Masimo Morati e konsideron si një nga gabimet e karrierës së tij besimin që i dha Rafa Benitezit. Ish-presidenti zikaltër tregon se, tekniku spanjoll ishte pesimist dhe nuk besonte asnjëherë se skuadra do të fitonte trofe. Në prezantimin e librit të ish-mbrojtësit zikaltër, Kordoba, Morati vlerësoi maksimalisht brazilianin Leonardo dhe foli gjithashtu edhe për të ardhmen e Interit. Ai tha fjalët më të mira edhe për mbrojtësin kolumbian. “Kur Ivan erdhi tek Interi më impresionoi menjëherë, sepse e kishte për zemër skuadrën ku luante. Pavarësisht se ishte një mbrojtës, ai bënte gjithçka në fushën e lojës. Më tërhoqi personaliteti i tij. Fola me Brankën dhe Lipin dhe vendosëm ta afronim tek Interi. Kam kujtime të bukura me Kordobën, mes tyre fitoren e Kupës së Italisë në vitin 2005. Kupa e Italisë në atë kohë nuk festohej shumë, por për ne ishte shumë e rëndësishme. Milani vinte nga humbja e Ligës së Kampionëve në Stamboll me Liverpulin”, tha ai.
Më pas, Morati foli për Benitezin. “Ishte një profesionist i vërtetë, por linte shumë për të dëshiruar nga komunikimi dhe nga raporti që krijonte me lojtarët. Gabuam shumë që e zgjodhëm trajner të Interit. Nuk doja t’i vendosja shkopinj nën goma, por më humbi durimi me të, sepse dukej sikur nuk do të festonim kurrë derisa ai të ishte trajner i Interit. Jetonte në një situatë terrori dhe mungonte entuziazmi në skuadër. Për këtë motiv vendosa të ndjek Leonardon. Ai ishte një nga trajnerët më të mirë që kam pasur. Një djalë shumë i zgjuar dhe inteligjent. Ishte i zoti si trajner dhe si drejtues”, tha Morati.
Morati tha se, të gjithë tremben nëse ai riktheht. “Qarkullojnë disa zëra që duket sikur më kanë frikë po u riktheva. Mendoj se Tohir është duke ecur përpara me projektin e tij për të rikthyer një Inter kompetitiv. Nuk mendoj se do të rikthehem protagonist tek Interi dhe e mendoj shumë të vështirë. Nuk mund të bëhem hije në mënyrë konstante për të. Nëse do ta pranoja faktin që mund të rikthehem, do të vija në vështirësi ata që janë aktualisht. Është mirë që të vazhdojnë projektin e tyre. Nuk i vëzhgoj në punën e tyre, thjesht si mik jap këshillat e mia”.
Morati thotë se ka besim te vendi i tretë. “Unë kam besim. Shpresoj që lojtarët të japin maksimumin dhe ta arrijnë këtë objektiv të rëndësishëm. Mançini ka fituar një kampionat në sekondat e fundit në Angli, ndërsa me ne ka fituar kampionatin në ndeshjen e fundit me Parmën. Shpresoj që të bëjë një tjetër përmbysje të madhe për ta dërguar Interin në Champions”.
Në fund dy fjalë edhe për Francesko Totin. “Toti e ka dëshmuar në çdo moment forcën e tij në fushën e lojës. Ai bën gjithmonë diferencën, pavarësisht faktit se vitet kalojnë. Është e vërtetë që karriera e tij po përfundon, por meriton më shumë respekt. Ne i donim të mirën Kordobës dhe besoj që edhe te Roma i duan të mirën Totit. Është e vërtetë që e kam kërkuar tek Interi në të kaluarën, por ai nuk e tradhtoi kurrë Romën. Ka qenë një lojtar fantastik nga i cili duhet të marrin shembull të gjithë të tjerët”, përfundoi Morati.