Sion e Lugano në ndjekje të Kukelit

Burim Kukeli mund të nisë një eksperiencë të re në Kampionatin zviceran. Mesfushori me tipare mbrojtëse kërkon të largohet nga Zurich dhe interes për të kanë shfaqur Lugano dhe Sion. Kontrata e mesfushorit kuqezi me Zurich skadon në qershorin e vitit të ardhshëm dhe klubi aktual nuk dëshiron ta humbasë me parametra zero. Në këtë mënyrë, Zurich i ka hapur derën largimit të mundshëm të 33-vjeçarit.
Sion mund të jetë alternativa më e mundshme për mesfushorin e lindur në Gjakovë, pasi drejtimin e skuadrës e ka marrë një njohje e vjetër e tij, ish-ndihmësi i De Biasit, Paolo Tramezzani. Mesa duket është trajneri italian që e kërkon me çdo kusht lojtarin në radhët e skuadrës së tij. Bashkë me Kukelin në radhët e Sionit mund të shtohet një tjetër shqiptar.
Ai është Ermir Lenjani për të cilin klubi zviceran ka nisur kontaktet prej disa javësh me Rennes, klubi që ka në pronësi kartonin e tij. Tramezzani duket i bindur se dy elementët kuqezi mund ta ndihmojnë shumë për të arritur objektivat te skuadra e tij e re. Italiani e mori drejtimin e Sionit vetëm pak javë më parë, pas aventurës së suksesshme te Lugano, ku kontribuoi për kualifikimin e kësaj skuadre në Europa League.

Exit mobile version