Shkëlqimi dhe rënia e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës

Pas disa vitesh në krye të dikastereve publike një grup drejtorësh të Bashkisë Tiranë u shfaqën si investitorë dhe sipërmarrës të suksesshëm në ndërtim e turizëm. Prokuroria e Posaçme dyshon se suksesi i tyre buron nga një skemë abuzive me tenderat.

Drejtorët dyshohet se ushqyen me punë publikë një kompani fiktive, paratë e përfituara prej së cilës i investuan gjetkë. Deri më sot SPAK-u ka proceduar penalisht të paktën gjashtë drejtorë: Redi Molla – ish-drejtor i UKT-së, Mariglen Qato – ish-drejtor i IMT-së, Taulant Tusha – ish-drejtor i Punëve Publike, Eglantina Zere – ish-drejtore e Tirana Parkingut, Enton Punavija – ish-drejtor i Transportit, Deborah Keçi – ish-drejtore e Klubit Sportiv Tirana.

Gjykata e Posaçme miratoi në mars të këtij viti tre masa sigurie “arrest me burg” për  Mollën, Tushën,  Qaton, dhe gjashtë masa të tjera sigurie “detyrim paraqitje” për zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë aferë.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se Redi Molla dhe Mariglen Qato përgjatë kohës që ushtronin funksionin e drejtorit kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera nga viti 2016 deri në 2020. SPAK-u ka prova se kjo shoqëri zotërohej nga 3 persona të cilët ishin ortakë fiktivë, ndërsa ortakët e vërtetë dhe pronarët ishin “drejtorët”.

Pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u distancua nga aktiviteti i ish-drejtorëve me të cilët ka bashkëpunuar prej nëntë vitesh. Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Veliaj sqaroi se ai nuk ka marrë kurrë asnjë përfitim nga tenderat për të cilët akuzohen ish-bashkëpunëtorët dhe se nuk e ka shkelur ligjin asnjëherë.

Të akuzuarit janë pjesë e dosjes për të cilën SPAK-u ka nisur hetimet në prill 2023 për veprat penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe kallëzimit që opozita bëri një muaj më pas, në maj 2023. Të dy procedimet penale u bashkuan në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Një Bukëpjekës Pronar I “5D”
Credit: shteg.org

Një furrë buke buzë rrugës “Fatmir Haxhiu” në Tiranë prej vitesh është ndalesë për shumicën e qytetarëve që presin urbanin në stacionin e “Rrugës së Elbasanit”. Mjeshtëria e prodhimeve të këtij biznesi familjar përfshin përvojën e bukëpjekësve të vjetër Vjollca dhe Muhamet Petriti, vajzës dhe dhëndrit të tyre.

Por përtej vetratës me prodhime brumi, familja Petriti duket se mbante fshehur një sipërmarrje paralele me të ardhura të shumëfishta.

Ishte 11 marsi i vitit 2021 kur mes fluksit të blerësve u shfaq Nestor Muhametllari. Ai kërkoi të takonte Metin, sikurse e thërrasin shkurt bukëpjekësin.Të dy kishin “punë në bankë”. Nestori  pak ditë më parë i kishte dhënë Metit një sasi parash për blerjen e një kompanie. Meti duhej t’i tërhiqte dhe t’ia kthente sërish mikut të tij.

Këto transaksione janë pjesë e një skeme të cilën SPAK-u dyshon se përfshiu dhëndrin e Metit, Alfred Qato, vëllanë e tij Mariglen Qato, ish-drejtor ky në Bashkinë e Tiranës, kolegun e tij Redi Molla dhe disa zyrtarë të tjerë.

Hetimet zbuluan se bukëpjekësi Muhamet ishte prej katër vitesh pronar i kompanisë “5D” e cila – deri në mars të vitit 2021 – kur ky ia kaloi Nestor Muhametllarit, gëzoi sukses duke fituar 24 tendera publikë me vlerë prej rreth 1.5 miliardë lekësh (13 milionë euro).

Por ky sukses ekonomik nuk ndryshoi asgjë në jetën e Metit. Pavarësisht se ishte për katër vite pronar i kompanisë, ai vijoi punën si bukëpjekës me pagë minimale në biznesin e familjes.

