Sipas një raporti të ri, amerikanët janë gjithnjë e më të shqetësuar se teknologji të caktuara do të ndikojnë në jetën e tyre.
Qendra Kërkimore “Pew” anketoi amerikanët për qëndrimet e tyre ndaj katër fushave të teknologjisë: automatizimit të vendeve të punës, makinat pa shofer, kujdestarët apo shërbimet nga robotët dhe algoritmet kompjuterike që vlerësojnë dhe punësojnë aplikantët për punë.
Studimi zbuloi se pothuajse tre në katër amerikanë “shprehin shqetësim” se robotët dhe kompjuterët mund të kryejnë punë të bëra tradicionalisht nga njerëzit. Vetëm rreth dy të tretat shprehën shqetësim rreth algoritmeve që mund të zgjedhin kandidatin më të mirë për të punësuar, pa patur ndërhyrjen e njeriut.
“Publiku është jashtëzakonisht i kujdesshëm në lidhje me lejimin e makinave për të zëvendësuar përgjegjësitë njerëzore dhe vendimmarrjen e njerëzve”, thotë në një deklaratë autori kryesor i studimit Aaron Smith.”Edhe pse njerëzit parashikojnë disa përfitime nga tendenca në rritje drejt automatizimit, ata shqetësohen se edhe teknologjitë më të përparuara, kurrë nuk mund të kopjojnë me të vërtetë krijimtarinë dhe mprehtësinë e njerëzve.”
Qendra “Pew” thotë se amerikanët ishin më të “balancuar” në teori në pikëpamjet e tyre për automjetet pa shoferë dhe përdorimin e robotëve për kujdesje dhe shërbime,. Megjithatë, kur bëhet fjalë për përdorimin e këtyre teknologjive, 56 përqind thanë se nuk do të donin të hipnin në një makinë pa shofer ndërsa 59 përqind thanë se nuk do të donin një kujdestar robot për veten, apo një anëtar të familjes së tyre.
Duke pasur parasysh këto ndjenja, shumë amerikanë mbështesin ligjet apo politikat që do të “kufizonin fushën e teknologjive të automatizimit”, me 87 për qind që thonë se automjetet pa shofer duhet të kenë një shofer njerëzor si rezervë. 85 përqind e atyre që u anketuan thanë se makinat dhe robotët duhet të kufizohen në ato vende pune që janë “të rrezikshme ose jo të shëndetshme” për njerëzit.
Sondazhi i Qendrës “Pew” zbulon se amerikanët presin që automatizimi të ndikojë shumë në industri, por pak, rreth 30 përqind, mendojnë se do të preken prej tij. Për disa vende pune, si ato të ushqimit të shpejtë dhe përpunuesit e kërkesave të siguracioneve, shumica e amerikanëve mendojnë se këto punë do të kryhen nga makinat.
Vetëm gjashtë përqind e të anketuarve thanë se tashmë i kanë ndjerë efektet e automatizimit përmes orëve ose pagave të reduktuara. Pew thotë se punëtorët e rinj kishin më shumë gjasa të kishin ndjerë efektet e automatizimit me 13 përqind që e kanë ndjerë një gjë të tillë.
“Pew” zbuloi se amerikanët kryesisht besojnë se automatizimi do të çojë në një pabarazi më të madhe dhe potencialisht ” do t’i lërë njerëzit në mëshirë të fatit”. Më shumë se tre të katërtat thanë se mendojnë se automatizimi i përhapur do të çojë në pabarazi më të madhe dhe 64 përqind mendojnë se njerëzit do ta kenë më të vështirë të gjejnë kuptimin e jetës. Vetëm 25 për qind besojnë se automatizimi do të krijojë vende pune me paga më të larta për njerëzit.