Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti ka reaguar për rritjen e pragut të notës mesatare për pranimet në universitet. Mehmeti shprehet se me këtë vendim do të kemi dëbim dhe shkatërrim të të ardhmes së të rinjve përmes instrumentit të mesatares
Reagimi i plotë
Qeveria Rama, shkatërroi arsimin e lartë dhe të ardhmen e të rinjve, dhe për rrjedhojë shkaktoi dëbimin e tyre prej vendit, përmes dy instrumenteve shumë efikase: Ligjin e Arsimit të Lartë dhe VKM për mesataren e nevojshme për hyrjen në Universitete. Në këtë mënyrë u shpërfill hapur, tradita, ligji, kushtetuta, mundësitë e barabarta për të gjithë e me radhë.
Neni 57, paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë“Kushdo ka të drejtë për arsimim”.
Ky paragrafi nuk përjashton ndonjë nivel arsimimi. Falë vendimit të Këshillit të Ministrave që del gjithnjë vetëm 1 muaj përpara përfundimit të Maturës Shtetërore, disa qytetarëve të Republikës së Shqipërisë u mohohet kjo e drejtë e arsimimit për arsimin e lartë. Arsyeja e pa provuar dhe pa asnjë mbështetje në matje apo studime serioze: Nota mesatare 6.5, apo, më tutje 7.5, do të rrisë cilësinë në arsimin e lartë!? Rritja pragun e mesatares për pranim, çka vështirësoi së tepërmi praninë e të rinjve në universitet e në veçanti ato të rretheve.
Një qëllim i mirë dhe as dy qëllime të mira nuk plotësohen me mjete të gabuara.
Kush na qenka ai që na parashikoka që maturantët e diplomuar me mesataren nën 6.5, nuk do të kenë sukses në shkollat e larta?! Përvoja botërore ka dëshmuar se edhe talentet shpesh shfaqen jo herët, jo më për nxënës që për shkaqe krejt subjektive si papjekuria e moshës ose rrethana të pafavorshme ekonomike apo arsye nga më të ndryshmet, nuk arrijnë të japin më të mirën në arsimin e mesëm të lartë, por e marrin me përkushtim dhe rezultatet më të larta, kur ndjekin degën e dëshiruar prej kohësh në universitet.
Qeveria dhe Ministria e Arsimit, me vendimet e tyre, ndëshkuan rëndë universitet në rrethe dhe shkatërruan ëndrrën e të rinjve, për të provuar një mundësi më shumë në jetën e tyre.