Sekretari për Çështjet Ligjore në PD Bylykbashi deklaroi dje se PD ka dorëzuar që më 17 maj platformën që i jep zgjidhje problemit të zgjedhjeve. “PD ka kërkuar në mënyrë shumë të qartë të kriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto masa do të ishte votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve”, tha Bylykbashi.
Megjithësë kanë kaluar 7 muaj nga dorëzimi i platformës së PD përgjigja që ka ardhur nga qeveria ka qenë vetëm zvarritja dhe bllokimi i Reformës Zgjedhore. Qëllimi është i qartë tejkalimi i të gjitha afateve ligjore brenda së cilës ajo duhet të ishte realizuar.
Një pikë tjetër të cilës nuk i jep zgjidhje është dekriminalizimi. Rama nuk i largon kriminelët megjithëse ligji është aty, sepse shpresa e fundit dhe e vetme e tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë grabitja e votave përmes të fortëve.
Deklarata e Bylykbashit
Partia Demokratike ka prezantuar që më 17 maj të këtij viti një platformë të plotë për Reformën Zgjedhore. Eshtë një platformë, e cila trajton në mënyrë shteruese të gjitha shqetësimet e rënda konstatuar OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias në zgjedhjet e fundit dhe që janë të domosdoshme për t’u trajtuar në mënyrë që zgjedhjet e 2017 të jenë të lira dhe të ndershme. Eshtë një platformë, e cila ka marrë vlerësimin më të mirë dhe më të madh nga partnerët ndërkombëtarë dhe për rrjedhojë, nga 17 maji e deri më sot, po bëhen 7 muaj gjatë të cilave mazhoranca, Edi Rama, kjo qeveri ka sabotuar në mënyrë të qëllimshme procesin e Reformës Zgjedhore vetëm e vetëm që të vijmë në këtë pikë, ku janë dekretuar zgjedhjet, ka filluar procesi i hartimit të listave, procese të tjera zgjedhore dhe asgjë, si asnjëherë më parë, në qeverisjen e Edi Ramës nuk është bërë për Reformën Zgjedhore edhe pse zgjedhjet janë tek porta.
Platforma e Partisë Demokratike ka kërkuar në mënyrë shumë të qartë të kriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto masa do të ishte votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Pikërisht për të bllokuar këtë, e bllokoi procesin e Reformës Zgjedhore. Kemi kërkuar financim 100% nga burime shtetërore të partive politike dhe fushatës zgjedhore për të hequr korrupsionin zgjedhor që vjen nga paraja e krimit dhe korrupsionit qeveritar. Kemi kërkuar një numër masash të tjera që garantojnë barazinë në media dhe zhdukin problemet që OSBE-ODIHR-i ka konstatuar.
Nëse platforma e paraqitur nga Partia Demokratike nuk merret në shqyrtim urgjentisht pa vonesa të mëtejshme nuk ka asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor të vitit të vjen. Prandaj ne do të insistojmë që kjo platformë të shqyrtohet dhe të trajtohet sa më parë. Të gjitha pretendimet apo propozimet që bëjnë partitë e mazhorancës nuk kanë asnjë lloj synimi për të trajtuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Edi Ramës ia kanë thënë në Berlin, Kancelarja Merkel, ia kanë thënë në Bruksel dhe do vazhdojnë tia thonë edhe këto ditë, dhe ia ka thënë edhe Uashingtoni zyrtar që duhet zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, i cili po bën një vit që është miratuar, dhe ndërkohë kemi Rroshin në detyrë dhe Balilin e emëruar nga kjo qeveri, ende duke mos iu dorëzuar drejtësisë, por mbrohet nga Edi Rama. Këto janë prova që ligji i dekriminalizimit është bllokuar nga Edi Rama. Po kështu, këto qendra të vendimmarrjes botërore i kanë kërkuar Edi Ramës që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk i shpëton dot këtyre kërkesave dhe për rrjedhojë, sa më shumë e zgjat, zgjat edhe agoninë e tij. Shqiptarët patjetër duhet të kenë zgjedhje të lira e të ndershme.
Enton DACI