Të dhënat bankare tregojnë se në tre vite (2019-2021), Meti mori rreth 34 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) të ardhura si dividend nga kompania “5D”. Megjithatë, prokuroria është e bindur se ai nuk përfitoi asnjë pjesë prej këtyre parave pasi i tërhoqi për llogari të vëllait të dhëndrit dhe miqtë e tij.

Kryqëzimi i të dhënave të gjetura nga dokumentet e kompanisë dhe punonjësve të saj kanë nxitur prokurorinë të thellojë dyshimet sipas së cilave ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Qato e Molla, ishin pronarët e vërtetë të kompanisë dhe Meti u përdor për të nxjerrë fitimet për llogari të tyre.

Bisedat e zbardhura nga prokuroria mes Nestorit dhe dhëndrit të Metit, Alfred Qato, treguan se megjithëse në letra Nestori ishte vartës i Metit, ai nuk kishte asnjë komunikim me të, madje nuk i kishte as numrin e telefonit.

Ndryshe me dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Qato dhe Molla – nga shtatori 2019 deri në qershor 2023 – Nestori numëroi mbi 1,500 thirrje telefonike me një mesatare prej të paktën një telefonate në ditë.

Më 29 mars 2024, SPAK-u arrestoi dy ish-drejtorët duke i akuzuar për “korrupsion” dhe “fshehje pasurie”. Paralelisht u ngrit akuza për shkelje të barazisë në tendera për gjashtë ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë, mes të cilëve dhe për ish-drejtorin e Drejtorisë së Punëve Publike Taulant Tusha, i cili qe arrestuar në gusht 2023 për shkelje në lidhje me koncesionarin e menaxhimit të mbetjeve të Tiranës.

Por Gjykata e Posaçme Apelit nuk u pajtua me cilësimet e veprës penale që SPAK-u i bëri veprimtarisë së dyshuar kriminale të dy ish-drejtorëve Qato e Molla. Në vendimin e 3 majit 2024, të disponuar nga SHTEG-u, në të cilin gjykata shqyrtoi apelimet e masave të sigurisë, ajo vlerësoi se ata duhet të procedoheshin penalisht për grup të strukturuar kriminal, përvetësim pasurie publike, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Krijimi dhe ngritja e “5D”-së

Kompania “5D” u krijua në janar të vitit 2016 nga një mik i vëllezërve Qato, i quajtur Eduard Meta, elektricist, i cili vijoi punët private dhe u shkëput shpejt nga sipërmarrja.

Për gjashtë vite, deri në nëntor 2022, “5D” do të shpallej fituese në të paktën 32 tenderë publikë me mbi 2.8 miliardë lekë (27 milionë euro) vlerë totale investimi. Në hetimet paraprake, SPAK-u ka gjetur shkelje në thuajse gjysmën e këtyre tenderave.

“5D” në shumicën e rasteve nuk plotësonte kushtet për të marrë pjesë në garë. Sidoqoftë, ajo shpallej fituese si bashkim operatorësh me kompani të tjera. Pjesa kryesore e tenderave jepej nga Bashkia Tiranë, institucion ky në të cilin Qato dhe Molla kishin kontakte të forta, siç dëshmojnë lidhjet me ish-drejtuesit: Taulant Tusha i Punëve Publike, Enton Punavija i Transportit apo Eglantina Zere e Tirana Parkingut.

Nga 32 tendera ku u shpall fitues “5D”, 27 ishin në bashkëpunim me 20 kompani të tjera. Ajo bashkëpunoi më së shumti me “Kola Invest” (7 raste) me pronarë sipërmarrësit Jani dhe Sofokli Kola, si dhe “Rroku Guest” (4 raste) që zotërohet nga Vera Gega, bashkëshorte e Rrok Gegës, i dënuar për skemë mashtrimi me faturat tatimore.

Por “5D” pati bashkëpunime dhe me kompani të mëdha për nga volumi i punëve publike, si: “Fusha” apo “Mane TCI” i sipërmarrësve të njohur Shkëlqim Fusha e Samir Mane.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka konstatuar se në hetimet paraprake SPAK-u nuk verifikoi nëse kompanitë që bashkëpunuan me “5D”-në kishin pasur apo jo dijeni se çfarë përfaqësonte kjo sipërmarrje. Gjithashtu, nuk kishte vlerësim paraprak nëse edhe ato mund të konsideroheshin në aktivitet kriminal si “5D”.

