Dystopia – Enter apo End?

Nga Erl Kodra

Kur kompjuterat e parë filluan të hynin në jetët tona, njerëzimi u mrekullua nga kjo paisje e vogël që ishte e aftë të bënte llogaritje të sakta, me të cilën mund të shkruaje dhe të ndërveproje, duke lehtësuar shumë aktivitetin njerëzor, kryesisht atë intelektual. Kompjuterat e parë filluan të shfaqen nëpër zyrat e shtetit, në fakt të çdo shteti në planet, dhe kështu, ishin zyrat e shtetit që filluan të mblidhnin informacionet e para për qytetarët. Dosjet e letrës dhe makinat e shkrimit filluan të zëvënedësohen me dosjet elektronike, me formularë të gatshëm në të cilët shënoheshin të dhënat tona, kërkesat, nevojat dhe shërbimet që merrnim nga autoritetet.

Ndërkohë që zhvillimi teknologjik po ecte me ritme të shpejta, rregullat dhe ligjet vazhdonin me metodat e kohës kur mbreti i informacionit ishte letra e shtypur me makinë shkrimi, e vendosur në një dosje. Ajo botë vdiq pa e kuptuar, ndërkohë njerëzimi po hynte në një epokë të re zhvillimi teknologjik, që i jepte mundësi autoriteteve të kontrollojnë jetën e çdo qenie në planetin tokë, madje shpesh herë edhe të kafshëve. Sot kjo lloj bote nuk është më një fantazi, por një realitet – ne tashmë jetojmë në epokën e Dystopisë Totale.

Krejt jeta jonë tashmë është e ndërlidhur pazgjidhshmërisht me Teknologjinë e Informacionit. Ndërhyrja e jashtëzakonshme në jetën tonë personale nga teknologjia e informacionit është bërë e pashmangshme; ne nuk mund të ekzistojmë pa këtë teknologji. Tani jemi qenie që varemi nga kompjuteri në formë e një smartphon-i me të cilin i bëjmë selfie vetes.

A i keni parë “faqet e mia” që na dalin kur kontrollojmë llogaritë tona bankare? Po ai butoni i vogël me “biskota” që na del në cep të kompjuterit, duke na pyetur nëse do të pranojmë “politikën e tyre të privatësisë”? Zakonisht të gjithë klikojmë “pranoj”, pa e vrarë mendjen se kështu u kemi dhënë të drejtë edhe ligjërisht që të përdorin çdo informacion tonin që ata dëshirojnë. Dhe kompjuterat vazhdojnë të mbledhin papushim të dhëna rreth çdo qenie njerëzore në planet, në çdo sekondë të jetës tonë të gjallë.

Tani imagjononi pak se çfarë informacioni gjigand është mbledhur rreth nesh, duke filluar që nga blerjet në dyqane përmes kartave të kreditit, aktivitetet e tjera, preferencat muzikore, lajmet dhe kanalet televizive që ndjekim, markat e paisjeve që kemi në shtëpi, makinën që përdorim, mënyrën se si e kalojmë kohën e lirë; gjërat që i mësojmë fëmijës, mesazhet që i dërgojmv gruas apo burrit në telefon, fotografitë dhe selfiet që bëjmë, vendet që vizitojmë; madje edhe sa dhe si marrim frymë dhe si na rrahë zemra. Edhe gjatë aktit seksual.

A harrova diçka?! Përfshijeni shpejt, se iPhone ka informata edhe për ato.

Tani imagjinoni pak këto të dhëna që ruhen diku në një server gjigand, ose në disa servera gjigand, ose në një superkompjuter gjigand. Bota është e mbushur me sisteme të tilla gjigande. Kompanitë teknologjike këtë punë bëjnë rrotull botës, duke monitoruar çdo gjë që lëvizë në këtë planet. Kordinimi dhe kryqëzimi i këtyre të dhënave është çelësi magjik për qeveritë rrotull botës. Nëse jo qeveritë, për kompanitë teknologjike. Për Inteligjencën Artificiale. Ne jemi vetëm një KLIK larg. Enter ose End.

Si thamë?

Ne tashmë jemi brenda botës DYSTOPIKE.

Enter apo End?

Fotografia – Zdzislaw Beksinski: Surrealizmi distopian në lojëra

Exit mobile version