Qytetarët nuk arritën dje të merrnin shërbime nga shteti. As bizneset, zyra si ato të hipotekave, patentave e të tjera institucione shtetërore nuk u hapën. Këshilli i Ministrave e shpalli të hënën ditë pushimi, si shpërblim për administratën, për miratimin e Reformës në Drejtësi. Për pasojë, qytetarët i gjetën sportelet mbyllur edhe pse për disa prej tyre, shkelja e afateve në plotësimin apo marrjen e dokumentacioneve mund të sjellë dëme të formave të ndryshme e penalitete. Ndërsa në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor në Kashar, qytetarë të shumtë që bënë disa kilometra për të regjistruar pronësinë e automjeteve, për të kryer kontrollin fizik apo për të tërhequr patentat, nuk mundën të kryenin asnjë shërbim. Në të gjitha institucionet, që këtë të hënë e patën pushim si dhuratë, edhe pse nuk kuptohet cili ishte roli i tyre në miratimin e reformës, qytetarët kanë ndeshur vetëm rojet, nga ku kanë marrë përgjigjen se shërbimet shtetërore, për të cilat ata paguajnë, nuk mund t’i marrin.