Publikohet projekti për Teatrin Kombëtar, Regjisori: Plasini sytë! Ja ku i keni kullat, në krah të monstrës

Mes zhurmës për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu, është publikuar një nga projektet e mundshme të godinës së re. As Ministria e Kulturës dhe as Bashkia e Tiranës, nuk kanë publikuar ende asnjë të dhënë, por Report TV ka publikuar një video, ku tregohen projekti i Teatrit Kombëtar, që është bërë nga arkitekti danez, Bjarke Ingels.
Pjesa më e madhe e artistëve e kanë kundërshtuar prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe zhvendosjen e tyre në sallat e reja në godinën ‘Turbina’.
Regjisori Kastriot Çipi e ka kundërshtar projektin e publikuar, duke e cilësuar një ‘monstër betoni’ që përdhos historinë dhe që hapësirën e teatrit e përdor për ndërtimin e kullave.
‘Nuk e di çfare u ka pelqyer kolegeve nga kjo monster betoni qe perdhos historine, po sa per kullat, plasini syte! Ja ku i keni, në krah te monstres, NE TRUALLIN E TEATRIT!’, shkruan Çipi në Facebook.

Protesta e artistëve
Artistët e Teatrit janë ngritur në protestë kundër zhvendosjes së Teatrit, siç parashikohet në pr/ligjin e kundërshtuar prej tyre. Ata kanë protestuar sërish dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar. Ata kërkojnë transparencë për gjithçka dhe kërkojnë takim me Kumbaron. “I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente, pasi e-mailet që supuzohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur”, u shprehën artistët.
Artistët kërkojnë që me ministren e Kulturës të takohen vetëm në Teatrin Kombëtar. Ftesa e Mirela Kumbaros për bisedë me ta është të mërkurën në orën 16:00, në institucionin që ajo drejton, pa praninë e mediave, por që është kundërshtuar nga artistët. Qëndrimin e tyre e dhanë pas një konference-protestë të mbajtur në hollin e Teatrit Kombëtar. “Jo në zyrë, por në Teatër. Të presim zonja ministre”, tha Arben Derhemi.
Për shkak se dera për në sallën e Teatrit Kombëtar ishte e mbyllur, pasi fillimisht aktorët e regjisorët e teatrit duhet të pajiseshin me leje nga Drejtoria e Teatrit Kombëtar, protesta u mbajt në holl. Asaj iu bashkuan edhe dramaturgë, aktorë e regjisorë nga Shkodra dhe Vlora dhe institucioneve të tjera kombëtare kulturore, Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave.

“Neve na fusin në vërën e miut, atje te hidrocentrali”, tha Bujar Asqeriu. “Nuk kemi foni, nuk kemi ndriçim, nuk kemi karrige, nuk kemi ngrohje. E megjithatë bëjmë Teatër”, tha Rita Gjeka.
“Kontratat e punës që pretendon ministrja e Kulturës që ka sjellë një risi në këtë vend, janë litari që u është vënë në fyt të gjithë artistëve”, tha Shegushe Bebeti.
Peticioni për anulimin e vendimit për zhvendosjen e trupës së Teatrit Kombëtar te “Turbina” është firmosur deri më tani nga mbi 4 mijë qytetarë, ndërkohë që u hodh propozimi që në adresë të Parlamentit, artistët të nisin një kërkesë të argumentuar për anulimin e projektligjit për artin dhe kulturën.
Në lidhje me ndërtimin e Kullës, Kumbaro tha më herët se po mbarojnë punimet në qendrën e artit e pagëzuar me emrin Turbina. “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e Teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do të vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti, por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe ne këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”.

Exit mobile version