Sulmuesi kuqezi Rei Manaj, i cili aktivizohet me të rinjtë e Interit në Itali thotë se e ka pasur të lehtë zgjedhjen mes zikaltërve dhe bardhezinjve të Juventusit. Pas suksesit që arriti pak ditë më parë, duke shënuar ndaj Juventusit në finalen e Kupës së Italisë për U-19, Manaj thotë se ndihet shumë i lidhur me ekipin e të rinjve, qëndrim ky që duket se shuan zërat për një largim të mundshëm nga Milano drejt anglezëve të Aston Vilës.
“Kur u informova se mund të vija këtu (pranë ekipit të Interit), nuk pata dyshime në zgjedhjen time mes Interit dhe Juventusit”, ka thënë ai sipas portalit të njohur ‘goal.com”.
Duke folur për trofeun e fituar me të rinjtë e Interit, sulmuesi vlerësoi atmosferën në dy ekipet që është aktivizuar.
“Jam shumë i lumtur për TIM Cup dhe për ambientin që ekziston tek të rinjtë. Në ekipin e parë të gjithë më trajtojnë mirë. Jam shumë i lidhur me Medel, më këshillon dhe më korrigjon kur gaboj”, ka thënë Manaj.