Putini nuk do që Donald Trump të fitojë

Christopher Smart

Eshtë e mundur që kur Presienti rus, Vladimir Putin, ngre sytë nga yjet në qiell gjatë natës dhe imagjinon botën e ëndrrave të tij, ai buzëqesh me mendimin e Donald Trumpit president të SHBA. Atij mund t’i pëlqejë ideja e një udhëheqësi amerikan, që është i fokusuar tek ligji dhe rendi brenda vendit, dhe jo tek ndërtimi i demokracisë jashtë tij. Atij mund t’i pëlqejë madje stili i krekosur i udhëheqjes së Trumpit, që i kushton aq shumë vetes së tij.
Por kur zgjohet nga ëndrra, Putini e kupton se nuk mund të jetë në interesin e Rusisë, që Trumpi të fitojë në nëntor. Për këtë arsye, nuk mund të ketë një plan serioz të Kremlinit – me mjete kibernetike apo të tjera – për të ndihmuar në orkestrimin e zgjedhjes së Trumpit.
Sigurisht, nuk është e vështirë të imagjinosh që hacker-ët rusë arritën të futen në serverat e Komitetit Kombëtar të Demokratëve, apo ata të përdorur nga Hillary Clintoni gjatë fushatës, si pjesë e përpjekjeve të spiunazhit që vënë në shënjestër qeveri, korporata dhe organizata politike të të gjithë llojeve. Në shekullin 21, shërbimet e fshehta të Kremlinit do të akuzoheshin për neglizhencë profesionale, nëse nuk do të përpiqeshin vazhdimisht të kryenin sulme të tilla.
Udhëheqësit rusë kanë gjithashtu një histori të gjatë agjitacioni dhe propagande, ose “agitprop”, si i quanin paraardhësit e tyre sovjetikë, fushatat e mbuluara dhe të zbuluara për të ndikuar opinionin publik në vendet e tjerë. Por këto përpjekje kanë një rezultat të përzierë suksesesh dhe Putini e kupton fare mirë se përzierja e Rusisë mund të shkaktojë kundërpërplasje. Kështu që, mbetet e paqartë se sa shumë koha dhe përmbajtja e rrjedhjeve më të fundit u përcaktuan nga Rusia, apo nga Uikileaks, ku edhe dolën.
Megjithatë, ajo që mbetet absolutisht e sigurtë, është se një vlerësim syçelët nga ana e Kremlinit, duhet të arrijë në konkluzionin se një fitore e Trumpit nuk është në interesin e Rusisë. Mund të jetë argëtuese të shohësh politikën amerikane të përpëlitet, apo të kënaqesh teksa sheh aleatët e Amerikës që përdredhin duart, por një president Trump do ia bënte më të vështirë jetën Putinit.
Interesi kombëtar parësor i Rusisë është ekonomik, teksa po përpiqet të marrë veten nga pasojat e rënies së çmimit të naftës, rritjes së dobët ekonomike në BE, dhe sanksioneve financiare të perëndimit. Sigurisht, interesat e Rusisë përfshijnë edhe dominimin politik mbi fqinjët e vet, gjë e cila është ajo që nxiti ndërhyrjen në Krime, ndërhyrje të cilën tani Trumpi e përshkruan me terma goxha simpatizuese. Këto interesa përfshijnë gjithashtu ruajtjen e përfshirjes historike të Rusisë në Lindjen e Mesme, si dhe “shkuljen” e SHBA, kudo që të mundet.
Por rritja e standardeve të jetesës për rusët mbetet pika qendrore për ruajtjen e pushtetit për Putinin, si dhe trashëgiminë e tij jetëgjatë. Edhe përpara se të ndërhynte në Ukrainë, Putini nuk po arrinte të përmbushte premtimin e tij të madh, të bërë në vitin 2003, për të dyfishuar përmasën e ekonomisë së Rusisë brenda një dekade. Në terma të GDP për frymë, Rusia është ende pakëz më mirë se sa Meksika. Përpjekjet për diversifikimin dhe modernizimin e ekonomisë dështuar, për shkak se teknologjitë e reja dhe strategjitë e biznesit nuk mund të vijnë me dekret nga lart.
Ndërkohë që tregu i naftës është faktori më determinant për perspektivën afatshkurtër ekonomike të Rusisë, pasi zë gjysmën e të ardhurave nga eksportet, rritja afatgjatë kërkon që Rusia të rifutet në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, të tërheqë investime të huaja (dhe të frenojë largimin e kapitalit), si dhe të ri-integrohet në ekonominë globale. Të gjithë këto kërkojnë një ekonomi globale që është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Një presidencë Trump do të nënkuptonte të kundërtën.
Planet fiskale të Trumpit, që përfshijnë shkurtime masive të taksave pa një reduktim të besueshëm të shpenzimeve, do të shkaktonin rritje të normave të interesit në SHBA, duke nxitur trazirë në tregjet financiare. Sugjerimet e tij të herëpashershme se borxhi i SHBA mund të rinegociohet, do të shkaktonin humbje dramatike në vlerën e rezervave në valutë të Rusisë, që kanë qenë vend-ankorimi i sigurtë i saj në stuhinë ekonomike që ka goditur vendin, prej vitit 2014. Kërcënimet e tij për të nisur një luftë tregtare kundër konkurencës së huaj “të padrejtë”, duket se vënë në shënjestër eksportet ruse të çelikut. Dhe paparashikueshmëria e tij në çështjet kyçe gjeopolitike dhe të sigurisë, do të rrisnin rreziqet e jashtme.
Sigurisht, ka një skenar, në të cilin “kimia” personale mes udhëheqësve do të sillte një zbutje të mëhershme të sanksioneve perëndimore. Por kufizimet e Bashkimit Europian për financën dhe tregtinë nuk ka gjasa të zgjasin shumë, sidomos tani që pikëpamjet e forta të Mbretërisë së Bashkuar nuk do të jenë më pjesë e këtij bashkëbisedimi. Sanksionet e BE mund të mbeten për momentin, por përpjekjet aktive të administratës Obama për të mos lënë bankat ndërkombëtare që të financojnë Rusinë, do të jetë e vështirë të vazhdojnë pafundësisht.
Një presidente Clinton nuk do ta bënte shumë më të lehtë agjendën ndërkombëtare të Rusisë, por të paktën kushtet e angazhimit do të ishin të ditura. Pavarësisht tundimit për të turpëruar udhëheqësit e Amerikës me lojëra kibernetike, Putini nuk do të toleronte asnjë lëvizje, e cila qoftë edhe në mënyrë të moderuar, do të rriste shanset për një fitore të Trumpit.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version