Pse jemi prapa?

“Monitor”

Të enjten e javës së kaluar nuk punuam, se festuam Ditën e Rinisë (festë zyrtare), dita e nisjes së protestave studentore për demokraci kundër komunizmit.
Megjithëse kemi ndryshuar shumë që atëherë, e ndiejmë që jemi shumë larg vendeve që aspirojmë.
Por a e kemi aftësinë intelektuale si komb për të kuptuar arsyet? Nuk flasim për inteligjencën natyrore në AND-në tonë si shqiptarë, por për atë të kultivuarën.
Bota na vlerëson të dobët. Dhe ja se si:
– Instituti i Prosperitetit Martin, kur mati Indeksin Global të Kreativitetit për këtë vit, na renditi të 116-t mes 139 ekonomive botërore, si më pak kreativët.
– Edhe për Standard & Poor’s, Shqipëria është ndër vendet më analfabete në fushën e njohurive financiare, pasi vetëm 14% e të rriturve kanë njohuritë e duhura. I vetmi vend që mbetet pas nesh në listën botërore është Jemeni.
Dhe padyshim që në renditje jemi edhe poshtë vendeve të tjera të Ballkanit, ku më mirë janë malazezët me performancën dy herë më të lartë se ne.
– Duke vlerësuar cilësinë e kapitalit social, Indeksi i Prosperitetit 2016 i publikuar nga Instituti britanik Legatum, e rendit Shqipërinë të 106-n nga 149 vende të analizuara. Në total, duke vlerësuar cilësinë ekonomike dhe mjedisin, Shqipëria zë vendin e 74-t, pra poshtë gjysmës së vendeve që, megjithëse ka bërë përmirësime në mënyrën si e ndan prosperitetin, sërish ka ecurinë më të keqe në Europë.
Një arsye që e shpjegon këtë vlerësim kaq të ulët për shqiptarët është cilësia e dobët e arsimimit.
“Pisa 2015”, program vlerësimi ku është anëtarësuar edhe vendi ynë, këtë vit i vlerësoi nxënësit në vend të 51-të nga 72 vende të shqyrtuara ose më poshtë se të gjitha vendet e OECD-së. Megjithëse ka një ngjitje nga vlerësimi i vitit të kaluar – statusi i një vendi të dobët, me cilësi të dobët arsimimi, pak kreativ dhe mangësi të thella njohurish veçanërisht financiare – ende e mbajnë Shqipërinë jashtë garës për t’u zhvilluar dhe për të ecur përkrah shumë vendeve të Europës, së cilës themi se i përkasim.
Qeveritë e dhëna më shumë pas treguesve të përgjithshëm të rritjes ekonomike, duket se na kanë zhvlerësuar si kapital human të paçmuar. Dhe ja cili është rezultati:
Shqipëria renditet nga fundi në renditjen sesi PPB-ja mbështet kreativitetin dhe inovacionin. Indeksi i publikuar nga INDIGO thotë jemi të 79-t nga 152 vende të krahasuar. Ky tregues do të thotë se kemi siguruar bukën, por jo prospektin tonë njerëzor që, në fakt, janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Studimet ndërkombëtare vlerësojnë se vendet nuk mund të mbështeten vetëm te projeksioni i PPB-së për të parashikuar performancën ekonomike të së ardhmes, pasi ajo bazohet në aktivitetin e njerëzve që janë të ndikuar nga shumë faktorë ekonomikë dhe socialë. Në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria, një vendi nuk i mjaftojnë burimet natyrore, por infrastruktura shoqërore që i mundëson çdo njeriu të kuptojë potencialin intelektual.
Në vend të mbylljes:
Por, duke na “gënjyer” me copëza të vogla PPB-je, qeveritë, në fakt, që nga dhjetori i ‘92-shit kur studentët protestuan për liri, mundën të qeverisin mbi varfërinë tonë, por nuk kanë mundur ende të garantojnë prosperitetin tonë. Ndaj, shumë prej nesh, mund të mos e kuptojmë pse jemi ende kaq mbrapa.

Exit mobile version