Që Edi Rama të bjerë nga pushteti!

Nga Namir Lapardhaja

Sot nuk ka asnjë dilemë se me këtë gjendje ku ndodhet opozita, me një Parti Demokratike të marrë peng nga një familje dhe për hallin e një personi, me një shumësi figurash politike që përveç servilizmit dhe hallit të karriges së deputetit nuk rrezatojnë asgjë tjetër, është thuajse e pamundur që rrotacioni i pushtetit të ndodhë.
Paradoksalisht Edi Rama është më i korruptuar se dje, është më i konsumuar, me afera korruptive më të mëdha gjatë qeverisjes së tij, ndërkohë që opozita është më e dobët.
Koha ka treguar se nuk mjafton konsumimi i kundërshtarit dhe korrupsioni i madh në radhët e qeverisë, që opozita të ngrihet dhe të shndërrohet në alternativë.
Ndryshimi i pushtetit nuk mund të vijë nga ‘egërsia’ e ligjërimit të Berishës nga Ballkoni i katit të 8-të dhe pastaj nga pazari me pushtetin për të mbajtur gjendjen të pandryshuar.
Që ndryshimi të ndodhë, që Edi Rama të bjerë, që vendi të ketë të domosdoshme një qeveri tjetër, duhet që opozita të rregullohet, të shpëtojë nga pengmarrja, të krijojë një fizionomi të re, një ligjërim të ri, larg figurave të së shkuarës dhe në partneritet të plotë me aleatët euroatlantikë.
Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita duhet të japë një alternativë politike me figura që nuk luftojnë kundër drejtësisë dhe SPAK-ut, por janë pasqyra ndryshe e një qeverie të dështuar dhe korruptuar si kjo e Edi Ramës.
Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita, së pari, duhet të fitojë betejën me veten, duke gjetur forca që elementët pozitivë të mbizotërojnë ata negativë, që të ndershmit të triumfojnë mbi të korruptuarit, që progresistët të mundin promovuesit e regresit, që euro-atlantikët të triumfojnë mbi mendësinë bizantine.
Kjo PD me në krye Sali Berishën, që nuk mund të jetë zgjidhës i halleve të opozitës për sa kohë që i është bërë asaj halli më i madh mbi shpinë, shfaqet sot më e lodhur se kurrë, më e përçarë se asnjëherë tjetër dhe më e vjetëruar se vetë e vjetra.
Është ky mjerim dhe kjo situatë e sotme e opozitës, ajo që e mban Edi Ramën në pushtet.
Dhe përderisa demokratët të mos e kuptojnë një gjë të tillë, thjesht do të besojnë alibinë e radhës nga Ballkoni Anti SPAK: Pushteti na vodhi votat i ndihmuar edhe nga tradhtarët e jashtëm dhe të brendshëm në radhët tona.

Exit mobile version