“Qytetarët e Tiranës paguajnë ende për një incenerator fantazëm”/ Enriketa Papa: Problematikat e pushtetit vendor në Tiranë

Nga Enriketa Papa*

Në Tiranë pushteti vendor shfaq shumë sfida për banorët, si përballimi i tarifave dhe taksave vendore, e pronës, taksa infrastrukturës arsimore, e ndërtimit.
Buxheti i Bashkisë së Tiranës, afro 300 ml euro u miratua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, më 22 dhjetor 2023 në vetëm 5 min… sipas të njëjtit skenar në Kuvend.

Sipas analizës që kemi kryer, por dhe Open Data Albania nga të ardhurat tatimore, taksa që do të arketojë më shumë të ardhura për buxhetin 2024, do të jetë ajo mbi pasurinë e paluajtshme që ka një rritje afro 53%, krahasuar me vitin 2023, ku vetëm për familjarët rritja do të jetë gati 28%.
Të ardhurat nga taksa e tokës bujqësore do të shënojnë gjithashtu rritjen më të lartë pas asaj të ndërtesës me 40.2%.

Taksa e përkohshme (prej dhjetorit 2015) për infrastrukturën arsimore parashihet të rritet. Kjo taksë abuzive duhet të shërbente për ndërtimin e shkollave dhe institucioneve arsimore dhe çerdheve dhe kopshteve.
Por çfarë ka ndodhur? Ndërtimi i infrastrukturës arsimore është kthyer në një sipërmarrje me PPP. Pyetja që kemi ngritur në Këshillin Bashkiak ka qenë, se ku kanë shkuar të ardhurat e vjelura nga taksa e infrastrukturës arsimore? Sa shkolla, kopshte, çerdhe janë ndërtuar të reja, sa janë rikonstruktuar? Vetëm grupmoshat 0-6 vjeç të Tiranës, përllogariten tek 60.000. Sa prej tyre frekuentojnë cerdhet dhe kopshtet publike? Afro 20.000. Të tjerët?
Me PPP janë ndërtuar, sipas informimit në komisionin e edukimit të Këshillit Bashkiak, vetëm 4 shkolla, asnjë çerdhe, asnjë kopsht. përveçse po kryhen investime vetëm në një çerdhe, çdo projekt tjetër është ende në fazë studimi…. Që do të thotë se ende, Bashkia Tiranë (2015-2024) është në fazë identifikimi të nevojave, zonave, lagjeve apo ambjenteve që mund të merren me qera.

Vetëm në Njësinë administrative 14 (Unaza e Re) ende s’ka asgjë në drejtim të investimeve infrastrukturore arsimore (1 gjimnaz), asnjë çerdhe, kopsht, dhe rrugicat lidhëse dhe komunikuese mes pallateve janë në gjendje të mjerueshme. Çdo gjë gjë është në fazë studimi.
Për vitin 2024 Bashkia ka 10 mld lek të ardhura të mbartura që nuk janë shoenzuar. Aplikimi i të ardhurave në mbartje në nivele kaq të larta kundrejt total të ardhura, sipas #ODA është një fakt tregues i mungesës së eficensës buxhetore dhe mosshfrytëzimit të potencialit për shërbime dhe investime ndaj taksapaguesve, si dhe dëmtim ekonomik i financave publike.

Struktura e shpenzimeve përbëhet nga Shpenzime Personeli me 9 014 258 614 Lekë, Shpenzime Operative 10 350 832 461 Lekë dhe Shpenzime Kapitale (42%) 14 074 448 564 Lekë.
Mbi Personelin, organika e bashkisë është trefishuar nga viti 2015. Sot janë punësuar, 11619 punonjës: 8594 vetëm në Bashki dhe 3025 në shoqëritë aksionere të bashkisë.
Ndërsa më 2011-2015, Bashkia ka patur gjithsej 4190 bashkë me sh.a. e saj.
Interesant është fakti, që BTR tregon një kujdes të vecantë për marketingun e vetevetes, duke përllogaritur blerje në afro 3 mld/lek të pajisjes aparatash fotografike, pajisjesh digjitale, por dhe makina për drejtori të ndryshme nën varësi të bashkisë. Kur Kryetarin e kanë eco-bicikletë, punonjësit çne me makina?
Një premtim sensansional i kryebashkiakut ishte uji 24 orë/ditë. Por vetë Bashkia ble ujë të paketuar…. 700 ml – 1,2 ml lek/vit në shishe.

