte mjeti, itinerarin e lëvizjes si dhe të dhënat mbi kushtet teknike.

Gënjeshtra që kompromenton Mrikën në rrëzimin e helikopterit

Zbulohen fakte dhe foto të reja për rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto dhe mesazhin e një qytetari, i cili e informon se helikopteri i ushtrisë ka fluturuar mbi Shkodër në orën 8:26 të mëngjesit. “Qytetari dixhital përgënjeshtron njoftimin e gjeneral Trafikut! Helikopteri ka fluturuar mbi Shkodër në orën 8:26 të mëngjesit, ka dërguar ngarkesën në Vermosh dhe është kthyer në doganën e Hanit të Hotit dhe aty ka marrë një thes (mundet me miell për gjeneral Trafikun). Shih fotot! Sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Shkodra.

“Mirmjes Doktor, uroj të jeni mirë. Në mendimin dhe gjykimin, sipas rrjedhës së ngjarjeve dhe fakteve për helikopterin ngjarja ka ndodhur kështu:

1) Një helikopter ka kaluar mbi qytet në Shkodër në orën 8:26 minuta dhe ska patur helikopter tjetër që të jetë dëgjuar më vonë deri në atë të shpëtimit të dërguar në drekë, pas rrëzimit të helikopterit transportues.

Helikopteri nuk është nisur nga Farka në orën 12:10 siç pohoi Ministria dhe Ushtria dje.

2) Helikopteri është ndalur në Vermosh, ka shkarkuar mermer pavarësisht zërave që flasin se si helikopteri po transportonte në zonën e Kelmendit një arkivol.

3) Helikopteri është kthyer në zonën e Malësisë së Madhe rreth orës 10 e pak minuta.

Ka ngarkuar (!!!!!!) nga një furgon i bardhë për t’u kthyer më pas për Tiranë.

Fotot bashkëngjitur që janë të orës 10:05 tregojnë një furgon të bardhë afër helikopterit të ulur në Grizhë afër liqenit dhe dy persona. Njëri ka një thes në dorë dhe është afër helikopterit.

Çfarë kërkonte helikopteri i ulur në afërsi të doganës?! Në Shkodër!?

Menjëherë sapo helikopteri ka rënë, forcat e policisë janë afruar dhe furgoni ka qenë gjithë kohës në fushë pa lëvizur. Askush akoma nuk është marrë me këtë fakt!!!

Mendoj që duhet të shqyrtohet me kujdes, pasi mendoj se është më rëndë se sa duket”, shkruan qytetari në mesazhin dërguar ish-Kryeministrit Berisha.

Berisha: Qeveria po bën gjithçka për të fshehur shkakun e rrëzimit të helikopterit

Ish-Kryeministri Berisha ngre dyshime se helikopteri që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës po transportonte mermer për rezidencën e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli në Vermosh. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se, “Shkodra zien dhe gumëzhin për rrëzimin e helikopterit, qeveria përpiqet të fshehë shkaqet dhe rrethanat?!?! “Në rast se kjo është e vërtetë, vazhdon më tej Berisha, kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar shtetëror”.

“Të dashur miq, helikopteri që u rrezua dhe ra në Liqenin e Shkodrës, në të cilin humbën jetën dy pilotët, duket se transportonte meremer për në rezidencen malore në Vermosh të Mimi Kodhelit! Në rast se kjo është e vërtetë kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar shtetëror. Qeveria po bën gjithçka për të fshehur shkakun e vërtetë dhe rrethanat e rrëzimit të helikopterit, pra për t’i mbuluar me heshtje dhe për t’i lënë ato në fund të liqenit”, shkruan Berisha.

Ish-Kryeministri Berisha shkruan më tej se, gazetari Elvis Nabolli që jep këtë lajm në FB e tij, kërcënohet me jetë dhe detyrohet të heqë statusin nga FB. “Neo-bllokmeni Ilir Beqja kërcënon fizikisht gazetarin e “Zërit të Amerikës” në spital tek i plagosuri. Ndërkohë, portali “Syri.net” jep një video që tregon se helikopteri është ndalur në një lëndinë pranë doganës së Hanit të Hotit (mundet për të marrë ngarkesë?) dhe prej aty është nisur për udhëtimin fatal.

Ndaj peshkatarëve që arritën të parët në vendngjarje dhe banorëve të zonës po ushtrohet dhunë që të mbyllin gojën. Për të fshehur të vërtetën, janë konfiskuar edhe celularët e peshkatarëve dhe banorëve, sepse mund të kenë regjistruar pamje kompromentuese”, shprehet më tej Berisha.

Berisha i ka kërkuar Parlamentit që të ngrejë urgjentisht komisionin e verifikimit me çdo kusht të këtyre të dhënave tejet tronditëse. “I bëj thirrje Presidentit të Republikës të shfrytëzojë të gjithë kompetencat e tij për të verifikuar rrethanat dhe shkakun e kësaj tragjedie! Sb”, përfundon Berisha.

Dy pilotët përcillen në banesën e fundit

Trupat e pajetë të dy pilotëve të Forcave të Armatosura u përcollën për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve, pas homazheve të zhvilluara në hollin e Pallateve të Kongreseve. Në lamtumirën e fundit të dy pilotëve ishin të afërm, kolegë, politikanë, ambasadorë, përfaqësues të Forcave Ushtarake, policore dhe qytetarë. “U prehshi në paqe, Kapiten Florian Deliaj dhe Toger Donald Hoxha”, shkruante kryetari i PD, Lulzim Basha në Facebook pas kryerjes së homazheve në nder të dy pilotëve. Toger Donald Hoxha dhe kapiten Florian Deliaj u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” pas vdekjes.

Dy pilotët e Forcave të Armatosura humbën jetën në mesditën e së mërkurës. Helikopteri me të cilin po fluturonin u rrëzua në Liqenin e Shkodrës në Grizhë të Malësisë së Madhe. Dy pilotët gjetën vdekjen e menjëherëshme. I treti në bordin e helikopterit EuroCopter 145, ushtari profesionist Gerald Baramuça, mbeti i plagosur. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Toger Donald Hoxha

Toger Donald Hoxha u lind më 17.06.1988 në Berat. Kreu Akademinë e Aviacionit të Pozzuoli-t në Napoli, Itali, ku e përfundoi me sukses në vitin 2011 dhe u çertifikua si pilot. Pas shkollimit, u emërua si pilot në Forcën Ajrore dhe më pas në Bazën Ajrore të Farkës, ku dhe shërbeu nga viti 2012 me profesionalizëm e devotshmëri. Detyra e fundit e toger Hoxhës ishte “pilot (SAR)” në Grupin e Helikopterëve në Bazën Ajrore të Farkës. Kreu kurse të ndryshme kualifikimi, brenda dhe jashtë vendit, për pilotimin e helikopterëve të tipit “EC 145” (SAR).

Kapiten Florian Deliaj

Kapiten Florian Deliaj lindi në 01.10.1973 në Dibër. Kreu studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, nga ku u diplomua në vitin 1996 në specialitetin “Oficer Aviacioni”. Nga viti 2004 e në vazhdim ka kryer detyra të ndryshme në Repartin e Farkës, si pilot ekuipazhi i parë në BO105 dhe komandant ekuipazhi SAR. Kapiten Deliaj ka kryer kurse kualifikimi brenda dhe jashtë vendit. Ai ishte i martuar, me 3 fëmijë.

R.POLISI

Exit mobile version