Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin lidhur me hapjen rrugë të procedurave për projektin e mundshëm partneritetit publik/¬privat të ndriçimit publik. Konkretisht, projekti i parqitur nga Ministria e Energjisë përcakton administrimin e procedurave dhe përfshijnë modelin që do të ndiqet në territorin e njësive administrative vendore. Ky projekt në fakt e ka zanafillën nga një propozim i mëhershëm që u lakua lidhur me interesin e shfaqur nga një kompani daneze për të marrë me koncesion ndriçimin në Tiranë dhe Durrës. Mungesa e eksperiencës së këtyre njësive bënë që t’i drejtohen Ministrisë së Energjisë për ekspertizë dhe aktualisht për këtë projekt kemi tre autoritete kontraktore që do të marrin në shqyrtim projektin e propozuar për sistemin e ndriçimit.
Gjithsesi ende nuk ka një vendimmarrje dhe në rast se shihet si fizibël atëherë do të hapet një garë normale. Pas shpalljes së fituesit çdo procedurë tjetër e lidhur me kontratën, buxhetimin dhe ndjekjen e zbatimit do të bëhet nga vetë bashkitë. Vendimi i fundit i qeverisë në fakt shërben thjesht për t’i hapur rrugë një partneriteti të ri të ndriçimit publik, duke e lidhur këtë me objektivin që ka vendi për eficencën e energjisë. Projekti për Tiranë-¬Durrës solli disa përplasje mes Ministrisë së Energjisë dhe asaj të Drejtësisë për shkak se ministri Ylli Mnajani vlerësonte se kishte tejkalim kompetencash.
Megjithë kundërshtimin e fortë të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, qeveria ka vendosur të japë me konçesion tek privati, ndriçimin e rrugëve në dy bashkitë më të mëdha të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit. Akti, i cili përbën një tjetër thellim të konfliktit brenda mazhorancës, është konçesioni i radhës i qeverisë Rama, detajet financiare të të cilit nuk janë bërë ende publike.
Vendimi i shumëdebatuar vjen në një kohë, kur qeveria ka qenë në qendër të akuzave për konçesione korruptive në disa sektorë kyç, nga shëndetësia e deri në transport dhe energjetikë. Por ndonëse deri më tani, kundërshtimet kanë qenë nga publiku dhe mediat, konçesioni i sistemeve të ndriçimit publik është kundërshtuar edhe nga brenda vetë qeverisë si i dyshimtë dhe në shkelje të ligjit.
Përplasja Gjiknuri-Manjani
Projekti për dhënien me konçesion të ndriçimit publik në kryeqytet dhe Durrës është iniciuar dhe mbështetet nga Ministria e Energjisë. Por gjatë komunikimeve zyrtare, ky projekt është kundërshtuar haptazi nga Ministria e Drejtësisë, e cila e ka quajtur atë si një cënim të autonomisë vendore, por edhe ligjërisht të dyshimtë.
Përplasja e fortë mes Ylli Manjanit dhe Damian Gjinkurit është fituar nga i pari, pasi në mbledhen e radhës, ku Manjani nuk ka qenë prezent, qeveria e ka miratuar projektin.
Vendimi i Këshillit të Ministrave autorizon ministrinë e Energjisë të nisë procedurat për koncesionin, ideja për të cilin nuk ishte e qeverisë, por e një kompanie private nga Danimarka e quajtur HeSalight AS. Përmes tij, qeveria autorizon Ministrinë e Energjisë të marrë në shqyrtim ofertën dhe të vendosë për hapjen ose jo të tenderit.
I gjithë procesi, përfshirë shpalljen e fituesit do të administrohet nga kjo ministri, ndërsa kontrata e koncesionit me fituesin do të lidhet nga dy bashkitë respektive.
Reagon Manjani
Ylli Manjani nuk ka qenë prezent në mbledhjen e qeverisë, pasi ndodhet për vizitë zyrtare në Austri. Por kreu i Drejtësisë ka reaguar menjëherë pas vendimit dhe në një prononcim për “Top Channel” ka përsëritur se nuk është tërhequr nga kundërshtimi i këtij projekti. “Jam shprehur me shkrim për atë nismë dhe mendimi im zyrtar është në dosjen e kësaj praktike. Atij mendimi i qëndroj”, ka deklaruar Manjani.
Vendimi i Ramës duket si një sfidë për aleatin e tij Ilir Meta. Përveç kundërshtimit të Manjanit për këtë projekt, LSI ka iniciuar një draft, që ndryshon ligjin e konçesioneve për të kufizuar kompetencat e qeverisë. Të paktën për këtë çështje, çarja brenda mazhorancës duket e fortë, e ndikuar jo vetëm nga kalkulimet politike, por ndoshta edhe nga interesa të mëdha financiare.