Qytetarët rrethojnë Ramën në Berat, i kërkojnë ndihmën ekonomike, ai tallet: Do jetoni më mirë pa ndihmën ekonomike

Pas mbledhjes së radhës në qytetin e Beratit, kryeministri Edi Rama është pritur me protestë nga një grup qytetarësh të cilëve u është hequr ndihma ekonomike. Qytetarët i kanë kërkuar Ramës shpjegime për përjashtimin nga skema. Nga ana tjetër, kryeministri u ka shpjeguar se skema e re u jep mundësi për një jetë më të mirë falë punësimit. Rama më pas është larguar për të vazhduar takimin e radhës.
Ndërkohë, Partia Demokratike dorëzoi të martën në Kuvend kërkesën për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familjeve ekstremisht të varfra në të gjithë vendin. Në kërkesën e Partisë Demokratike theksohet se përjashtimi është abuziv, i bërë në proçedura aspak transparente, në tejkalim të përcaktimeve ligjore dhe, me shumë gjasë, në kushtet e ndjekjes penale.

Reagimi i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi një mashtrim deklaratën e Kryeministrit Rama, që sipas tij, “njerëzit preferojnë të marrin 50 mijë lekë ndihmë ekonomike në vend që të punësohen me rroga 400 mijë lekëshe”.
Statusi i plotë i Bashës në Facebook
A ka njeri që e beson mashtrimin e Ramës sot nga Berati se njerëzit preferojnë të marrin 50 mijë lekë ndihmë ekonomike në vend që të punësohen me rroga 400 mijë lekëshe???
Realiteti flet vetë me gojën e këtyre banorëve të Beratit, aty ku banda qeveritare po harxhon sot e nesër miliona lekë për ekskursionin e fundjavës, por asnjë kacidhe për njerëzit në nevojë ekstreme.

20 mijë familjeve të varfra iu hoq ndihma ekonomike
Qeveria iu hoqi ndihmën ekonomike 20 mijë familjeve ekstremisht të varfra në të gjithë vendin. Partia Demokratike e kërkon debatin me kryeministrin për këtë çështje që në seancën e së enjtes, sepse nga kontaktet direkte, qindra kryefamiljarë kanë pohuar se nuk kanë para për bukë në kuptimin e parë të fjalës.
“Situata e verifikuar deri më tani është shkaktuar prej papërgjeshmërisë së qeverisë dhe ka rënduar gjendjen e këtyre familjeve në kufijtë e një drame njerëzore dhe të një emergjence kombëtare, pasi ndihma ekonomike është e vetmja mundësi mbijetese për ta”,thuhet në kërkesën e Psrtisë Demokratike.
Partia Demokratike e cilëson kriminal dhe të papërgjegjshëm aktin e përjashtimit të mbi 20 mijë familjeve në nevojë, duke i lënë në mëshirën e fatit, pa u dhënë asnjë sqarim dhe duke u hequr të drejtën kushtetuese, të përcaktuar në nenin 52. Aty thuhet se “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij, dhe, kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”.

Exit mobile version