Rama, 120 milionë lekë borxhe tek Carapuli, i jep 17.8 miliardë lekë tendera

Në deklaratën e re të pasurisë Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë shtuar disa dhjetëra milionë lekë, por Rama është treguar i kujdesshëm që të mashtrojë sërish të ardhurat e tij reale. Nga publikimi i të dhënave të reja të pasurisë për vitin e kaluar bie në sy se Rama ka shtuar të ardhurat nga shitja e pikturave me afro 27 milionë lekë, ndërsa ende nuk ka mundur të shlyejë borxhet për ndërtimin e vilës si dhe kreditë që ka marrë në bankë.
Sipas deklaratës Rama ka një borxh ndaj firmës ndërtuese të vilës ku banon në Surrel në vlerën e 120 milionë lekëve (të vjetra). Ndërtuesi i kësaj vile është biznesmeni i njohur Carapuli. Ndërsa Rama nuk i ka likuiduar ende paratë e ndërtimit të vilës, bie në sy se vetëm gjatë vitit të kaluar Carapuli ka fituar tendera në vlerën e 17.8 miliardë lekëve, shumica e të cilave me ofertën më të lartë. Megjithëse në deklaratën e pasurisë nuk përmendet emri i firmës të cilës Rama i detyrohet 120 milionë lekë, ajo është bërë publike dhe i përket firmës së ndërtimit të mikut të afërt të Ramës. Kjo deklaratë hedh dritë mbi marrëdhëniet e privilegjuara të Ramës me përfituesit e tenderave të qeverisë. Ata i bëjnë dhuratë një shtëpi dhe Rama i bën dhuratë tendera në vlerën e dhjetëra miliarda lekëve.
Rama operon me ndërtues të tillë përfitues privilegjesh në dhjetëra miliardë lekë të parave të shqiptarëve në marrëdhënie të hapur ortakërie. Ata ndajnë së bashku tenderat dhe kjo është një mënyrë akoma më e lehtë për Ramën që të fshehë pasurinë e tij përmes transaksioneve të biznesmenëve që më pas operojnë në parajsat fiskale.
Ekspertët e ndërtimt janë të bindur se vila e Ramës në Surrel nuk kushton kurrsesi 120 milionë lekë. Një kosto e tillë është ajo e një apartamenti të thjeshtë, ndërsa për një vilë me një gjatësi lineare ndërtimi prej 55 metrash dhe një gjërësi prej më shumë se 12 metrash është e kuptueshme se kostoja është të paktën 5 herë më e lartë.
Sipas kësaj deklarate, kreu i qeverisë shqiptare fiton më shumë artist sesa si kryeministër dhe ndoshta është nga të vetmit kryeministra që nuk ka në pronësi një automjet.
Të ardhurat e vitit 2015 nga të drejta të autorit janë diçka më shumë sesa nga paga kryeministrore. Të ardhurat nga shitja e veprave artistike gjatë këtij viti ka shënuar edhe djali i madh i kryeministrit, Greg Rama. Ndërkohë që për herë të parë pas kaq vitesh, Rama fiton nga puna më shumë se bashkëshortja e tij Linda. Më poshtë lexoni të plotë deklaratën e tij pasurore.

