TREGIME E NOVELA- Marcel Hila

Nga Arben Borshi

Marçel Hila ka vite që asht prezent në panoramën e librit shqiptar por edhe përtej kufijve kombtar.

Narrativa e tij përshkohet prej te vërtetës historike të periudhës ma të errët që njerzimi ka përjetu qysh në agun e tij. Të bazueme në ngjarje dhe personazhe të vërtetë, realë, romanet, novelat dhe tregimet e tragjedisë të popullit shqiptar, me nji gjuhë të pasun, na vijnë para syve dhe të emocionojne aq sa edhe ti që e lexon, pershkohesh prej emocionesh të forta. Ashtu siç janë edhe pikturat e tij, që të mahnisin, ( sepse asht edhe artist piktor), edhe narracioni i tij të trondit. Në kto narracione, ndeshena edhe me aktorin vetë si protagonist. “Perla në plagën e një martese”- asht nji prej veprave të tij ku vetë asht protagonist.

Marçeli shkruen me të njajten mjeshtri si në gjuhën gegë, ashtu edhe në atë “të njehsuar” apo gjuhën zyrtare. Kjo falë nderës origjinës të tij prej Shkodrës. Njef mjaft mirë terrenin gjeografik, doket dhe zakonet, sidomos ato të pjesës veriore të Shqipnisë, mbasi ka sherby si shoqnues dhe përkthyes i emisarëve të klerit katolik, kryesisht italiane, në ndihmë të popullsisë vendase e sidomos të zonave të thella malore.

Por eksperienca ma domethanese e Marçelit, mbetet pjesa e jetës që ka kalu nën nji prej regjimeve ma kriminale komuniste të Europës Lindore. Kët eksperiencë, do ta pasunonte s’tepermi edhe detyra

që iu ngarku prej organizatës ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e mohueme të ish viktimave të regjimit kriminal komunist, pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të shtetit. Asht pikërisht kjo periudhë e nji pune të dendun ajo që do ta rrisin bagazhin e pasun të Marçelit, me ngjarje dhe personazhe që i çfaqen para sysh çdo orë e çdo çast, ndërsa shfleton me qindra mijëra dosje të viktimave, në arkivin e Sigurimit të partisë-shtet!

“Internimi i kufomës”, “Zoti zbret në ferr”, “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, “Rekrutimi i gjimnazistit”, Perla në plagën e një martese”, janë vetëm disa prej veprave të Marçelit, të cilave i shtohet edhe nji volum tjetër i botuem prej “Enja botime” në Tiranë në vitin 2023. Nji përmbledhje prej 21 tregime dhe novela, prej 446 faqesh.

Brezit tonë, pra edhe i Marçelit si bashkëmoshatar, ndër të tjera, iu mohu edhe e drejta me lexu autorë të themelit të klasiçizmit botnor si Dostojevski, Zamjatin, Pasternak, e ma vonë Huxley, Orwell, Shalamov, Solgjenitcyn, Camus, Arendt, Bradbery etj, të cilët u konsideruen prej kupolës të realizmit socialist, si reaksionarë, prandaj të damshëm për ideologjinë kriminale komuniste, edhe pse në mes tyne pati edhe Çmim Nobel për letërsinë. Por edhe pse të ndaluem, disa prej veprave të “reaksionarëve” i qarkullojshim me shum kujdes, tuj u ruejte mos me ra ne sy të rrjetës të imtë të bashkpuntorve të sigurimit. Mbas shembjes të “Perandorisë të së keqes” edhe Lirija e leximit u realizu për ne, armiqtë e partisë!

Por t’i kthehena narrativës të Marçelit. Libri “Tregime e novela” ka 21 të tilla në 446 faqe. Janë tregime që i përshkon vektori i përbashkët i tragjedisë, i krimeve ndaj njerëzimit, i viktimave të pafajshme, si ato të ekzekutuem si ata që i mbijetuen “ferrit komunist, e si ata të internuem apo të persekutuem. Janë shum, shum! Vetëm dosjet që kanë “pshtu” numrojn rreth 4 milion faqe A4. Vetëm vjehrri i jem,Z. Esat Qehaja, që ka ba 10 vjet burg me dënim për “agjitacion dhe propogandë, ka nji dosje me 160 faqe.