Pesë tenderat ku “5D” mori pjesë e vetme në garë patën një vlerë relativisht të ulët investimi prej vetëm 88 milionë lekësh (850 mijë euro). Nga këto, tenderi me vlerën më të madhe ishte ai për ndërtimin e një shëtitoreje me korsi biçikletash në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë gjatë vitit 2021.

SPAK-u dyshon se paratë e fituara nga tenderat publikë prej “5D”-së u nxorën më pas nga kompania për të ushqyer si kapitale investimi sipërmarrje të tjera. Dyshohet gjithashtu se një pjesë e xhiros u nxor jashtë sistemit bankar përmes skemës së pagesave për punë fiktike.

Hetimet tregojnë se “5D” u regjistrua si biznes pak javë përpara se Mariglen Qato dhe shoku i tij, Redi Molla, të emëroheshin drejtues në Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT).

Molla u emërua drejtor i Përgjithshëm në shkurt 2016, ndërsa Qato, drejtor i Departamentit Mbështetës mesin e muajit mars. Të dy qenë njohur gjatë kohës që punonin në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë Tiranë.

Pa bërë gjashtë muaj nga krijimi, në maj të vitit 2016, “5D” fitoi tenderin e parë, pikërisht nga UKT. Ajo u shpall fituese në bashkëpunim me kompaninë “Kola Invest” për ndërtimin e një depoje uji, megjithëse nuk plotësonte kushtet.

Në komisionin e vlerësimit të ofertave ishte Mariglen Qato, Durim Mustafa dhe Manjola Bunguri, kjo e fundit më vonë do të punësohej në “5D”, ndërsa Mustafa do të përfshihej në marrëdhënie sipërmarrjeje me një ish-drejtor tjetër për ndërtimin e një hoteli në jug. I njëjti komision do ta shpallte fituese kompaninë e kamufluar në të paktën dy tendera të tjerë për ndërtim rrjeti ujësjellësi dhe rikonstruksion kolektori.

Tenderat e parë ishin në vlera relativisht të vogla, 5-14 milionë lekë, dhe “5D” u fut në bashkëpunim me “Kola Invest” dhe “Rej” të Luan Kaprit, kushëri i ish-kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri. SPAK-u ka vënë re se në këto tendera pjesa kryesore e punimeve merrej përsipër nga kompanitë bashkëpunëtore, jo nga “5D”.

Përvoja duket se nxiti ndryshime. Kompania ishte ngritur, por tashmë duhej riorganizuar për një tjetër nivel. Në vitin 2018 sipërmarrja i kaloi për 100 lekë Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos. Ndërkohë, administrator u vu Nestor Muhametllari, mik i Redi Mollës. Të dy qenë njohur kur punonin në kompaninë “Gener 2” në vitet 2013-2015.

Pas ndryshimeve, ku secili nga drejtorët duket se vendosi njerëz të afërt në drejtimin e kompanisë, brenda muajit gusht 2018, “5D” u shpall fitues nga UKT në tre tendera të tjerë. Në dy prej këtyre tenderave, kompania sërish ishte në bashkëpunim me “Kola Invest”. Vlerat e tyre ishin deri katër herë më të larta se të mëparshmet.

Pesë ditë pas tenderit të fundit në UKT, më 25 gusht 2018, Mariglen Qato u zhvendos me detyrë duke kaluar drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë.

Por do të ishte viti 2019 ai që do të sillte horizonte të reja. “5D” u shpall fituese në katër bashkëpunime me “Rroku Guest”, dy prej të cilave në Bashkinë Shkodër. Si e vetme fitoi një tender në UKT dhe dy tendera të tjerë nga “Tirana Parking”. Në dy nga këta tendera SPAK-u ka gjetur shkelje ndërsa në njërin prej tyre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave ishin ish-drejtorët Taulant Tusha dhe Enton Punavija. Ndërkohë, vendimtare në tenderat e “Tirana Parking” dyshohet të ketë qenë ndërhyrja e ish-drejtoreshës Eglantina Zere.

