Qeveria e Republikës së Kosovës ka pritur që drejtësia franceze të marrë vendim për lirimin e plotë të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj, “duke pas parasysh fletarrestin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia”.
Në një komunikatë të lëshuar për mediat, qeveria e Kosovës e cilëson “vendimin e organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të Haradinajt vetëm si një hap dhe pret që Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe të kthehet në Kosovë”.
“Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i Haradinajt, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet e tjera që të mos i marrin parasysh”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, qeveria e Republikës së Kosovës thotë se do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të Haradinajt në Kosovë, si dhe “për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletarresteve të paligjshme serbe”.