Këshilli Evropian mblidhet sot në Bruksel në një takim që ndër të tjera do të ketë në axhendë dhe çështje të zgjerimit të Unionit.
Kjo mbledhje e liderëve të qeverive të vendeve anëtare vjen vetëm dy ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që miratuan të pandryshuara draft-konkluzionet e adoptuara nga ambasadorët e përfaqësive të përhershme të BE-së për Shqipërinë javën e shkuar.
Në konkluzionet finale, ministrat e Jashtëm nënvizuan se para hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duhet siguruar zbatimi gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm i 5 prioriteteve kyçe.
Ata specifikuan nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e reformës së drejtësisë me fokus ligjin e Vettingut, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, çmontimin e grupeve kriminale, trajtimin e prodhimit dhe trafikut të drogës, si dhe forcimin e drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Përveç 5 prioriteteve, në konkluzionet e ministrave të Jashtëm kërkohet zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, përfundimi i reformës zgjedhore, zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe marrëdhënie të mira fqinjësie.
Mbledhja e sotme e Këshillit Evropian është parashikuar në orën 12:30. Shtetet anëtare janë të përçara mbi mundësinë e hapjes më 2017 të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Momenti më i përshtatshëm, sipas shumë shteteve anëtare, do të jetë pranvera e vitit 2018.