Gjatë kësaj periudhe në llogarinë e Muhamet Petritit alokohen mbi 34 milionë lekë të ardhura si fitim dividendi, të cilat ai i nxjerr nga banka duke kryer tërheqje të njëpasnjëshme deri në tetorin e vitit 2020. Prokuroria dyshon se këto para iu kaluan Qatos dhe Mollës.

Në vitin 2020 Molla largohet nga UKT duke kaluar drejtues i një kompanie publike ndërtimi të ngritur nga Bashkia Tiranë të quajtur “Tirana DC”. Megjithatë, kjo nuk i zbehu sukseset e “5D”-së, përkundrazi.

Në mars 2021, përmes një shitjeje fiktive, “5D” i kaloi në zotërim mikut të Mollës, Nestor Muhametllarit. Mbetet e paqartë nëse me largimin e Muhamet Petritit përfunduan interesat apo lidhjet e Qatos me “5D”-në.

Pasi mori në zotërim kuotat e Muhamet Petritit në kompani, Muhametllari tërhoqi dividendin e pashpërndarë për vitet e shkuara në vlerë 31.5 milionë lekë (rreth 300 mijë euro). Prokuroria dyshon se këto para iu kaluan Mollës.

Pas këtyre lëvizjeve “5D” zgjeroi kapacitetin duke u shpallur fituese në 8 tendera gjatë vitit 2021, katër prej tyre tenderave ishin nga programi i rindërtimit ku parashikohej shembja e 22 pallateve dhe ndërtimi i dy shkollave 9-vjeçare “Dritas” dhe “Hasan Vogli”.

Shembja e pallateve në periferi të Tiranës u shoqërua me akuza të forta nga opozita për manipulime me vlerësimet teknike pas së cilave, sipas opozitës, fshiheshin synime klienteliste ndërtimi.

Pikërisht në këtë periudhë “5D” u hodh në sektorin e ndërtimit duke marrë lejen e parë për zhvillimin e një pallati 9-katësh në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Për dy vite me radhë, deri në vitin 2023, “5D” do të merrte edhe tre leje të tjera ndërtimi në kryeqytet.

Aktualisht, prej 9 korrikut 2024, “5D” dhe projektet e saj janë vënë nën sekuestro nën dyshimin se kompania u përdor për përvetësim fondesh dhe pastrim parash.

Nga tenderat tek investimet strategjike

Credit: shteg.org

Në shtator 2020 pesë sipërmarrës u bënë bashkë në një grup investimi për të ndërtuar një hotel 16-katësh pranë portit të Durrësit. Me 87 milionë lekë (700 mijë euro) kapital themeltar, ata morën përsipër ngritjen e një hoteli luksoz, i cili parashikonte 15 milionë euro vlerë investimi.

Mirëpo grupi duket se fsheh pas një skemë të dyshimtë qarkullimi dhe investimi parash. Hetimet e SPAK-ut kanë nxitur dyshime të arsyeshme sipas të cilave një pjesë e kapitalit themeltar të grupit investitor erdhi nga paratë që u nxorën nga kompania “5D”, gjë e cila ka arsyetuar masën e sekuestros së një pjese të aksioneve vendosur më 9 korrik 2024.

Ajo që shton dyshimet e SPAK-ut, është fakti se projekti i hotelit i ishte besuar për t’u ndërtuar kompanisë “5D”, duke mbajtur kështu një cikël të mbyllur. Lidhjet mes personave të përfshirë dhe bisedat e zbardhura mes ish-punonjësve të kompanisë rëndojnë më tej pozitat.

Në këtë rast, përveç lidhjeve me ish-drejtorët Redi Molla e Mariglen Qato, në horizont del dhe një tjetër ish-drejtor i Bashkisë Tiranë, Elvin Tivari, si dhe sipërmarrësi i njohur, Gazmend Haxhia, i cili aktualisht është nën hetim si përfitues nga skema e shpërdorimit të fondeve të Bashkimit Evropian për të cilat po hetohet ish-ministri Ilir Beqaj.

