Pse mafia në qeveri i është vërsulur ‘Babales’?

strazimiriNga Gent Strazimiri

Nëse ‘Babalja’, ky shqiptar që ka bërë burg në Itali për trafikim drogash, do kishte qenë deputet a kryetar bashkie i rilindjes, e gjithë historia e tij penale do kishte qenë një ‘lapsus adoleshence’, një përpjekje ‘zhan valzhan-eske’ mes librash e sfidash intelektuale për të gjetur rrugën e drejtë, me një fund të lumtur, njësoj si Agroni…
Por ‘Babalja’ nuk është!
‘Babalja’ është ai që është e që nuk e fsheh e as e spërdredh. Nuk paguan askënd të sheqerosë historinë e tij, zgjedhjen e tij qoftë dhe të gabuar. Pse? Sepse ‘Babalja’, ai ‘i ligu’ që për shkak të së shkuarës së tij nuk na qenkësh ‘kredibël’ për mjerot e jargosur të propagandës qeveritare, ka zgjedhur po ashtu vetë, të mos jetë ‘bir kurve’ si Agroni, Sajmiri, Fatmiri … Edvini!!!
‘Babalja’ nuk ka shkollë, as ‘Master’ … Nëse ‘Babalja’ do t’i kishte këto, nuk do ishte njohur kurrë me Agronin…
Me Agronin dhe shokët e tij të cilët prej 5 vitesh kanë në dorë parlamentin, policinë, ministritë, bashkitë d.m.th shtetin dhe ligjin, mund të njiheshe vetëm nëpër semaforë pas orës 2 të natës … jo në bibliotekë…
Mjerot e bandës që ‘dëshmitarin e Agronit’ e duan me fedinë penale të pastër, të shkolluar mirë, të pajisur me disa certifikata profesionale po që njëkohësisht ta ketë njohur Agronin mirë ‘në punë’ … kërkojnë të pamundurën teorike!
‘Babalja’ dhe qëndrimi i “elitës së mendimit” ndaj tij, në fakt janë prova se sa poshtë kemi rënë si shoqëri. ‘Babalja’ me gjithë dënimet mbi shpinë, është më i ndershëm se cilido prej tyre! Më kurajoz se të gjitha ata të marrë së bashku! Më i vlefshëm si standard moral se të gjithë palaçot kombëtarë dhe internacionalistë që poterosin nëpër ekrane duke ndjellur drejt së keqes së relativizuar rininë, me taktikën e prostitutës në semafor.
‘Babalja’ nuk është demokrat! Nuk i ka interesuar politika (veçanërisht ajo që me ligj ndaloi skafet dhe industrinë e transportit të drogës) sepse ‘e la pa punë’, duke qenë se kishte zgjedhur tjetër jetë.

Ta ‘akuzosh’ sot si demokrat (sharja më e keqe për birat e kurvës që sundojnë sot), është përpjekja më qesharake e mjerane e një bande që po ndjen se fundi është afër. Për shkak të strukturës dhe kodit të heshtjes, asnjë organizate mafioze deri sot, fundi nuk i ka ardhur nga jashtë radhëve, nga përballë por, gjithmonë nga brenda, nga një ‘Babale’ që prish rreshtin e krimit, duke u bërë simbol i kurajës qytetare që ata që duhet ta kishin, gazetarët, prokurorët, gjyqtarët, policët … politika … e kishin hedhur tej në rrugë e sipër si një peshë të panevojshme që të vonon hapin në udhëtim. Në Siçilinë e fundviteve ’70 ‘Babalja’ quhej Tomaso Busceta dhe mafia e quajti ‘infame’, të pabesueshëm…
Mafia! Jo gazetarët, opinionistët, intelektualët, madje as politikanët! Mafia! E vetme!
Në Shqipëri sot Albert Veliut i janë vërsulur ‘gazetarët’, ‘opinionistët’, ‘intelektualët’ … qeveria … E quajnë ‘Babale’ në përpjekje për ta zvogëluar, përqeshur e diskredituar, për ta vulosur si ‘infame’…
“Babale” e quajta edhe unë, e do vazhdoj ta quaj, pikërisht sepse nuk ka asnjë rëndësi nofka që i kanë vënë miqtë e shokët në atë qytetin e tij të trazuar. E rëndësishme nuk është kjo! E rëndësishme është që Albert Veliu na tregoi me kurajo si pakkush, se pikërisht ata që e paraqesin si ‘Babalja i Vlorës’, si ‘infame’, janë MAFIA!
Albert Veliu, ‘Babalja’ na e tregoi historinë e tij, njohjen dhe jetën me Agronin, paligjshmërinë dhe dënimet që e lidhin me të…
Pyetja që mbetet ende sot është: Kryeministri nga i njohu të gjithë ‘Agronët’ që ai vetë i solli në parlament, nëpër bashki, nëpër polici e burgje, drejtori qendrore e vendore?
A duhet mirëkuptim edhe për të?

Exit mobile version