Survejimi i Kryetarit të Partisë më të madhe të opozitës përbën një nga skandalet më të rënda që në një vend normal do të hidhte në erë qeverinë. Çfarë po ndodh në Shqipëri është një përpjekje banale për të rikthyer metodat e sigurimit të shtetit dhe hetuesisë së diktaturës në ministrinë e Brendshme të cilat Fatmir Xhafa i njeh shumë mirë.
Pas dy vrasjeve në qelitë e komisariateve nga tortura tipike të hetuesisë së diktaturës, pas goditjes selektive të Kryeredaktorit të RD në protestën e 26 Majit, hetuesi i diktaturës, sot ministër i Brendshëm ka avancuar me survejimin e Kryetarit të opozitës.
Survejimi është një privim nga liritë themelore të ushtrimit të detyrës së kryetarit të partisë më të madhe të opozitës. Ai është një shkelje flagrante e ligjeve dhe intimidim i hapur ndaj opozitarizmit. Qëllimet janë ato të një bande kriminale që për të ruajtur kontrollin e territorit kërkojnë të nënshtrojnë opozitën.
Një arsye tjetër që Rama dhe Xhafa kanë vendosur survejimin e Kryetarit të PD lidhet edhe me informacionet e shumta që opozita merr për skandalet e ministrave të qeverisë. Duke survejuar Kryetarin e PD ata kërkojnë të gjejnë edhe njerëzit që sot i janë drejtuar opozitës për të denoncuar këto skandale.
Policia mban në survejim 24 orë në 24 Bashën dhe familjen e tij
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dhe familjarë të afërt të tij po mbahen në survejim nga segmente të Policisë Operacionale.
Burime të besueshme konfirmojnë për “Panorama” se çdo lëvizje e kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe familjarëve të afërt të tij, prej disa kohësh monitorohen 24 orë në 24 nga segmente të caktuara të Policisë Operacionale.
Survejimi i plotë i familjes Basha ka ardhur menjëherë pas denoncimit në media nga opozita i audiopërgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Panorama” u interesua përmes burimeve të saj për të zbuluar arsyet e këtij survejimi të strukturave të Policisë së Shtetit ndaj kreut të opozitë shqiptare.
Sipas këtyre burimeve konfidenciale rezulton se brenda strukturave të Policisë nuk konfirmohet urdhëruesi i këtij survejimi./Panorama/
Basha takim urgjent me drejtuesit kryesor të PD
Pas lajmit se Lulzim Basha dhe familja e tij janë duke u mbajtur nën survejim nga policia, me urdhër të Fatmir Xhafajt, ka ardhur edhe reagimi i parë i kreut të opozitës.
Burime nga Partia Demokratike kanë bërë të ditur se kreu i opozitës Lulzim Basha ka mbledhur drejtuesit e PD-së dhe të grupit parlamentar pas lajmit për survejimin e paligjshëm nga policia të kreut të opozitës dhe familjes së tij.
Në takimin urgjent janë të pranishëm nënkryetarët e PD, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, nënkryetarët e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka dhe deputetet Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri dhe Ervin Salianji.
Fatmir Xhafaj ka urdhëruar struktura të caktuara të policisë që të mbajnë në vëzhgim Bashën dhe familjen e tij, që prej plasjes së skandalit të trafikut të drogës nga Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm.