Si bizneset ashtu dhe individët që kanë blerë pasuri të paluajtshme nuk janë ndikuar shumë nga rënia e normave të interesit në kërkesën e tyre për kredi. Për kredimarrjen e bizneseve rëndësi kanë pasur faktorë të tjerë, si shtrëngimi I huasë nga bankat, apo situara makroekonomike, ndërsa për individët që duan të blejnë shtëpi, ka ndikuar tregu I pasurive të paluajtshme po kërkesa e tyre për një shtëpi. Në kahun tjetër rritja e kredive me probleme ka ndikuar negativisht në vendimarrjen e bankave për të dhënë hua të re, sidomos për sektorët e ndërtimit dhe industrisë përpunuese. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë Adela BODE dhe Arisa GOXHAJ (SAQE) nga Departamenti i Stabilitetit Financiar kanë kryer studimin LIDHJA MIDIS TREGUESVE TË KREDISË SIPAS KORRELACIONEVE TË NDRYSHUESHËM NË VARËSI TË KOHËS. Qëllimi i këtij materiali është të vlerësojë lidhjen midis ecurisë së kredisë së re, normës së interesit, si dhe cilësisë së portofolit të kredisë në Shqipëri. Nga rezultatet e përftuara, autorët kanë arritur në përfundimin se ulja e normës bazë të interesit, ka ndikuar në rënien e normës së interesit për kredinë në lekë, duke ndihmuar kështu edhe kreditimin në monedhën vendase. Bankat tona kanë qenë (dhe vazhdojnë të jenë) të ekspozuara ndaj rrezikut të tërthortë të kursit të këmbimit, pasi rreth 60% e kredisë është dhënë në valutë dhe brenda kredisë në valutë rreth 44% e saj rezulton të jetë e pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit. Forcimi i monedhave të huaja (kryesisht euro), do të rriste paaftësinë paguese për këta agjentë. Si rrjedhojë, rënia e normës bazë dhe për rrjedhojë rënia e normës së interesit për kredinë në lekë, ka ndikuar në ngushtimin e peshës së valutës dhe reduktimin deri diku të rrezikut të tërthortë të kursit të këmbimit, duke zgjeruar kreditimin në monedhën vendase. Së fundmi, korrelacioni midis kredisë së re në lekë dhe normës përkatëse të interesit paraqitet negativ si për bizneset, ashtu edhe për individët, duke reflektuar rënien e normës së interesit për kredinë në lekë në rritjen e vëllimit të kredisë së re. Aktualisht, ky korrelacion negativ është më i fortë për individët. Korrelacioni midis kredisë së re dhënë bizneseve dhe normës së interesit, ka shfaqur luhatje ndër vite dhe rezulton i dobët. Kjo tregon se bizneset janë më pak të varur nga ecuria e normës së interesit. Faktorë të tjerë, si ngushtimi i ofertës së kreditimit nga ana e bankave, kushtet e pafavorshme makroekonomike etj, kanë qenë disa faktorë të rëndësishëm, të cilët janë bërë pengesë e varësisë së ecurisë së kredisë së re nga ulja e normave të interesit vitet e fundit, për bizneset. Për individët, rezulton një korrelacion pozitiv i normës së interesit të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe kredisë së re, çka tregon se rënia e normës së interesit nuk ka ndihmuar në nxitjen e kreditimit për këtë qëllim në vitet e fundit. Kjo përqasje duket të ketë reflektuar zhvillimet në tregun e banesave, standardet e kreditimit nga ana e bankave dhe kërkesën më të dobët të individëve për kredi për pasuri të paluajtshme për këtë periudhë. Përsa i përket ndikimit të kredive me probleme në kredinë e re, ka një lidhje negative midis kredisë me probleme dhe fluksit hyrës të kredisë, pra një ndikim negativ të ecurisë së kredive me probleme në kreditimin e ekonomisë. Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së kredisë dhënë në monedhën vendase, dy vitet e fundit, ka dhënë ndikim në zbutjen e këtij korrelacioni. Norma e kredive me probleme paraqitet e lidhur dobët me kreditimin e bizneseve, ndërkohë që tregon një lidhje të theksuar negative për individët. Vlerësimi i korrelacioneve për kredinë e re të alokuar për sektorët kryesorë të ekonomisë dhe normën e kredive me probleme për këta sektorë, rezulton në një lidhje negative për sektorin e ndërtimit dhe për industrinë përpunuese, duke ndikuar negativisht zgjerimin e kreditimit për këta sektorë. Në këto kushte, bazuar në rezultatet e mësipërme, përmirësimi i cilësisë së kredisë pritet të japë impulse pozitive në zgjerimin e kredisë së re.
Pse u përkeqësua portofoli i kredisë me probleme
Përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredive, i cili në Shqipëri u përshpejtua dhe filloi të marrë përmasa shqetësuese pas vitit 2009, është pasojë e rritjes së shpejtë të kreditimit, gjatë periudhës para krizës. Kjo vjen për shkak se gjatë periudhës së zgjerimit të portofolit, kredia alokohej në ato segmente të huamarrësve (biznese apo individë) që në periudha normale konsiderohen si me rrezik të lartë. Sipas një studimi të FMN-së (2006), fillimisht gjatë rritjes së shpejtë të kreditimit, pesha e kredive me probleme ndaj totalit bie, e shkaktuar kjo edhe nga fakti se një portofol i ri kërkon kohë që të shfaqë probleme. Por ndërsa portofoli maturohet, raporti i kredive me probleme fillon të rritet, madje mbi nivelet e mëparshme. Ky është ai që në literaturë njihet si “efekti i plakjes”, sipas të cilit kreditë e pashlyera arrijnë kulmin 3-4 vjet pas dhënies së kredive (Borio et al., 2001). Gjithashtu, sipas një studimi të bërë nga Ceca dhe Shijaku (2011) mbi një model mbi rrezikun e kredisë për Shqipërinë, autorët kanë dalë në rezultatin se ekziston një efekt i rëndësishëm i ndryshimeve në kursin e këmbimit të euros dhe normës së interesit të euribor-it në raportin e kredive me probleme, ndërkohë që efekti i rritjes së PBB-së edhe pse i ulët, ka gjithashtu një rëndësi të veçantë. Forcimi i euros ka rritur aftësinë mospaguese, duke zgjeruar edhe raportin e kredive me problem.