Fermerët e disa fshatrave të bashkisë Maliq të cilët kanë kultivuar qepë po përballen me një fenomen të pazakontë.
Prodhimi për një pjesë prej tyre është kalbur që në tokë ndërsa ata që e kanë mbledhur më herët dhe kanë nisur procesin e seleksionimit po konstatojnë probleme të ndryshme.
Pasi i kanë lënë nëpër parcela që të thahen kanë vënë re se qepët e mbledhura dy javë më parë kanë nisur të kalben ose të mbijnë në masë, një proces që ndodh zakonisht në fund të dimrit.
Petref Fezaj në fshatin Zvirinë ka nisur t’i mbledhë qepët por nga i gjithë prodhimi që priste të merrte thotë se vetëm një përqindje e vogël mund të tregtohet. Ai dyshon se kalbëzimi masiv i qepës ka ardhur për shkak të farës që ka blerë
Këto ditë në fshatin Zvirinë është thuajse normalitet të shohësh qepë të lëna në tokë, të hedhura në kanale apo kontenierë ndërsa për fermerët kostot janë të mëdha.
Përballë kësaj situate ata nuk kanë kohë të presin për t’i shitur sepse kanë frikë që prodhimi i tyre nuk mund të rezistojë gjatë. Edhe pse qepa po shitet me 20-25 lekë kg fermerët pohojnë se tregu mungon
Qepa për dekada është konsideruar një ndër prodhimet kryesore të rajonit juglindor dhe Top Channel ka sjellë në vëmendje problematikat e theksuara me të cilat përballen fermerët që nga çmimi i ulët, mungesa e tregut dhe prodhime që hidhen në lumë e kanale.
Pavarësisht pasqyrimit të vazhdueshëm të këtij realiteti të hidhur për fermerët, askush nuk ka gjetur një zgjidhje për të zbutur sadopak problematikën.
6 muaj pas pasqyrimit se si fermerët e Mirasit në Devoll po braktisin kultivimin e qepës për shkak se mbetej stok u rikthyem në fshatin që njihet për prodhimin e kësaj kulture.
Sivjet vetëm 3 familje kanë mbjellë qepë dhe kanë shitur vetëm gjysmën e prodhimit.
Të shqetësuar se do të përballen me të njëjtat probleme të 20 viteve të fundit edhe ata pohojnë se do ta braktisin qepën.
Historia e Mirasit ku fermerët të pafuqishëm për të ndryshuar situatën dorëzohen dhe braktisin prodhimin rrezikon të përsëritet edhe në Maliq ku puna dhe mundi i fermerëve mbeten në mëshirë të fatit.