I tmerrshëm asht tregimi me titull: “Sytë e ballit”, ku viktima, nji i ri Mirditas me banim në Rrëshen i fejuem me nji vajzë simpatike dhe të hijshme, dënohet me 10 vite burg prej hetuesit të Rrëshenit, sepse ky i fundit i kishte vu synin të fejuemes simpatike. Mbas nji akuze-shabllon me dëshmitar të rremë me akuzë “për agjitacion dhe propogandë” me nenin famkeq nr.55, e çon në burg kët djalosh të ri dhe i përdhunon të fejuemen. Prej dëshprimit, kur e fejuemja i tregon në nji takim me familjarët, mbyllet në vetvete dhe nuk flet ma me askënd. Nji ditë nuk del me shokët e qelisë në orar të ajrimit. Kur shokët kthehen, shofin se ishte mbulu me çarçaf dhe në pjesën e fytyrës dukeshin dy njolla gjaku të mëdha. Ndërsa i zbulojnë ftyrën, gjenden para nji pamje të tmerrshme: dy kokërdhokët e syve që i vareshin poshtë në nji pellg gjaku. Nji llahtar i vërtetë që as regjizori me famë botnore, Alfred Hichcock nuk do t’ kishte mujtë me e realizu. Mbasi kishte gjetë nji kaçavidë, kishte nxjerr sytë e vet, për mos me pa ma tmerrin që i deltë para syve çdo çast.

Si përfundoi historija? Asgjâ! Hetuesi kriminel, mbas ‘90, me siguri ashtu si “kolegët e tij” ka zdeshe Tyrben e zezë të kriminelit, për me veshë pelerinën e avokatit, shpesh edhe me hapjen e zyrës në kryeqytet!

Nji tjetër tragjedi jo ma pak e tmerrshme, asht edhe ajo e protagonistit të romanit:”Rekrutimi i gjimnazistit”. Taulant D, nji maturant ekselent në Tiranë, dhunohet prej hetuesit të zonës të shkollës, Qaniut dhe për të mos u ba bashkpuntor i tij tuj spiunu shokët dhe të afermit, vendose të vetëvaret, si e vetmja rrugë për mos me hupë dinjitetin!

Por edhe “Perla në plagën e një martese” asht nji tragjedi tjetër. Nji student i akademisë ushtarake italiane, mbaron studimet dhe martohet me nji vajzë të hijshme, Gorizia-n. Vendosin të kthehen në atdhe të të shoqit, por mbasi Valentini ishte i biri i gjeneral Preng Pervizit, sapo hyn në Shkodër bashk me të shoqen italiane, arrestohet, dhe të shoqen e nisin mbrapsht në Itali. Nuk kan ma kontakt me njëri-tjetrin për 47 vite me radhë, ku Valentini i kalon nëpër burgje dhe internime. Kur shembet perandoria e të keqes, në pranverën e ‘91 arrijn të takohen. Ajo vajzë e kishte pritë për të gjith atë kohë, për të jetu 8 vitet e fundit të jetës bashkë. Në fakt vdes në 1999 në Itali, ku i njofin edhe gradën nënkolonel!

Por në narrativën e Marçelit, Hera herës ndeshim edhe hapsina të vogla të “humorit theres shkodran” , atij humor që aq shum trazonte kupolën e krimit komunist. Nji moment i tillë na vjen në tregimin përmbyllës të librit voluminoz “Tregime e novela” me titull: “Dhitë në mur” që asht nji tjetër narrative tragjike por në të lexojmë edhe sarkazëm ndaj prokurorit dhe hetuesit që me gojën e tyne pohojnë dhe insistojnë se 13 dhitë e vizatueme prej piktorit Agim A. ishin personifikimi i 13 antarve të komitetit qendror të partisë, dhe insistojnë për këtë. Por në fund, kur Agimi nuk duron ma dhunën e përditshme, nën nji trysni të dëshpërimit të epërm, i drejtohet gardhit me tela me gjemba, i vetëdijshëm se po kryente vetvrasje. As thirrjet e shokut të tij nuk e ndalin. Vetëm plumbat e kallashnikovit, që ia mbushin trupin e detyrojnë të ndalet në nji pellg me gjak. Ashtu siç merret nji bagti, me karrocë dore e hjedhin në nji gropë pa shej dhe pa emën.

Kto ishin vetëm disa prej veprave që Marçeli ka botu, dhe që ia vlen të lexohen. Bile duhet të ishte në programet shkollore kjo lloj narrative e shoqnueme me ftesë ndaj autorit për diskutim. Por aktualisht kjo duket nji utopi, tuj pasë parasysh regjimin e ri të instaluem në atdheun tonë.

Exit mobile version