Ajo kryen tendera publike që sipas mediave përfliten të jenë fituar, pothuajse përherë nga të afërm edhe të ndonjë drejtori të arrestuar tashmë nga SPAK…
Nga këndvështrimi i narracionit politik, perceptimi i korrupsionit tek qytetarët, konsideruar edhe nga zhvillimet e fundit mbi drejtorët e bashkisë së arrestuar apo nën hetim nga SPAK, apo aferën e skandalit të incineratorit të Tiranës, ku ende qytetarët e Tiranës paguajnë për një incinerator fantazëm, një kompani të sekuestruar nga SPAK, që duhet të kryente depozitimin, ndarjen e mbetjeve, kapsulimim/groposjen dhe përpunimin e mbetjeve, incinerim që s’ka, se s’ka incinerator, por sot qytetarët paguajnë.

Nga shqetësimet dhe kontaktet që kemi marrë si grup këshilltarësh bashkiakë, me banorë edhe me përfaqësues të bisneseve, një problematikë që i shtohet kostove të bisneseve ka të bejë me tarifat që bisneset paguajne dyfish për transportin e dherave dhe depozitimin e tyre në landfill, si dhe në një tjetër pagesë shtesë, për marrjen e tyre. Pamjet e përditshme të kamionave të ngarkuar me inerte apo dhe depozitohen në Landfillin e Sharrës, duke paguar një tarifë prej afro 75 ml/l.

Shqetësim për qytetarët e Tiranës përbën edhe ndotja e ajrit dhe aromat e këqia që shpërndahen prej erës me kilometra të tërë, që është një shqetësim i vazhdueshëm, për shkak të mos incinerimit, por vetem kapsulimit të tyre. Pikërishtë kapsulimi i mbetjeve, nga kontaktet me specialist të ambjentit, por dhe me banorët, ngrihet si shqetësim për ndotjen ambjentale dhe të ujrave nëntokësore. Ky efekt i ujrave të ndotura nëntokësorë, ngrihet nga banorët e Ndroq-Vaqarr-Pezë Helmës për ujrat e Lumit Erzen, ujin e të cilit e përdorin për vaditje, per bagetite dhe per peshkim. Po ashtu nga banorët e zonës, evidentohet edhe shqetësimi i ndotjes së ujit nga fabrikat fasoneri që janë ndërtuar përgjatë bregut të lumit apo që derdhin mbetjet e tyre në lum, një tjetër problem i ndotjes së ujit dhe rrezikshmërisë së tij, për ambjentin, banorët, bagëtitë apo tokat e tyre. Dhe megjithë ankesat e vazhdueshme të tyre, ngritjes së këtij shqetësimi nga ana e grupit të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, asnjë masë, asnjë gjobë, asnjë aksion parandaluese nga Bashkia Tiranë apo agjensitë publike për mbrojtjen e mjedisit për të ndarë që në burim mbetjet e rrezikshme. Por Bashkia Tirane, me forcën e kartonave socialistë dhe social-demokratë në Këshillin Bashkiak, votoi “pro” pagesës së afro 6ml €uro shtesë për Incineratorin e pandërtuar të Tiranës, së konfiskuar si çështje hetimi nga SPAK, për të vijuar me përpunimin e mbeturinave urbane. Ndërkohë banorët e zonës së Landfillit, Kombinatit e deri në fshatrat nga kalon Lumi Erzen, janë lënë të pashpresë. Po ashtu, Infrastruktura rrugore nëpër zonat rurale si dhe tension i ulët i energjisë elektrike vijon të jetë një tjetër problematikë që dëmton banorët.

Po ashtu trarifat bashkiake mbi firmat e ndërtimit, që parashikohet një taksë prej 3% e sipërfaqes së ndërtimit, prej së cilës Bashkia Tiranë merr diku tek 3 mld – 4 mld lekë/vit. Taksë që parashikohet të merret me sipërfaqe ndërtimi për shtëpi sociale, por që ende ka mungesë transparence mbi procedurat e strehimit dhe të akomodimit në këto sipërfaqe banimi të bashkisë, nga shtresat e margjinalizuara, të pamundura ekonomikisht apo të shpronësuarit nga punimet e bashkisë.

