“Bomba” vjen nga Anglia: De Gea do të transferohet te Juventusi, ja prapaskenat

Jose Mourinhos po i shtohet frika se David De Gea mund të largohet nga Manchester United për te Juventusi, sapo kontrata e tij në “Old Trafford” të mbarojë. Kështu raporton tabloidi britanik, “The Sun”.
Portieri spanjoll ka hezituar të nënshkruajë një zgjatje të kontratës së tij aktuale, e cila skadon verën e vitit 2019, por mund të ketë fuqi ligjore automatikisht edhe një vit, nëse duan “Djajtë e Kuq”, sipas klauzolës përkatëse.
Juventusi ka fituar një reputacion për joshjen e talenteve të nivelit të lartë, që dalin të lirë, dhe duket se është i interesuar edhe për De Gea. Kjo gjë mund të bëjë që Manchester United ta shesë atë me çmim të ulët në verën e vitit të ardhshëm, në vend që ta humbasë për asgjë.
Kuptohet se spanjolli, 27 vjeç, është i vetëdijshëm se gjigantët e Torinos e duan atë, kur marrëveshja e tij të skadojë verën e ardhshme. Manchester United ka mundësinë ta zgjerojnë atë edhe për një vit të mëtejshëm.
Por, një burim nga “Old Trafford”, pranoi: “De Gea luajti kundër klubit të tij të ardhshëm, të martën. Juventusi është një klub ekspert për marrëveshje inteligjente. Nëse Manchester United nuk e shet atë në verë, Juventusi do të presë deri në fund të kontratës së portierit spanjoll”.

Trajneri i Juventusit, Max Allegri, është i gatshëm të presë për të blerë një nga portierët më të mirë në botë, me parametra zero. Kjo do t’i irritonte shefat e “Old Trafford”, të cilët panë një 19-vjeçar si Paul Pogba të kalonte në Itali si lojtar i lirë, në vitin 2012, kur kontrata e tij me “Djajtë e Kuq” mbaroi.
Më vonë, Manchester United shpenzoi një shumë rekord botëror prej 89 milionë paund për ta rikthyer ndërkombëtarin francez në “Old Trafford”, në vitin 2016, pasi kishte shpërthyer te bardhezinjtë e Torinos.
Ishte pritur gjerësisht që De Gea të firmoste një marrëveshje të re afatgjatë me Manchester United, por situata jo fort pozitive, sidomos ajo rezultative, e klubit anglez e ka bërë të hezitojë, duke menduar për një destinacion tjetër.
Pasi ka rënë poshtë pista “Real Madrid”, sepse atje shkoi këtë verë belgu Thibaut Courtois, portieri spanjoll duket i joshur nga Juventusi, që ka fituar 7 titujt e fundit radhazi në Seria A dhe synon suksesin në Champions, tashmë.
Natyrisht, shkuarja e Cristiano Ronaldos te “Zonja e Vjetër” përbën njëlloj magneti edhe për yje të tjerë. Juventusi ka afruar më parë superstarë me kosto zero, si Dani Alves, Andrea Pirlo dhe Sami Khedira, ndaj nuk është aspak çudi që ta vijojë këtë rrugë me De Gea, i cili do të ishte zëvendësuesi më ideal i Gianluigi Buffon, tashmë i transferuar te PSG në moshën 40-vjeçare.

Exit mobile version