Nga Namir Lapardhaja
Nëse ka një politikan që është sulmuar më shumë se kushdo tjetër në skenën politike shqiptare të dekadës së fundit, ai është Lulzim Basha. Sulmet ndaj tij nuk kanë ardhur vetëm nga kundërshtarët politikë natyralë, por edhe nga aleatë të dikurshëm, media të kapura nga oligarkë dhe madje edhe elementë të botës së errët të krimit të organizuar. Kjo është një panoramë që ngre një pyetje thelbësore: Pse janë mbledhur bashkë të gjithë të korruptuarit kundër Lulzim Bashës?
Që nga dita e parë kur Basha hodhi hapin për të mbështetur me forcë institucionet e drejtësisë së re si SPAK, si dhe nismat për vetingun e politikanëve dhe më herët dekrekiminalizimin e politikës, ai u kthye në një kërcënim serioz për klasën e vjetër të tranzicionit. Një klasë që, pavarësisht përkatësive të ndryshme partiake, ndan një interes të përbashkët: mbrojtjen nga drejtësia.
Pikërisht për këtë arsye, akuzat e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste, janë ricikluar në të njëjtën mënyrë nga Sali Berisha dhe sejmenët e tij mediatikë. Është një aleancë që nuk i bashkon bindja politike, por frika ndaj drejtësisë dhe pushtetit të një lidershipi të pastër që synon ta çlirojë politikën nga hijet e korrupsionit dhe lidhjet me krimin.
Në këtë ofensivë të sinkronizuar kundër Bashës, nuk kanë munguar as mediat e oligarkëve, të cilët prej vitesh ushqehen nga lidhjet e errëta me qeverinë dhe politikën e vjetër, duke marrë tendera e leje ndërtimi nga Edi Rama dhe duke i hedhur benzinë zjarrit të sherrnajës në radhët e opozitës, duke promovuar dhe ndihmuar Berishën për të uzurpuar opozitën. Janë po ato media që heshtin për aferat korruptive dhe skandalet miliona euroshe, por gjejnë hapësira pafund për të sulmuar Lulzim Bashën. Janë po ato media që e kanë ‘fshirë’ nga ekrani aktivitetin e tij politik, po në analizat e tyre merren vetëm me atë çfarë ai po bën ‘keq’.
Krimi i organizuar dhe bandat, që në zgjedhje janë përdorur si mjete presioni dhe manipulimi nga PS dhe Berisha, siç është dokumentuar nga shumë burime në rastin e organizimit të ‘Foltores’ apo në rastet e Elbasanit, Durrësit dhe gjetkë në këto zgjedhje, janë gjithashtu në një sintoni të frikshme kundër Bashës. Kjo është një tjetër dëshmi se kërcënimi i vetëm për pushtetin e tyre të kalbur vjen nga një politikë alternative, që ka ekspertizën dhe lidhjet e duhura ndërkombëtare, i cili në çdo rast është aty për t’i rivalizuar dhe për t’u treguar të kundërtën.
E megjithatë, përballë kësaj vale të orkestruar sulmesh dhe baltosjesh, Lulzim Basha ka arritur të mbijetojë, të qëndrojë i qetë dhe të ecë përpara me një vizion të qartë për të ardhmen. Një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 11 majit do të jetë më shumë sesa një fitore elektorale e tij — do të jetë një fakt i ri politik, një mesazh i qartë se shqiptarët janë gati për një të nesërme ndryshe dhe për një qeverisje të ndershme.
Dhe kjo është ajo që frikëson të korruptuarit: ardhja e një kohe ku askush nuk është mbi ligjin.