Pse mbeti beqar deri në fund të jetës së tij? Fevziu zbulon përpjekjet e dështuara të Nolit për të gjetur nuse shqiptare, në librin e fundit të Ilir Ikonomit

Blendi Fevziu në një takim me gazetarin shqiptaro-amerikan dhe autorin e disa librave historikë, Ilir Ikonomin, zbuloi fakte interesante në librin më të fundit rreth jetës së Fan Nolit në SHBA.

Fevziu në takimin që publikoi në rrjetet sociale me Ikonomin për librin e tij me të ri, dedikuar Fan Nolit, zbuloi edhe disa sekrete rreth figurës së një prej personaliteteve më të shquara të historisë dhe letrave shqipe.

”Është autor i librit për Konicën, autor për Esat Pashë Toptanin dhe vjen me librin e fundit për Fan Nolin, me Apostulli, vëllimi i parë,” – theksoi Fevziu ndërsa shtoi se, – “është ndoshta më i mirë shkrues i historisë që ne kemi momentalisht” – por pranoi se me këtë vlerësim mund t’i hapë “telashe” vetes.

Fevziu e pyeti autorin e librit nëse ka qenë e vështirë të gjendeshin fakte të reja rreth figurës së Nolit. “Po! Shumë e vështirë” – u përgjigj Ikonomi.

– “Kanë gërmuar shumë njerëz dhe duket se çdo gjë është e zbuluar por në fakt jo,” – theksoi më tej Ilir Ikonomi.

– “Sot mësova diçka të re për Nolin, që ka dashur të martohet dhe nuk gjeti nuse”, – shtoi Fevziu duke iu referuar librit.

– “Kaq të vështirë e pati të gjejë nuse” – pyeti Fevziu autorin e librit dhe mori si përgjigje duke qeshur nga Konomi: – “Po shumë. Sepse shqiptarët që vinin në SHBA ishin të gjithë burra.”

Ndërsa kur u pyet nëse Noli e donte nusen patjetër shqiptare mori përgjigjen “po” nga Ikonomi. – “Donte patjetër nuse shqiptare dhe (Noli ndoshta për këtë arsye) mbeti deri në fund të jetës pa u martuar”, – konfirmoi Fevziu në bashkëbisedimin e tij interesant me Ikonomin.

”Siç tha Iliri, Noli i kërkoi edhe komunitetit shqiptar në Rumani, edhe komunitetit shqiptar në Misir t’i gjenin një nuse, por nuk i gjetën dhe mbeti deri në fund të jetës i pamartuar,” u shpreh mes të tjerash Fevziu teksa zbuloi diçka rreth të panjohura të Nolit, në librin e sapo-publikuar të Ilir Ikonomit.

Një personalitet i rrallë, Noli sipas Ikonomit ishte njohës i mirë i të paktën 9 gjuhëve të huaja, po ashtu njihet edhe si orator i shkëlqyer, dhe megjithëse kishte aftësi të komunikonte me njerëz nga mbarë bota, dështoi në një pjesë të jetës së tij private sepse; mbeti beqar!

Exit mobile version