Pra shpronësimet në kuader të programit të rindërtimit janë kthyer në një gangrenë sociale dhe ekonomike për qytetarët. Sharra, Kombinati, 5 Maji, Unaza, Bulevardi i Ri…
Një tjetër aspekt i diskutueshëm mbi rindërtimin dhe të ashtuqtuajtur “bonuset e qerave”, por dhe banesat sociale ka të bëjë me procedurat dhe etiketimet ndaj banorëve të Tiranës, të cilët ka raste që janë klasifikuar si “zaptues” apo “uzurpues”.

Po ashtu, vlerësimi i bonusit të qerasë në 18.000l/muaj për tre veta, pavarësisht sipërfaqjes së prekur nga tërmeti është nën koston e tregut.
Por dhe klasifikimet DS4, DS5 sipas praktikave klienteliste patronazhiste partiake janë kthyer në praktika klienteliste. Një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës të prekur nga program i rindërtimit janë në gjyqe me bashkinë, për shkak të procedurave të parregullta, abuzive dhe nënvlerësimit të pronave të tyre. Kosto që do i shtohen atyre që tashmë paguajnë qytetarët e kryeqytetit.

Procesi i ashtuquajtur “Rindërtimi pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019” është kthyer kështu në një sipërmarrje abusive, korruptive dhe obskurre në drejtim të mungesës totale të transparencës dhe neglizhencës ndaj zgjidhjes së problemit të strehimit, si dhe të vlerësimit të pronave të qytetarëve. “Rindërtimi” është simbol i korrupsionit dhe i lidhjeve klienteliste, ku herë-pas here në media rishfaqen episode dhe personazhe të hetuar, arrestuar, akuzuar nga SPAK që janë po personazhe kryesore në drejtimin, menaxhimin dhe implementimin e aferave me indicje të forta korruptive të të ashtuatuajturave sh.a. në pronësi të Bashkisë Tiranë. Sh.a-të bashkiake si 5D, Superbeton, EcoTirana l, etj, me anë të të cilave po kryhen pastrimi monopol rindërtimi,, shpronësimi, kompensimi nën kostot e tregut.

Shembja e Kinema Dajti – Qendra Rinore TEN, ku banorët nuk janë pyetur është fakt i arrogancës dhe i neglizhencës ndaj dëgjinit të zërit të qytetarëve.
Superbetonizimi i Tiranës me kulla të përqëndruara vetë ne qendër, por dhe ajo te fusha e kompleksit sportiv Dajti që kryebashkiaku e kishte premtuar, që do e rikthente në ambjent sportiv…
Në Tetor 2023 u miratuan 12 kulla te reja te zonat e Liqenit artificial, Bulevardi i ri, Bllok…
Sa parqe ka ndërtuar Veliaj?

Sa shkolla ka ndërtuar apo marrë prej tarifave të vjelura prej këtyre kullave?
Transporti publik një tjetër problematikë e sigurisë rrugore… Greenline është një simbol i indiferencës ndaj kontrollove të vazhdueshme mbi kompanitë e transportit publik.

Një problem tjetër i madh është mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në proceset vendimmarrëse. Shpesh herë, vendimet e rëndësishme administrative marrin vend jashtë syrit të publikut pa patur një pjesëmarrje të tyre në procesin e vendimmarrjes. Ky mungesë e transparencës mund të krijojë dyshime në publik dhe të nxisë më shumë perceptime negative lidhur me integritetin dhe pavarësinë e pushtetit vendor. No media, no public, no smartphones në Këshillin Bashkiak, sipas vendimarrjes së shumicës penguese dhe këmbëngulëse në mos bërjen e transparencës.

Një tjetër problem i vazhdueshëm është infrastruktura e dobët dhe mungesa e shërbimeve bazë për qytetarët. Në disa zona të qytetit, mungesa e ujit të pastër, sistemeve të pastrimit të mbeturinave, energjisë elektrike, dhe rrugëve të kalueshme janë sfida për banorët.
Këto probleme lidhen ngushtë me efikasitetin dhe aftësinë e administratës lokale për të menaxhuar dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët, që ka treguar deficenca dhe paaftësi.

*Kryetare e grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak Tiranë. Fjalë e mbajtur në takimin me anëtarët e PD-së në këshillat bashkiak të Shqipërisë.

Exit mobile version