Veizi, skandali i juristit të policisë në laboratorin e drogës

Nga Telnis SKUQI

Juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi nuk i ka besuar veshëve kur u informua se dy xhaxhallarët e tij janë shpallur në kërkim, pasi policia vendore zbuloi një laborator të kultivimit të hashashit, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës
Prej 3 vitesh kultivimi i hashashit nuk është më e drejtë e gjithsecilit, por e drejtë e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës
Juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi, ka kërcënuar dje nëpërmjet një statusi të tij në Facebook “Me plumb në lule të ballit” ish-Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.
Në statusin e tij me titull “Kriminel, fitove ti!!!”, Juljan Veizi, njeriu i afërt i Ziver Veizit, që humbi jetën nga një plumb gjatë protestës së 21 janarit 2011, shkruan në statusin e tij (ligjëratë e drejtë) se, “Gjykata dhe njëkohësisht edhe Prokuroria e mbaruan lojën e tyre!!!. Si e nisën, e bitisën, por bashkë me ‘21 janarin’ varrosin shpresën që ky vend do të bëhet…”.
Më tej vijon: “Kryekrimineli bën thirrje për armatosje, e bën Presidentin horr, Prokuroren lavire, nuk zbaton urdhrat e Prokurorisë, por në fund në burg futet kush ka rilidhur energjinë që nuk kish paguar…. Kryekrimineli është i plotfuqishëm përballë qeverisë, përballë drejtësisë, edhe përballë lotëve të Anës që ‘vajtuan’ në gjithë Europën… Kryekrimineli për një gjë ka të drejtë, këtu duhet armatosur populli, sepse është e vetmja zgjidhje, sepse ti o Kryekriminel e do fiks aty, në lule të ballit….”.
“Kryekriminel, fitove ti!!!, 1997-ta, Gërdeci, 21 janari janë arritjet e qeverisë tuaj!!!”, shkruan ai.
“Kryekriminel “Na fal!!!”. Të na falësh që na vrave”, përfundon ai.
Disa ditë më parë, ish-Kryeministri Sali Berisha, bëri thirrje nga podiumi i Kuvendit të Shqipërisë “Për armatosje të popullsisë, sipas ligjit amerikan” dhe për këtë arsye, Byroja parlamentare e përjashtoi ish-liderin e PD për 10 ditë.

Juristi Veizi dhe laboratori i drogës

Një muaj më parë, juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi nuk i ka besuar veshëve kur u informua se dy xhaxhallarët e tij janë shpallur në kërkim, pasi policia vendore zbuloi një laborator të kultivimit të hashashit, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës. Me ndihmën e drejtuesve të lartë të policisë lokale, lajmi në media u tejkalua “butësisht”, sepse emrat e dy administratorëve u fshinë nën iniciale, gjë që solli dy pamje të pavërteta për opinion publik. Policia e Shtetit u shfaq kokëlartë, sepse zbuloi një laborator që njerëzit e policisë e kishin prodhuar, si dhe shmangur skandalin, sepse autorët realë të këtij biznesi ishin vëllezërit e Ziver Veizit, protestuesi që u vra më 21 janar 2011.
Megjithatë historia nuk përfundon këtu. Një javë më parë, policia vendore e ka mbajtur të fshehtë arrestimin e njërit prej dy xhaxhallarëve të shpallur në kërkim, sepse këtë të drejtë ekskluzive për të bllokuar informacionin e ka juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi. Të gjitha këto çudira nuk janë thjesht rastësi, por pjesë e lojës së kartelit të drogës në Jug të Shqipërisë, ku pjesëmarrës janë edhe vëllazëria e Ziver Veizit, përkatësisht Hodo dhe Roland Veizi, plus edhe nipi i tyre. Si ka mundësi që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës nuk jep asnjë informacion për këtë laborator që ishte ndërtuar vetëm 3 km larg këtij institucioni? Prej sa vitesh ku aktivitet ishte ndërtuar? Pse pikërisht vëllazëria Veizi e kishte këtë ekskluzivitet në qytetin e Gjirokastrës? Të gjitha këto pyetja kanë një përgjigje. Prej 3 vitesh kultivimi i hashashit nuk është më e drejtë e gjithsecilit, por e drejtë e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.

Exit mobile version