Më 4 shtator 2020, Gazmend Haxhia, Selim Molla dhe kushërinjtë Dritan Kadiu dhe Elvin e Bledar Tivari firmosën për nismën që u quajt “Mediterranean Investment Group”. Përveç Bledar Tivarit, katër të tjerët u angazhuan në këtë sipërmarrje pas emrave të kompanive të tyre – “Landways International” Haxhia, “Restur” Molla, “Daktur” Kadiu dhe “Etitur” Tivari.

Molla, Kadiu e Tivari i kishin themeluar kompanitë me 100 lekë kapital themeltar vetëm tre ditë më përpara, më 1 shtator 2020. “Daktur” dhe “Etitur” kishin seli hotel “Lidon”, që zotërohet nga Dritan Kadiu. Ky hotel, te rruga “Aleksandër Goga”, pranë “Rotondos Bizantine” në Durrës, u bë gjithashtu seli e grupit të investimit “Mediterranean”.

Një muaj pasi formuan grupin e investimit, ata kishin gati projektin e hotelit, ndërsa një vit më vonë firmosën marrëveshje bashkëpunimi për të sjellë në Durrës një markë të njohur të hotelerisë ndërkombëtare. Marrëveshja e veshi hotelin me emrin “Crown Plaza” duke kaluar në hije investitorët e dyshimtë shqiptarë.

Selim Molla, asokohe 72 vjeç, pa histori sipërmarrjeje nxori nga xhepi 20 milionë lekë (168 mijë euro) për të garantuar 24% të aksioneve të grupit. I ndjeri, ishte baba i Redi Mollës, i cili ia la trashëgim kompaninë “Restur” dhe kuotat në grupin “Mediterranean Investment” pas ndarjes nga jeta në dhjetor 2023.

SPAK-u dyshon se paratë erdhën nga tërheqjet e dividendit të “5D”-së nga Nestor Muhametllari dhe Muhamet Petriti për llogari të ish-drejtorit të UKT-së, Redi Molla, dhe mikut të tij, gjithashtu ish-drejtor pranë Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato.

Ortaku i Mollës te hoteli në Durrës, ish-vartësi i tij, Elvin Tivari, ka një angazhim të njohur mes administratës publike si drejtor i Departamentit të Shitjeve në UKT dhe sipërmarrjes në tregtinë e kafes, pijeve dhe mallrave me akcizë.

Në vitin 2018, edhe pse ishte drejtues në UKT, kompania e tij “Gourmet & CO”, fitoi tender për furnizimin e Bashkisë Tiranë me ujë të ambalazhuar.

Biznesi në turizëm ka ecur vaj për ish-drejtorin e UKT-së Tivari. Ai ka gjetur mundësi të investojë në një tjetër hotel në Dhërmi dhe madje të sigurojë leje për zgjerimin e tij vetëm pak vite pas hapjes.

Tivari rezulton ortak në hotelin luksoz “La Brisa” në Dhërmi me Fatos Malajn, vëllanë e kryetarit socialist të Bashkisë Mat, Agron Malaj. Ky biznes është regjistruar në vitin 2022 me kapital themeltar 1.5 milionë euro, nga ku 600 mijë euro janë investuar si kontribut i Tivarit.

Por ky bashkëpunim në sipërmarrje me ish-drejtorin e UKT-së, e ka një zanafillë.

Malaj zotëron kompaninë e themeluar nga vëllai i tij “Global Security”, e cila rezulton ndër përfitueset kryesore nga tenderimet e institucioneve publike sa i takon sigurisë.

Në vitin 2017 “Global Security” përfitoi 84 milionë lekë (ose 840 mijë euro) nga tre kontrata shërbimi me negocim direkt prej UKT-së për roje fizike apo roje deposh uji. UKT drejtohej asokohe nga Redi Molla dhe vartës i tij ishte pikërisht Tivari.

Në periudhën 2017-2021 “Global Security” rezulton përfituese edhe në 13 kontrata të tjera për ruajtje, të dhëna nga Bashkia Tiranë për një total prej 3.6 miliardë lekësh (ose ndryshe 36 milionë euro)./shteg.org

Exit mobile version