Qazim Laci drejt huazimit, në provë te Ajaccio

Qazim Laci në provë te Ajaccio. Mesfushori i përfaqësues Shpresa të Shqipërisë mund ta vazhdojë karrierën në ligën e dytë të futbollit francez, pasi nëse kalon me sukses testin te klubi nga Korsika, do të huazohet për një sezon te Ajaccio. Qazim Laci pritej të provohej edhe në miqësoren që Ajaccio humbi me shifrat 2-0 ndaj St Etteine, por kuqeziu nuk u aktivizua në atë sfidë, megjithatë Laci do të vazhdojë provën te Ajaccio dhe ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi francez, ndërkohë që përpara se të shkonte në provë te skuadra nga Korsika, Qazim Laci ka marrë miratimin e Olympiacosit klubit që zotëron kartonin e talentit shqiptar.
Besnik Hasi, që para pak javësh ka marrë drejtimin e klubit ka Pireu, ka dhënë ok-in që 21-vjeçari të testohet te Ajaccio. Drejtuesit e Olympiacosit besojnë shumë te aftësitë e Qazim Lacit dhe do të huazojnë sërish në mënyrë që të rritet si futbollist dhe në sezonet në vazhdim të jetë gati për t’u shndërruar në një element të rëndësishëm te gjigantët grekë. Në sezonin e fundit, lojtari i kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve luajti në formë huazimi fillimisht te Apoel Nicosia në Qipro, ku gjeti pak hapësira dhe më pas te Levadiakos në Superligën greke, skuadër tek e cila u aktivizua në total në 10 takime në gjysmën e dytë të sezonit.

Exit mobile version