Pasuri të paluajtshme

1) pronar me 100% i apartament banimi Tiranë, tip parafabrikat me sip. 59 m2, fituar me privatizim, sipas rivlerësimit të 2012 vlera 5 422 100 lekë.
2) pronar me 100% të studio artisti Tiranë, sip. 65 m2, me trashëgimi nga babai, me vlerë të raportuar 2 500 000 lekë.
3) bashkëpronar me 50% e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita RAMA, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39 607 741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshat Surrel, Komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie.
4) bashkëshortja Lindita Rama si e pavarur nga regjimi martesor është pronare me 100% e apartament sip. 146.15 m2 + verandë 68 m2 + garazh 17 m2, vendndodhja Tiranë, blerë me pjesë në 2015 dhe 2009.
5) bashkëshortja Lindita Rama e pavarur nga regjimi martesor është pronare e tokës arë me sip. 4 483.5 m2 Surrel, Dajt, blerë në vitet 2005 dhe 2009, me titull pronësie për tokë arë.
Likuiditete (Depozita, Cash, Llogari rrjedhëse, Debi-Kredi, Karta krediti/debiti)
1) gjendje e datës 10. 09. 2013 në llogari bankare personale në vlerë 2 007 789,3 lekë, burim të ardhurash paga e mëhershme dhe shitja e librit “Kurban”.
2) kesh (cash) në vlerën 988 700 lekë, burim i të ardhurave kursime personale.
3) kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi financiar të pashlyer – 336 383 lekë, e marrë në datën 12. 05. 2000 me principal 2.5 milionë lekë, afat shlyerje 15 vjet, interes bazë 3%.
4) detyrim i papaguar subjektit ndërtues të “shtëpisë së banimit në Surrel” me vlerë – 12 056 241 lekë, detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten.
5) detyrim i papaguar i qira vjetore apartament banimi sipas kushtit për pagim një herë në vit, vlera e detyrimit -573 280 lekë detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten.
6) Zonja Lindita Rama në cilësinë e bashkëshortes dhe me të drejta të pavarura nga regjimi martesor, zotëron vlerën e dhënë si hua të tretëve prej 70 000 euro, hua pa interes, e papërcaktuar data e huadhënies.
7) bashkëshortja Lindita Rama zotëron gjendje llogari bankare më 10. 09. 2013 në vlerën 6 206 644.3 lekë, deklarohet 100% pjesëtare.
Sende me vlerë
1) posedues i një koleksion me krijimtari artistike të babait, koleksion i trashëguar.
Të ardhura nga Paga dhe Shpërblimet
Të ardhura nga Paga për vitin 2015 vlera neto pas pagimit të detyrimeve tatimore 2 037 188 (dy milionë e tridhjetë e shtatëmijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë.

Të ardhura nga Publikimet dhe e Drejta e Autorit

Të ardhura nga krijimtaria artistike: shitje libri Kurban, shitje punë artistike vlera neto me detyrime tatimore të zbritura 2 694 009 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë.

Të ardhura të personave pjesë e Çertifikatës Familjare

1) Zonja Lindita Rama, Shtuar në llogarinë personale në bankë gjatë vitit 2015 vlera 3 044 470 lekë.
2) Zonja Lindita Rama shtuar Gjendja Cash shtuar me 115 000 lekë.
3) Zonja Linda të ardhura nga paga dhe puna si eksperte në vlerë neto pas pagimit të detyrimeve tatimore 1 929 676 (një milion e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë.
4) Zonja Linda Rama të ardhura nga qira apartamenti në vlerë neto pas pagesës së detyrimeve tatimore 1 939 237 (një milion e nëntëqind e tridhjetë e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë) lekë.
5) Zonja Linda Rama të ardhura nga interesa bankare vlera neto pas zbritjes së detyrimit tatimor 4 294 (katërmijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) lekë.
6) Zoti Gregor Rama fituar nga shitja e veprave të artit 3 400 euro.
7) Gregor Rama pakësuar një llogari bankare me minus 197 629 lekë.
8) Llogari bankare pa ndryshime.
9) Llogari bankare në EU shtuar me plus 50.

Grup pune në ILDKP për të fshehur pasuritë e qeveritarëve

Nga burime zyrtare mësohet se pranë ILDKP prej ditësh është ngritur një grup pune me një qëllim të dyshimtë. Burimet saktësojnë se qëllimi i këtij grupi është fshehja e pasurive të zyrtarëve të lartë të qeverisë përmes korrektimit të të dhënave. Punonjësit që janë pjesë e këtij grupi po thirren të punojnë edhe gjatë ditëve të fundjavës që janë pushim.
Zyrtarët e lartë kanë përfunduar dorëzimin e deklaratave të pasurisë dhe tani është ILDKP, e cila po merret me këto deklarata.

Exit mobile version