Rama, 77 tendera Balilit, 14 milionë euro Begos, ja si përfituan para publike trafikantët e drogës

Pas publikimit të procedurave ligjore për pjesëmarrjen në tendera nga ana e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, vjen një reagim nga PD.
Përmes një deklarate publike nga selia e PD këshilltari Ligjor i PD Gazment Bardhi ‘hapi’ dosjen me tenderat që janë dhënë në mënyrë abuzive nga qeveria ‘Rama’. Bardhi tha se, Edmond Bego që ka përfituar 14 milionë euro nga punët publike, ndërsa Klement Balili 77 tendera nga të cilat 30 pa garë.
“Propaganda dhe tallja me shqiptarët janë mjeti i vetëm i qeverisë së Edi Ramës për të mbuluar bashkëqeverisjen me krimin. Nuk ka asnjë inisiativë të re nga qeveria e Edi Ramës kundër krimit të organizuar. Ministrja e Drejtësisë e di se ligji që ndalon personat e përfshirë në krimin e organizuar të mos përfitojnë tendera dhe koncesione është në fuqi prej vitit 2006. Neni 45 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton se organet shtetërore duhet të përjashtojnë nga një procedurë prokurimi çdo person për të cilin ka të dhëna se ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale.
Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës ky ligj nuk u zbatua dhe tenderat, koncesionet, PPP-të ranë në duart e trafikantëve të drogës dhe personave të tjerë të përfshirë në krimin e organizuar.
Të shkruash me fjalë të tjera atë që sot ekziston në ligj, është tallje me shqiptarët dhe tentativë e qartë për të marrë në mbrojtje anëtarët e krimit të organziuar që janë aktualisht nën hetim nga prokuroria për përfitime të paligjshme në tendera publikë.
•Miku i Taulant Ballës, Edmond Bega, që ka përfituar 14 milionë euro nga punë publike, si dhe leje dhe licensa,
•Klement Balili, në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, ka përfituar 77 tendera, nga të cilat 30 pa garë.
•Edison Sali, anëtar i bandës së Agron Xhafaj, ka përfituar 12 tendera gjatë qeverisë së Edi Ramës.
Këta shembuj dhe plot shembuj të tjerë janë prova se Edi Rama, i kapur në flagrancë, po bën makiazh me ligje fasadë për të fshehur të vërtetën e bashkëqeverisjes së tij me krimin dhe pasurimin e krimit me paratë e shqiptarëve”, tha Bardhi.

Exit mobile version